Njerez

Një vit pa Maradonën! Gjeniu sipas Papa Françeskut, Makronit dhe shumë VIP-ave të tjerë

I dashur dhe i shumëpërfolur, por i paharrueshëm. Bëhet sot nj vit pa gjeniun e futbollit, Maradonën. Nga Riva dhe Sorrentino, nga Makron te Nino D’Anxelo… Diego Armando Maradona sipas VIP-ave, që e kanë shenjtëruar ish-yllin argjentinas.

Një vit pa Maradonën dhe një vit me Maradonën. Sepse çdokush ka një Maradonë të vetin, një ikonë, një kujtim, një gol të stampuar në mendje, një buzëqeshje. Dikush i bën bashkë këto gjëra për të plotësuar personazhin, siç bëjnë detektivët për indicjet e një krimi. Por jo në këtë rast, sepse askush nuk ka bashkuar dhe ndarë si Maradona. Vitin e fundit kanë folur të gjithë. Ja si shprehen personazhet e njohur për argjentinasin:

Paolo Sorrentino (regjisor, shkrimtar) — “Maradona është një botë më vete. Ishte një gjeni dhe siç shkruante Vinçenco Çerami: gjeniu bën ç’të dojë”.

Maradona me Argjentinën e 1986-ës. Gazeta Si, 25 nëntor 2021

Hektor Enrike (ish-shok dhe mik i argjentinasit) — “Ishte personi më i thjeshtë dhe më fisnik që kam njohur në jetë. Kam qenë dëshmitar i Diegos djalosh, që ishte më i bukuri nga të gjithë; i Diegos shok, një njeri i përulur; i Diegos mik, i pathyeshëm si hekuri; i Diegos që shkonte kundër fuqisë, një luan; i Diegos futbollist, një gjeni; dhe i Diegos trajner, një i apasionuar”.

Nino D’Anxhelo (këngëtar dhe tifoz i Napolit) — “Diego ka qenë një nga personat më të përulur që kam njohur dhe ndoshta kjo përulësi ishte edhe drama e tij, sepse ai donte të ishte normal, por nuk mund të ishte”.

Horge Burruçaga (ish-shok skuadretek Argjentina) — “Jashtë fushës ka pasur jetën që të gjithë e dini. Mendoja se ishte i pavdekshëm. Ka pasur shumë disaventura, shumë momente kritike, por çdo herë ia ka dalë me një magji, me një driblim të pamundur. Siç bënte kur luante. Këtë herë mrekullia nuk u përsërit”.

Maradona dhe Papa Françesku. Gazeta Si, 25 nëntor 2021

Papa Françesku — “Në fushë ishte një poet, një kampion i madh që u ka falur kënaqësi mijëra njerëzve, në Argjentinë dhe Napoli. Ishte edhe një njeri i brishtë. Kam një kujtim personal lidhur me Botërorin e 1986, që Argjentina e fitoi falë Maradonës. Isha në Frankfurt dhe ishte një moment i vështirë për mua, po studioja gjuhën dhe po mblidhja material për tezën time. Nuk munda ta shihja finalen dhe një ditë më pas mësova për fitoren e Argjentinës ndaj Gjermanisë, kur një vajzë japoneze shkroi në dërrasë “Rroftë Argjentina” gjatë një leksioni gjermanishte. E kujtoj personalisht si fitoren e vetmisë, sepse nuk kisha askënd për të ndarë gëzimin e asaj fitoreje sportive. Ajo që e bën të bukur gëzimin është kur e ndan me të tjerët. Kur më thanë për vdekjen e Maradonës, u luta për të dhe i dërgova familjes një gjerdan rruazash me disa fjalë dedikuar.”

Daniel Penak (shkrimtar) — “Nuk e ndjek futbollin, por e kam dashur Maradonën për aftësinë për të bërë poezi me anë të vallëzimit të trupit kur ishte në fushë dhe për disa shkëndija poetike në deklaratat e tij më spontane”.

Zllatan Ibrahimoviç (futbollist) — “Maradona është më i forti i të gjitha kohërave. Po, ai ishte më i fortë edhe se mua”.

Otavio Bianki (trajner i Maradonës te Napoli) — “Nuk ishte e vështirë të administroje Diegon. Më e komplikuar është të merresh me atë që beson se është Maradona, por që nuk është”.

Maradona dhe Bianki. Gazeta Si, 25 nëntor 2021

Xhixhi Riva (ish-futbollist) — “Një mik është një njeri i vërtetë. Sa herë që shiheshim, ishte diçka speciale. Kishim shumë ngjashmëri. Na bashkonte dashuria për atë që ndjenim për njerëzit tanë”.

Emanuel Makron (president i Francës) — “Shfaqjet e tij me Fidel Kastron dhe Hugo Çavezin kishin shijen e humbjes së hidhur: në fushat e lojës Maradona bëri revolucionin”.

Sinisha Mihajloviç (trajner) — “Një ditë me djemtë e skuadrës pamë një pjesë për Maradonën: jo fintet e tij, por rikuperimet, ndërhyrjet dhe sparkatat. Ishte i përulur dhe kur i bënte ai, pse nuk duhet t’i bëjmë ne të gjithë këtu?”

Ziko (ish-futbollist i Brazilit — “Duke qeshur më thoshte gjithmonë se unë isha pjesa e mirë e futbollit, kurse ai e keqja”.

Antonio Kabrini (ish-futbollist i Italisë) — “Një legjendë e gjallë dhe një kundërshtar zotëri, që si shumë lojtarë të tjerë të mëdhenj ka dhënë në të njëjtën kohë më të mirën dhe më të keqen. Te Juventusi ambienti do ta kishte shpëtuar, jo klubi, por vetëm ambienti. Dashuria e Napolit ishte e madhe dhe autentike, por edhe e sëmurë”.

Emir Kushturica (regjisor dhe muzikant) – “Bill Klintonit ia përplasi në sy. Ishte koha kur nuk Maradona nuk pranohej në Amerikë. Një herë presidenti erdhi në Buenos Aires dhe donte ta takonte, por ai i tha: pse duhet të të takoj, kur ju nuk më lejoni në vendin tuaj”.

Goli legjendar me dorë i Maradonës ndaj Shilton. Gazeta Si, 25 nëntor 2021

Piter Shilton (ish-portier i Anglisë) — “Më i madhi, por mua nuk më kërkoi kurrë falje”.
Kristina Sinagra (ish-e fejuara) — “Mbiemri i tij edhe sot më thotë pak gjëra, për mua ishte dhe mbetet Diego. Ëmbëlsia, spontaniteti, zemërgjerësia. Gjatë viteve është dëmtuar shumë dhe besoj nuk ishte më i lumtur. Deshi të vetëshkatërrohej, gjithmonë duke luftuar me ndjenjën e fajit. Por nëse dikush do t’i kërkonte ndihmë, nuk do të tërhiqej kurrë prapa”.

Mario Kempes (ish-sulmues i Argjentinës) — “Maradona nuk është mbrojtur dhe ai nuk ishte në gjendje të mbrohej vetë. Nuk pati fëmijëri, sepse që 16-17 vjeç ishte i famshëm dhe aty u formua personaliteti i tij. Ishte i lumtur vetëm në fushë, pa gazetarë apo njerëz që e asfiksonin, pa autografë dhe foto. Sapo dilte nga stadiumi, hynte në burg, sepse as që mund të ecte, duhej të mbyllej”.

Mishel Platini (ish-futbollist i Francës dhe ish-president i UEFA-s) — “Napoli një moment më kërkonte. Mes meje dhe Diegos, kush do ta merrte 10-ën? Ai ishte në shtëpinë e tij dhe duhej t’ia lija. Unë do të merrja një tjetër, ndoshta 20-ën, që vlen dyfish”.

Maradona, Pele dhe Platini. Gazeta Si, 25 nëntor 2021

Horge Valdano (ish-futbollist i Argjentinës) — “Gjenitë nuk maten se si kanë jetuar, por për veprën e tyre dhe vepra e Maradonës është unike”.

Sven Goran Erikson (ish-trajner) — “Pas gjysmë ore erdhi drejt meje Karobi i dëshpëruar: ‘Mister, çfarë duhet të bëj për të markuar Maradonën?’. Unë e pashë dhe iu përgjigja: ‘Nuk e di, nuk e kam idenë”.

Roberto Saviano (shkrimtar) — “Diego nuk tradhëton kurrë, nuk ndërron kurrë fanellë, mbi të gjitha nuk e vesh kurrë atë të Juventusit. Diego për Napolin është kompensimi për gjithçka që Napoli nuk e ka pasur. Sepse Diego, edhe pse ishte një person afër personazheve të korruptuar dhe ambienteve të tmerrshme, në fushë ruante rregullin e kënaqësisë së lojës. Napoli gjente veten në atë rregull dhe në dëshirën e tij për lumturinë. Në bujarinë e tij. Vetëm në Napoli mund të ndodhte kjo gjë”.

Roberto Mançini (trajner i Italisë) — “Një si Maradona do të bënte të paktën 1000 gola. Nuk kishte VAR, arbitrat nuk i mbronin lojtarët. Më teknikët si ne masakroheshin gjithë kohën”.

Jo Nesbo (shkrimtar norvegjez)— “Kur isha në Argjentinë më goditi kulti për katër persona në atë vend: Eva Peron, Çe Guevara, Karlos Gardel dhe Maradona. Nëse nuk ke qenë në Argjentinë, nuk mund ta kuptosh këtë gjë, që është përtej një feje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë