Nga Liridon Mulaj– Para pak kohësh qytetarët e kryeqytetit “u përballën” me disa instalacione në forma njerëzore të vendosura në dy anët e urës së lumit Lana. Duke ecur me ngut, ca të ulur, ca të tjerë në këmbë, e ca të tjerë në pozicione meditimi, instalacionet duket sikur imitojnë kalimtarët në fragmente të ndryshme të ditës. Për çudi në asnjë cep apo qoshk nuk u pa një pusullë apo një tabelë e cila orientonte kalimtarët se cili ishte kuptimi i asaj vepre që kishte “populluar” një nga zonat më të rrahura nga trafiku në Tiranë. Vetëm një “QR Code” i ngjitur diku mes gjymtyrëve të hekurta të statujave, identifikonte autorin, Ergys Krisiko. Gjithçka tjetër ishte lënë në dorë të kalimtarit.
Kalimtari si publik
Një “instalacion në publik” kryesisht konceptohet si një vepër arti që vendoset në hapësira publike dhe është krijuar për të ndërvepruar me ambientin dhe publikun. Instalacionet mund të përfshijnë elemente të ndryshme si skulptura, video, zëra, drita, ose ndonjë formë tjetër arti që ndryshon mënyrën se si njerëzit e përjetojnë një hapësirë të caktuar.

Instalacionet në publik shpesh janë interaktive, duke ftuar publikun të angazhohet fizikisht ose emocionalisht me veprën. Ato mund të kenë një mesazh të thellë social, politik, apo ekologjik dhe kanë për qëllim të nxisin reflektim dhe diskutime brenda komunitetit.
Prej kohësh në Tiranë janë intstaluar disa punë artistike publike si “Zogjtë në fluturim” tek mbikalimi pranë fabrikës së miellit. Antenat satelitore mbi godinën e Universitetit Ufo në qendër. “Bukurshkrimi ” ose banka e shkollës prapa ministrisë së Ekonomisë, ku më i fundit, është instalacioni tek Ura e Lanës. Secila punë duket se qëllimisht lihet pa një titull apo orientim, në mënyrë që publiku pra ai kalimtari i përditshëm i cili po shkon në punë, kafene apo në shtëpi, ti shohë dhe ti riprodhojë si të dojë, pa asnjë afektim. Fundja ky është misioni i artit në publik, ta shndërrojë kalimtarin ndoshta krejtësisht të painteresuar në “artdashës” aktiv.
Njeriu i sotëm, njeriu prej hekuri
Edhe statujat me ngjyra të vendosura në urën e Lanës, nuk i kanë lënë indiferent qytetarët. Disa prej tyre ndalojnë me telefona në duar për të shkrepur foto dhe për ta shpërndarë atë thjesht si një gjë e re në qytet. Dikush tjetër hyn mes tyre dhe mundohet ti imitojë qëndrimet e tyre, duke e përmbysur deri diku funksionin e recepetimit nga individi te instalacioni. Ndërsa të tjerë qëndrojnë kureshtar dhe vështrojnë një për një statujat e ngjyrosura. Fundja, njeriu kjo qenie e papërsosur ende, mund ta ndryshojë kahjen qoftë dhe për hir të një argëtimi momental. Imitimi është pjesë e vetëdijes,aq më tepër kur ai grumbull metalesh përballë nesh ka formën tonë.

Nga një kërkim në rrjetin social Instagram të autorit, gjejmë një video të shkurtër të peizazhit të Urës , me statujat e instaluara ku shkruhet në anglisht : “ Metal figures, frozen in dialogue. A conversation of form, color and movement-ëhere does it lead” ( Figura metalike, të ngrira në dialog. Një bisedë formash, ngjyrash dhe lëvizjeje.- Ku na shpie ajo)
Ky shpjegim i shkurtër i autorit i lë vend asaj që individi hamëndson sapo përballet me këto figura njerëzore prej hekuri. Ftohtësia që ato transmetojnë dhe ngrirja e tyre që reflekton njeriun e heshtur të një kohë që më shumë bën zhurmë sesa prodhon fjalë dhe kuptime.

Dhe rikthehemi tek procesi i imitimit të figurave nga kalimtarët. Duke parë dhe vendosjen e statujave në pozicione të ndryshme sikur kërkohet të sëndërtohet një marrëdhëneie “shkrirjeje” mes njeriut të gjallë që rreh këmbët në atë bulevard dhe “njeriut” prej hekuri që qëndron në vend, si një shkrepje krejt fragmentare e një çasti krjetësisht tonit. Kureshtja përballë këtyre “qenieve” të ngjashme është krejtësisht legjitime. Ato përfaqësojnë veten tonë të ngrirë në një kohë që nuk ekziston më dhe që rrjedh si “lumi i Heraklitit” duke na kujtuar të shkuarën e afërt dhe të largët.
Edhe pse statujat prej hekuri janë tërë ngjyra, sërish, reflektimi dhe përballja me ta, të shpie drejt hullive të reflektimit, drejt alteregos sonë të fshehur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.