Dosje

Një vit prove për SPAK/ Ish-zyrtarët qëndrojnë në paraburgim, por fitojnë nga mungesa e rrezikshmërisë

Ditën që ish-zëvendës ministrja e Brendshme Rovena Voda hyri në Gjykatën e Posaçme e vënë nën hetim nga SPAK, ishte e qartë se  kishte rënë në rrjetë nga përgjimet ku flitej për dhurata me peshk dhe aparate telefonash. 

Ajo u pikas nga një përgjim i pambarimtë që kishte startuar në vitin 2019 ndaj një trafikanti në vëzhgim, kur bisedonte me familjarë që gjithashtu u përgjuan edhe atëherë kur kërkonin një vend pune në ministri, siç ishte rasti i Florinda Beut.

Filli që kapi SPAK derisa shkoi tek zv-ministrja ishin komunikimet midis vajzës që priste emërimin dhe të ëmës, ku përshkruheshin dhuratat që do bëheshin dhe që pas ndjekjes u konfirmua se si zvëndës-ministrja piu kafe në Durrës e në kthim mori një arkë me peshk si dhuratë.

Ish-zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda

Kjo ishte një nga dosjet që u kuptua se SPAK, me ngritjen e qendrës së përgjimeve, ishte vënë në lëvizje dhe po kryente përgjime për afera korruptive, apo për njerëz me pushtet dhe të paprekshëm, që brenda një viti provuan prangat apo panë befas se si në derën e shtëpisë së tyre trokiti policia.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dorëhequr nga politika në muajin shtator  të këtij viti, pikërisht në kohën ku makineria e SPAK ishte vënë në lëvizje po nga politika për dosjen e inceneratorëve, gjendet për momentin në paraburgimin 313 në Tiranë.

Firma e hedhur prej tij gjatë kohës kur mbante detyrën e rëndësishme, që favorizonte kompaninë “Albtek energy” për dhënien e koncensionit për ndërtimin e inceneratorit në Elbasan, por edhe konstatimi se ishin lëshuar fatura fiktive për punime që nuk ishin kryer nga kompania tjetër në hetim, çuan në arrati edhe dy biznesmenë të tjerë.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në hetim nga SPAK për çështjen e inceneratorëve të Elbasanit

Megjithatë, Lefter Koka, ishte zyrtari më i lartë i nivelit të politikës që përfundoi në burg dhe aksionet e pasurive të tij u sekuestruan në një dosje për të cilën ka dyshime se u dekonspirua dhe nuk u hetua rrënjësisht nga SPAK.

Edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, u dënua me dy vite burgim nga Gjykata e Posaçme, por ai ndërkohë kishte bërë valixhet dhe ishte arratisur, nga një hetim që realisht kishte startuar nga një prokurori e zakonshme për fshehje të pasurisë, që iu delegua ish-Krimeve të Rënda dhe çdo veprim hetimor ndaj ish- zyrtarit për çështje kompetencash iu la më pas SPAK-ut.

Në rast se ish-Prokurori i Përgjithshëm, i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dorëzohet drejtësisë shqiptare nga pala italiane, ku dhe fshihet, ai përfundon menjëherë në burg dhe duhet të vuajë dënimin e formës së prerë.

Ish-Prokurori i Përgjithëshëm, Adrtiatik Llalla, i shpallur në kërkim

Duke tentuar të gërmojë në tenderët dhe aferat me to, SPAK zbuloi se me uniformat e policisë së shtetit, ishte  abuzuar jo vetëm duke shkelur rregullat e tenderëve, por njëherazi, duke mos dorëzuar veshje cilësore për policinë. Me një kosto prej 2.8 miliardë lekë, pritshmëritë për këtë hetim ishin të larta pas valës së parë të arrestimeve, por në krye të pak muajve dhe me shpejtësi, SPAK mbylli hetimet, duke ua lënë përgjegjësinë vetëm anëtarëve të vlerësimit të ofertave dhe nëpunësve të thjeshtë, si dhe vetëm një zyrtareje të nivelit të lartë, drejtoreshës së Prokurimeve, Edlira Naqellari.

