Ngjarje

Një vit pas tërmetit, dhjetëra familje në çadra dhe pa përkrahje

Familja Ajazi është një prej atyre, të cilën tërmeti i 26 nëntorit e dëmtoi rëndë. Banorë të fshatit Bubq në zonën e Krujës, sot, një vit pas tërmetit, vijojnë të jenë pa shtëpi e të jetojnë në çadër, ndërkohë që nuk marrin asnjë lloj ndihme nga institucionet shtetërore e më tutje.

“Vazhdojmë të flemë ende në çadër. Kam kërkuar të më ndihmojnë, por askush nuk ka bërë asgjë. Unë nuk përfitova asnjë lloj ndihme as pas dëmtimeve të tërmetit të 21 shtatorit dhe as pas tërmetit të 26 nëntorit”, shprehet për gazetën “Si”, Halil M. Ajazi, bashkëshort dhe baba i tri fëmijëve.

“Ne kemi qenë katër vëllezër në një çati këtu në Kodër-Bubq të Durrësit dhe asnjëri prej nesh nuk ka përfituar asgjë”, vijon Ajazi.

Ai komenton se jeta e tyre është e vështirë përtej çdo imagjinate: “Televizor jo, lavatriçe jo. Kemi një vit që jetojmë pesë vetë në një çadër, si qeni”.

Ajazi ankohet se përveç kësaj nuk kanë marrë as përkrahje sociale dhe në familje janë të gjithë të papunë e pa asnjë të ardhur financiare.

“Jemi pesë vetë: tre fëmijë (24, 18 dhe 13 vjeç) dhe unë me nusen. Kemi kërkuar edhe punë, por ende asgjë. Kam ngel kush më çel derën sonte. Nuk kanë pyetur as nëse jemi të vdekur, apo të gjallë. Gjashtë muajt e parë na sollën pak ushqime dhe ndonjë batanije. Tani, kemi gjashtë muaj pa asnjë lloj ndihme”.

Ajazi shpjegon se shtëpia e tij dhe ajo e dy-tre familjeve të tjera ishte ajo që u dëmtua më tepër, por nëse familjet e tjera kanë marrë të paktën përkrahje sociale, ai nuk ka marrë as këtë të fundit.

“Nuk di si pse, por me thënë të drejtën nuk pata përkrahje sociale. Shkova dhe kërkova, por asgjë. Administratori i Bubqit është ndërruar e nuk japin më përkrahje sociale, se i kanë regjistruar ata që përfitojë dhe nuk regjistrojmë më, më thanë”.

Tërësisht i pashpresë se gjërat mund të ndryshojnë Ajazi thotë se këto ditët e fundit kanë qenë të vështira, edhe për shkak se temperaturat kanë filluar të ulen.

“Tani fillojnë temperaturat me minus. A rrihet në çadër? Kam me vdek’ në çadër”, përfundon ai.

Por familja e Halil Ajazit nuk është e vetmja që jeton në çadër në Bubq. Ashtu si ai, edhe disa familje të tjera duhet të përballojnë kushtet e këqija dhe ndryshimet e motit, pa pasur një strehë mbi krye, edhe një vit pas tërmetit.

Kjo zonë pësoi dëme të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit, ku shumë shtëpi u shpallën të pabanueshme dhe dhjetëra banorë jetojnë nëpër çadra në oborret e të afërmve të tyre.

Nuk janë të paktë edhe ata që janë në pritje të bonusit të qirasë dhe nuk duan të largohen nga zona, pasi sigurojnë jetesën e tyre me anë të blegtorisë.

Në gjendje të ngjashme janë edhe familje të tjera në zona të ndryshme të vendit, që u prekën nga tërmeti, si: në zonën e Kurbinit në Laç, në Ishëm apo në Manzë etj.

Në Manzë, një grua e moshuar jeton që prej një viti me djalin, nusen dhe nipin e vogël në një çadër në oborrin e shtëpisë së shkatërruar në Manzë, ndërsa ndihma e vetme që kanë marrë së fundi është ajo ushqimore dhe disa veshje nga një organizatë private.

Nuk është më shpresëdhënëse as situate për banorët e strehuar në kontenierë në këtë zonë. Një vit pas tërmetit, këto familje janë fare pa shpresë se situate mund të ndryshojë dhe pa asnjë besim te strukturat shtetërore.

“Vazhdojmë të jetojmë si mos më keq. Nuk ka ndryshuar asnjë gjë. As rindërtim, asgjë. Nuk na kanë dhënë as ndihma. Edhe ato pak ndihma ushqimore që na jepnin i kanë ndërprerë komplet. Këto ndihma i merr Bashkia dhe i shpërndan në vende të tjera. Nuk po bëhet asgjë”, shprehet ajo për gazetën “Si”.

Me të drejtë, Allçi ngre një problem, që sipas saj duhet t’i ndërgjegjësojë më tepër strukturat shtetërore për t’i dhënë një lloj zgjidhjeje: situatën e pandemisë.

“Ne jemi shumë familje që jetojmë bashkë në kontenierë. Këtu nuk ka kushte higjienike, nuk kemi pasur as maska, asgjë. Vetëm disa ditë më parë, një grua e vjetër u prek nga COVID dhe u sëmur. Kushedi sa të tjerë mund të sëmuren e nuk ka asnjë lloj mase parandaluese e as kushtet më minimale për t’u mbrojtur dhe për përkujdesje. Por, tani që është situate e COVID, rroftë sebepi edhe për qeverinë. Një gjë është e qartë: askush nuk do t’ia dijë për ne. Njerëzit këtu nuk kanë më besim te askush”, përfundon ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë