Sport

Njeriu i 12 rekordeve botërore

Për të parën herë në karrierën e tij, Mondo Duplantis theu rekordin botëror në shtëpi në “Wanda Diamond League” në Stockholm. Gjatë nxemjes përpara garës ai u pa të shkëmbente një bisedë të shkurtër me Legjendën e sprintit xhamaikan, Usain Bolt. Disa orë më vonë ai tregoi se pse është në të njëjtin nivel me Bolt si ndër atletët më të mëdhenj në histori. Duplantis e kishte thyer 11 herë rekordin përpara mitingut të shtëpisë duke fituar 4 tituj në “Diamond League”, dy medalje të arta olimpike dhe dy tituj botërorë. Ai që i mungonte ishte rekordi botëror përpara njerzve të tij në Stockholm.

Objektiv të cilin e realizoi një ditë më parë në kryeqytetin suedez që e ndihmoi edhe me kushtet klimatike (temperaturë 25 gradë në prag të mbrëmjes). Duplantis ishte në formë të jashtëzakonshme duke kërcyer më shumë se 6.15m që e kishte vendosur disa ditë më parë në Oslo. Ai arriti lartësinë 6 metra me 4 kërcimet e para në “1912 Olympic Stadium”. Pasi siguroi medaljen e artë, ai kërkoi rekordin dhe e ngriti stekën në 6.28 metra. Dhe jo për herë të parë në karrierë, Duplantis e realizoi rekordin botëror në provën e parë. Ishte rekordi i 12 botëror në karrierë dhe i 4 në “Wanda Diamond League”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë