Libra

‘Njëkohësia’ e Lekë Tasit / Libri i parë me poezi i artistit 95 vjeçar

Nga Liridon Mulaj – “Të gjithë vërtitemi në mënyrën tonë dhe në kanalet tona të jetës por jemi pjesë e nje së tëre që na përbashkon, kjo është njëkohësia e cila përfaqëson një kohë të përbashkët brenda së cilës jetojmë”. Kështu nis shpjegimin e titullit të librit të tij me poezi Lekë Tasi, muzikant, piktor, shkrimtar dhe së fundmi edhe poet. “Njëkohësia” është libri i tij më i ri i botuar vetëm para pak ditësh nga Botime Dudaj, dhe që u promovua në ambientet e Librari “ Babel”.

“Poezia është ai faktor emocionoal, psikologjik dhe kulturor që e mbart njeriu që nga lindja  e cila rafinohet gjatë rrugës me kulturën, përjetimet dhe sigurisht leximet. Poezia është me fshehta, madje mund të them më e turpshmja, sepse ajo përbën unin më të thellë të njeriut, atë pjesë të cilën njeriut i vjen turp ta thotë në publik,  dhe që e shpreh nëpërmjet poezisë” vijon Tasi.

Lekë Tasi

Pyetjes se pse poezitë erdhën kaq vonë për lexuesin, ai i përgjigjet shkurt se ishte neglizhencë por dhe frika se sa vlejnë këto poezi.

Lekë Tasi ka lindur më 1929 në Athinë, Greqi në një familje emigrantësh shqiptarë. Ai studioi muzikë dhe punoi si violonçelist në Radio, Filarmoninë dhe në Teatrin e Operës (1946-1967). I larguar për arsye politike, u internua në Myzeqe, ku punoi në bujqësi. U lirua në vitin 1990 dhe në vitin 1991 u emërua në Sekretariatin për Çështjet e Fesë në Ministrinë e Kulturës dhe më vonë në zyrën e Kryeministrit, ku kontribuoi deri në vitin 1998.

Që në moshë të re, ai u mor me pikturë; fillimisht me grafika (akuarel, tempera, pastel, bojë kineze, flomaster) dhe më vonë pikturoi pothuajse ekskluzivisht me vaj. Edhe pse autodidakt, veprat e tij të hershme u vlerësuan nga piktorë të njohur si Mio, Buza, Zajmi dhe Paskali, me të cilët konsultohej rregullisht.

Çapaliku: Përgjegjësi të shkruash për një poet 95 vjeçar! Shllaku: Ka ditur fisnikërisht të heshtë

Shkrimtarët Stefan Çapaliku e Primo Shllaku si dhe poetja Mimoza Ahmeti ishin ndër të pranishmit të cilët diskutuan për veprën e Tasit.

“ Nuk e di kush është më e madhe, kënaqësia apo përgjegjësia të shkruash parathënien e një libri me poezi të një autori 95 vjeç si Lekë Tasi”  thotë shkrimtari Stefan Çapaliku, një mik i hershëm i Lekës , i pranishëm dhe në panelin e diskutimit .

“Ky libër ka dy dimensione , të shkruarën nëpërmjet kutjimeve dhe të ardhmen nëpërmjet ëndërrimeve. Pervoja e gjatë jetësore dhe intelektuale e Lekës, i lejon atij ti rikonceptojë poezitë e tij disa herë duke i definuar ato” thekson ai.

 Poetja Mimoza Ahmeti e cilëson poezinë e Lekë Tasit si një art i cili ka hapësirën dhe gravitetin e tij. Ku fjalët i vendos kudo ku ai dëshiron pa iu referuar një rregulli universal.

Gjithashtu dhe poeti dhe shkrimtari Primo Shllaku ngriti një pyetje ekzistenciale e cila sipas tij është pyetja që prek më së shumti njeriun përpara poetit.

“ Përpara se ta pyesim Lekën për këtë poezi apo këtë tekst, unë dua ti bëj një pyetje thelbësore. Si arriti ai të mbijetonte kur vihej në dyshim ekzistenca e tij? Asokohe përveç njerëzve të cilët kanë llomotit dhe përtej kësaj kanë bërë keq, Leka ka ditur fisnikërisht të heshtë, për ta ruajtur artin dhe veten të pa prekur” tha Shllaku.

Lekë Tasi është shembull i një artisti me pasion të palëkundur, që i ka rezistuar vështirësive politike dhe sociale për të krijuar art dhe për të kontribuar në kulturën shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë