Sarah Crompton/ The Guardian - Është e pamundur të mos e dije se kush ishte Rudolf Nurejevi. Nga çasti kur balerini mbërriti në Perëndim, duke i kthyer shpinën shtëpisë së tij dhe kompanisë Kirov që e trajnoi, ai shkëlqeu në faqet e para. Ishte qershor i vitit 1961 dhe marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik ishin ngrohur mjaftueshëm për ta lejuar Kirovin të performonte në Paris. “Kërcimi për liri” i Nurejevit, një frazë që ai gjithmonë e përçmoi, ishte një grusht i mirë propagande për Perëndimin, që i dha një dorë ngrirjes edhe njëherë të Luftës së Ftohtë.
Por nuk ishte dezertimi i tij në aeroportin ‘La Bourget’ ajo që e vuri emrin e Nurejevit në gojët e të gjithëve. Ishte mënyra si vallëzonte. Ai ishte aq entuziast, karizmatik, aq fuqimisht dramatik sa e bëri baletin – një art të vjetër e të rafinuar – të duket tejet i gjallë dhe i rëndësishëm. Në ditët kur e vetmja mënyrë që shumica e njerëzve mund ta shihnin ishte në një shfaqje nga ekrani i vogël i televizorit ose në film, ai ishte si një yll polar, duke i tërhequr të gjithë drejt vetes me kombinimin unik të hirit, sportivitetit dhe maskulinitetit. Ai ishte dhe mbetet i vetmi balerin me joshjen e një ylli filmash dhe një idhulli pop-i. Në ditët e tij ishte po aq i famshëm sa Beatles-at.
Breza të tërë u frymëzuan nga Nurejevi. Si një fëmijë që rritej në Mançester, mbushja ditarët me foto të prera nga jeta dhe arti i tij. Qëndroja për orë në ekspozitë duke parë një figurë të vogël të tij në filmin “Margarita dhe Armandi”, një balet i krijuar për të dhe Margot Fonteyn-in. Kur e pashë përfundimisht në skenë – një prani e shkujdesur dhe plot sharm, që qeshte dhe kërcente përmes baletit të Jerome Robbins “Vallëzim në një Festë” – më bëri të qaj.
Russell Maliphant, koreografi e pa të vallëzonte në televizor në një pjesë festive pas de deux nga “Le Corsaire” , në të cilën aftësia e tij për ta lënë veten pezull në mes të ajrit, të linte pa frymë. “Hedhjet e tij ishte fantastike, shumë atletike. Ai fluturonte”, thotë Maliphant-i. “Dhe kishte një lloj lodrimi magjik dhe një pasion brenda atij lodrimi. Më bëri të dëshiroja të isha balerin, më frymëzoi. Të isha aq lart në ajër!” Dramaturgu David Hare, asokohe student, e njohu në një darkë në fund të viteve ’60. “Ishte aq magjepsës, aq dominues” , thotë ai. “Askush aty brenda nuk shihte kënd tjetër veç tij. Nëse ai ishte i trishtuar, të gjithë ishin të trishtuar, nëse ishte i gëzuar, të gjithë ishin po ashtu. Nuk mund t’ia hiqje sytë”.
Ishte një balerin tejet i fuqishëm, hiri dhe bukuria e të cilit revolucionarizuan baletin. A ka kërcyer dikush më lart? Ndërsa janë realizuar dy filma rreth jetës së tij, kujtojmë fëmijën e varfër rus që drithëroi botën
Maliphant-i ka koreografuar seksione vallëzimi të “Nureyev”, një dokumentar i ri nga Jacqui dhe David Morris, që përpiqet të kuptojë tamam sesi ai e lëshonte atë lloj magjie. Është promovuar më 25 shtator, përpara një filmi tjetër rreth Nurejevit, “Korbi i Bardhë”, një rrëfim i trilluar i ngjarjeve rreth dezertimit të tij. Shkruar nga Hare, me regji të Ralph Fiennes-it, do të dalë në kinema vitin që vjen. Së bashku, të dy filmat sjellin edhe njëherë në fokus vëmendjen e një burri, i cili përpara vdekjes së tij nga Aids, më 1993-shin, kishte një ndikim galvanizues mbi botën e baletit.
Për vëllezërit Morris, joshja e historisë është udhëtimi i Nurejevit nga varfëria e skajshme drejt famës ndërkombëtare, fuqizuar me talent absolut dhe këmbëngulje. “Ishte një jetë e jashtëzakonshme nga mjerimi në pasuri”, thotë Jacqui. “ Më pëlqen fakti se erdhi nga ana e gabuar e binarëve. Sot bëhet fjalë më shumë se kë njeh. Po, yjet mbanin radhë për të, por ai gjithashtu punonte fort dhe e diti si të bënte pjesën më të madhe të jetës së tij.”
Me vuajtjet nga jeta në fshat e Nurejevit është vështirë të teprohet. Në fëmijërinë e tij në Ufa, kryeqyteti i Bashkortostanit, uria nuk qe kurrë e largët. Ai vishej me rrobat e të motrave dhe thirrej “lypës” në shkollë, sepse ishte aq i pistë dhe i varfër. I ati ushtarak, ia ndaloi të vallëzonte, e megjithatë ai e ndoqi ëndrrën, duke mbërritur deri në Akademinë e famshme ‘Vaganova’ në Shën Pjetërburg , duke e futur veten me zor në klasën e Aleksandër Pushkinit, të cilin e njohu si mësuesi më i mirë. Duke e ditur se e kishte nisur vonë, punoi pareshtur për të kapërcyer mangësitë. Kjo është ajo çka tërhoqi Hare-in dhe Fiennes-in, në historinë e tij. “Ajo që po përpiqemi të tregojmë është ky nivel fenomenal i përkushtimit”, thotë Hare. “Për të gjithçka sillej rreth baletit. Ajo që ndodh me artistët e mëdhenj është se e bëjnë të ngjajë e lehtë, por prapa ka punë, punë dhe vetëm punë.” Vështirësia e rritjes së tij gjithashtu luajti pjesën e vet, në mënyrën se mundej t’i impononte njerëzit që ta shihnin. “Ka të bëjë me fokusin dhe thellësinë e tij”, thotë Hare. “Ai mund të penetronte ndjeshmërinë e gjithçkaje nëpër të cilën kishte kaluar. Ka një pjesë në filmin tonë ku thotë: “Nuk jam princ, jam një fshatar që hiqem se jam princ.” Ky akt shtirjeje ishte aq i fuqishëm për të.”
Tek “Korbi i Bardhë”, Nurejevi interpretohet nga një tjetër balerin, Oleg Ivenko. Megjithatë, ajo çka e bën dokumentarin aq të këndshëm janë filmimet nga vetë ai, që flet dhe vallëzon. Joshja e tij regëtin nëpër ekran, i shndritshëm dhe magnetik si gjithmonë; buzëqeshja e anuar në atë bisedë duket se tërheq lajkatim e megjithatë e vendos shumë lart mbi të. Shumë nga ekstraktet që mbulojnë të gjithë jetën e tij nga ditët e para në Kirov, tek mishërimi si drejtori i Operas dhe Baletit në Paris dhe një superyll ndërkombëtar – rrallë është parë. Janë rezultat i punës rrëmuese të Jacqui-it nëpër arkivat e Fondacionit “Nureyev”, të cilat ruhen në Bibliotekën Publike të Nju Jorkut.
E shohim Nurejevin shumë të vogël në ditët e tij në Kirov, si edhe në fragmentet e aventurave të tij të mëvonshme, duke vallëzuar me amerikanë të mëdhenj si Martha Graham dhe Paul Taylor – i pari balerin që e shtriu gamën e tij në këtë mënyrë. Ajo uri, ajo kureshtje e pangopur prej autodidakti për të mësuar dhe eksploruar, ishte një nga cilësitë më të dashura të Nurejevit.
Sylvie Guillem, e cila u zbulua dhe promovua nga Nurejevi, kur ai drejtonte Operën dhe Baletin e Parisit, njëherë më foli rreth “inteligjencës në sytë e tij” dhe mund ta dallosh këtë në çdo fragment të filmit. Ishte kombinuar me një instinkt për të shpërfillur rregullat, veçanërisht masat e hartuara për të promovuar konformizmin. Përgjatë karrierës, ai guxoi të thoshte jo. Refuzoi mësuesin që i ishte caktuar në fillim dhe refuzoi të kthehej në provincë, kur iu tha të vallëzonte atje sepse e dinte se nuk do të bëhej kurrë balerin i madh, nëse do e pranonte. Siç tregon Hare, balerinët zakonisht janë të bindur. Nurejev nuk ishte.
Ishte kjo thyerje e vazhdueshme e rregullave në Paris, që e çoi përfundimit në dezertim. Vëzhguesit e tij të KGB-së kishin vendosur ta kthenin në atdhe, një veprim që përshpejtoi kërkesën e tij për të qëndruar. Përçmimi i balerinit për rregullat kishte lindur nga dy faktorë: dëshironte të përjetonte çdo gram të jetës dhe vendoste nevojat individuale përpara atyre të grupit. “Ai është një balerin i pabindur, gjë që gjithmonë do të çojë në krijimin e problemeve pasi ai vërtet dëshiron ta shtyjë më tej veten”, thotë Hare. “Por arsyeja që dëshironte ta shtynte veten më tej është kryesisht për shkak se gjithmonë ndihet prapa dhe, sepse dëshiron të jetë modern. Kjo do të thotë t’i arratisesh repertorit sovjetik. Ai e di se ka një botë përtej.”
As Hare e as Morris-ët nuk besojnë se kishte planifikuar të dezertonte. I përballur me perspektivën e dërgimit në atdhe, ndërsa pjesa tjetër e kompanisë do të udhëtonte në Londër, u tmerrua. “E dinte se ishte në telashe,” thotë Jacqui. “E dinte se kurrë nuk do ta lejonin të vallëzonte sërish jashtë provincës dhe se familja e tij do ta kishte pisk. Mendoj se ishte e keqja më e vogël mes të dyjave. Nëse qëndronte, e dinte se mund të mos e shihte më kurrë të ëmën. Por nëse kthehej, ai mund të mos shihte atë dhe nuk do të mundej më të vallëzonte.”
Bëri zgjedhjen e tij, me një kosto që e përndoqi. Siç tregon edhe dokumentari, dezertimi i tij pati pasoja politike. Duke qenë dezertimi i parë artistik, u bë simbol i një beteje që ishte shumë më e madhe se e tij. Muri i Berlinit u ngrit, disa muaj më vonë. Vetëm kur ai ra, 28 vite më vonë më 1989-ën, Nurejevi mundi të bashkohej sërish me familjen e tij në Rusi.
Ishte i tmerrshëm dhe i bënte njerëzit të qanin. Por ata thonë edhe sesa mësuan prej tij.
Dokumentari pikturon një portret të plotë. “Duhet të shohësh pamjen e madhe”, thotë Jacqui. “Disa nga dokumentarët televizivë fokusohen tek fakti që, ishte një bastard. Që në fakt ishte. Ishte i tmerrshëm dhe i bënte njerëzit të qanin. Por njerëzit që punuan me të gjithashtu kanë thënë sa shumë mësuan prej tij.”
Dokumentari thekson besnikërinë e Nurejevit. Ai pagoi faturat e spitalit për Fonteyn-in deri në fund të jetës së saj dhe kur ajo vdiq, ai ishte i shpërqendruar. Është plot me njerëz që flasin për të me dashamirësi të thellë. “Njerëzit e afërt me të, e deshën vërtet”, thotë Davidi. “Nëse ai të besonte, do të bënte gjithçka për ty.” Hare kujton atë çka një mik perëndimor i Nurejevit tha pasi pa “Korbi i Bardhë”. “Ai tha: Oh, e keni mbërthyer në mënyrë absolute, përveç faktit se ishte mut më i madh.” Mund të qe e vërtetë në vitet e tij të fundit, por filmi ynë sillet rreth Nurejevit përpara se të bëhej krijesa, që u bë. Në secilin rast, nuk ka kuptim të ankohesh se Nurejevi ishte egoist. Sigurisht që ishte. Ai është i interesuar vetëm rreth vetes dhe baletit të tij.”
Egoizmi i tij dhe këmbëngulja ndryshuan gjithçka. Baleti përpara Nurejevit ishte i këndshëm, por i mërzitshëm. Ai i dha një injeksion në krah. Lavdia e talentit të tij dhe fuqia e personalitetit i bënë njerëzit të ëndërronin. “Baleti është fluturak. Avullon”, thotë David Morris. Nuk mendoj se do të ketë më një figurë si ai. Shpresoj që filmi ynë të ndihmojë njerëzit të kuptojnë se çfarë force e natyrës ishte ai.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.