Për çudi, edhe ajo u dorëhoq nga posti pak javë përpara se të arrestohej, në kohën kur supozohej se hetimi duhet të ishte sekret dhe i pa dekonspiruar. Kur SPAK nuk shkoi më lart për skandalin e 2.8 miliardë lekë, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për dënime minimale ndaj ish-zyrtarëve të nivelit të ulët, duke ulur një të tretën e dënimit e duke dhënë një vit burgim për Naqellarin, që nëse llogaritet koha kur u mbajt në paraburgim (që prej 10 qershorit), për çështje javësh ajo del në liri.

Ish-drejtoreha e Blerjeve në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e dënuar nga SPAK me 1 vit burg për korrupsion në tenderin e uniformave

Ashtu si Naqellari, edhe të tjerët morën dënime të të njëjtit nivel mes tyre, edhe dënime me shërbim prove dhe pezullim dënimi, si dhe heqje të drejtës për t’u angazhuar në funksione publike për pesë vitet e ardhshme.

Njëherazi, kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushes, hetimi i SPAK i kushtoi jo vetëm vendin e punës, pasi ai u shkarkua menjëherë pas operacionit policor, por edhe lirinë. Ai pret mbylljen e hetimeve në paraburgim, ku iu bashkua edhe nën kryetari i bashkisë (Gentian Nushi), që të dy të dyshuar me vartësit dhe ish- drejtorë të ndërmarrjes për spekulimet me tenderin e një kanali vaditës.

Në përpjekjet për të treguar se ish-kryebashkiaku influenconte me pozitën që mbante, SPAK kujtoi gjatë masës së sigurisë me kërkesën për burg, se zyrtari shprehej në telefon, duke ndikuar tek një qytetar, i cili pasi i kërkoi ndihmë, i tha: “Thuaji që fole me mua”.

Ishkryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, nën hetim nga SPAK për tenderin e një kanali vaditës

Në një rast të dytë, telefonatat e nxjerrin zbuluar, kur Tushe flet në telefon vetëm e vetëm që e bija studente në Tiranë të merrte notë të mirë. Për tenderët, përfundoi në qeli edhe ish-drejtori i përgjithshëm i RTSH-ë, Thoma Gëllçi, i cili disa herë ka kërkuar lirinë për shkaqe shëndetësore, por gjykata ia ka refuzuar kërkesën.

Edhe njerëzit e drejtësisë patën orë të vështira gjatë vitit 2021 nga SPAK, duke nisur nga Enkeleida Hoxha, avokati Tabaku dhe të tjerë që interesoheshin të përfitonin vendime lirie nga burgu kundrejt parave. Enkelejda Hoxha u fotografua hap pas hapi dhe SPAK përdori intimitetin mes gjyqtares dhe avokatit për të bindur Gjykatën e Posaçme se ky i fundit ishte ndërmjetësi me palën tjetër që mbahej në burg.

Në përfundim, Enkelejda Hoxha u dënua me 3 vite e gjashtë muaj burgim dhe avokati Tabaku me katër vite. Të tjerët që u shpallën fajtorë, mes tyre ish-sekretarja e gjykatës dhe të dënuar apo të afërm të tyre, morën vendime fajësie dhe dënime me nga dy vite burgim.

Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, e dënuar me akuzën e lirimit të të burgosurve “të fortë” kundrejt ryshfetit

Megjithatë edhe në këtë hetim u veçua çështja për një tjetër të dyshuar që u shfaq në përgjime dhe konkretisht për mjekun Edvin Prifti, emri i të cilit përmendet në kohën kur sekretarja e gjykatës po përgjohej për korrupsionin në Gjykatën e Krujës dhe ndërkohë ajo u interesua për një ndërhyrje kirurgjikale në shtet dhe për këtë “nder”, ajo thotë në telefon se pagoi mjekun.

Doktorit të njohur iu zbuluan afro 250 mijë euro cash në banesë dhe në zyrë, dhe ndaj tyre u vendos sekuestro. Dosja ndaj tij është veçuar dhe mjeku është në gjendje të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë