Jete & Stil

Njerëzit kanë frikë nga ngjyrat

Nga Ingrid Fetell Lee – Shumë njerëz thonë se ngjyra e tyre e preferuar është e zeza, grija apo dhe bezha dhe mund të them pa ndrojtje se këto ngjyra mbizotërojnë në shtëpitë e shumë prej nesh.

Unë kam studiuar për 10 vite ngjyrën dhe ndikimin e saj në gjendjen tonë shpirtërore dhe gjithmonë e kam pyetur veten: Pse ekziston një hendek midis ngjyrave që na rrethojnë dhe ngjyrave që na gjallërojnë?

“Kromofobia”, ishte përgjigjja e menjëhershme që mora kur u bëra këtë pyetje Peter Stamberg dhe Paul Aferiat, arkitektët e hotelit “Saguaro Palm Springs” në Kaliforni i cili për shkak të ngjyrave që e karakterizojnë, është hoteli i tretë më i preferuar nga blogerët në botë.

Hoteli “Saguaro Palm Spring”

“Njerëzit kanë frikë nga ngjyra”, më tha Stamberg. Ai u referohej qartë njerëzve të tjerë përveç tij dhe Aferiatit, të cilët jetojnë në një ‘tempull’ të mbushur me ngjyra. Shtëpia e tyre në Nju Jork kishte pafund ngjyra. Të dy ishin të ulur në një kolltuk ngjyrë vjollcë, kishin afër 2 karrige ngjyrë të verdhë dhe nën këmbë kishin një tapet ngjyrë rozë.

“Është frika për të bërë një zgjedhje, një gabim që mund të të duhet pastaj të jetosh me të.” tha Aferiat.

Dikur unë isha një kromofobe e madhe. Kisha aq frikë nga ngjyrat sa gjithë banesa ime ishte e bardhë dhe bezhë dhe me “gjithë banesën” them dhe rafti i librave, divanet, veshjet, peshqirët, perdet dhe çdo gjë tjetër. Madje sa herë doja të blija diçka, shfletoja katalogët duke parë mobilje në ngjyra të ndryshme por gjithmonë përfundoja duke blerë një të bardhë.

Pastaj një ditë u zhvendosa në apartamentin tim të ëndrrave: një vend i vogël, një shtëpi me pamje nga një oborr i gjelbër dhe një drita e vogël. Problemi i vetëm ishin muret e bardha që për herë të parë nuk më pëlqyen pasi nuk më shkonin me pamjen që shikoja jashtë.

E leva dhe më pëlqej. Pastaj çdo ditë kisha dëshirë të shtoja ngjyra në atë shtëpi.

Pse ka kaq shumë kromofobë? Unë mendoj se është sepse ka një paragjykim kulturor ndaj ngjyrës. I shohim ngjyrat si diçka fëminore dhe kemi tendencën të cilësojmë nuancat neutrale si ngjyra “të pjekura”, që tregojnë se jemi rritur.

Ky besim na ka lënë në një ide ku ndihemi gati të turpëruar që kemi ngjyra në jetën tonë.

Unë kam kaluar dekadën e fundit duke studiuar lumturinë. Që nga fillimi, ishte e qartë se vendet dhe gjërat më të gjalla kishin të gjitha një gjë të përbashkët: ngjyra të ndritshme dhe të gjalla.

Syri i njeriut është i aftë të bëjë dallimin midis ngjyrave shumë të ndryshme. Shkencëtarët vlerësojnë se mund të shohim deri në shtatë milion hije të dallueshme. Siç rezulton, vizioni ynë i ngjyrave është një sens integral që lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën tonë.

Në fund të fundit, ngjyrat që na gjallërojnë kanë të bëjnë me rritjen e aktivitetit të trurit tonë. Për shembull, e verdha është një ngjyrë që shihet si një “agjent ndriçues”. Për shkak se është më e lehta nga të gjitha ngjyrat në gjendjen e saj të pastër, ajo ka një shkëlqim dhe ngrohtësi që e përcjell dhe tek njerëzit.

Pra, nëse dëshironi një hapësirë ​​të mbushur me energji, mund të lyeni sipërfaqet më të mëdha të shtëpisë: muret, dyshemetë apo dollapët.

Muret e errëta mund të duken të sofistikuara, por për shkak se thithin dritë, ata do të zvogëlojnë dritën që bie nëpër dhomë. Shumë dizajnerë preferojnë të fillojnë me mure të bardha, duke jua lënë mobiljeve ngjyrat. Kromofobët mund të fillojnë të përdorin ngjyrat në objekte të vogla sa për të filluar strategjinë e të larguarit të kromofobisë.  

Sipas dizenjuesve, pigmentet më të mira për krijimin e dritës janë ngjyrat fluoreshente. Është shumë për një kromofob dhe sipas përvojës sime, duhet pak praktikë që të bëhesh i sigurt me ngjyrën, veçanërisht kur bëhet fjalë për të bashkuar dy ngjyra të ndryshme apo për të përdorur fluoreshenten në shtëpi.

Dikur, kur Stamberg dhe Aferiat nuk mund të zgjidhnin një ngjyrë të përshtatshme, ato iu drejtonin një shoku tyrin që ishte piktor dhe ai ju tha që ai shikon Matisse sa herë që ka një problem me ngjyrat.

Pikturat e gjalla të Henri Matisse jo vetëm që i frymëzuan ata të zgjedhin blunë e duhur, por ata gjithashtu filluan ta përdorin këtë qasje me klientët. Kur njerëzit shohin ngjyra të theksuara që bashkëjetojnë në mënyrë perfekte në një pikturë, kjo u jep atyre besim se ata gjithashtu mund ti përdorin ngjyrat në shtëpitë e tyre.

Pikturë e Henri Matisse

Për pjesën më të madhe të jetës sime, kam menduar për zgjedhjet e mia të ngjyrave përmes asaj që të tjerët mund të thonin për mua. A do dukesha bukur me një palë këpucë të kuqe? A më shkon një fustan ngjyrë rozë? Ndoshta kjo është arsyeja pse shpesh përfundoja me mobilje të bardha dhe rroba të zeza.

Kërkimi im mbi lumturinë dhe ngjyrat më bëri të zgjedh ngjyrat jo bazuar në atë që të tjerët mendojnë për mua por në atë që ngjyrat më bëjnë të ndihem.

Ngjyrat kanë ndryshuar botën përreth meje.

*Ingrid Fetell Lee është themeluesja e blogut “Estetika e lumturisë” dhe ish-drejtoresha e dizajnit në firmën globale të inovacionit “IDEO”

Burimi: TED. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë