Art dhe Kulture

Një vit pa Kujtim Prodanin, artistin që i këndoi dashurisë, Tiranës dhe jetës

Askush nuk ta mësoi si thyhet befas jeta

Ditënatën ta jetosh në grimca pafundësie…

Më 29 prill të 2020-s, kohë kur sapo ishim përfshirë nga pandemia, këngëtari Kujtim Prodani erdhi me këngën “Ju flet korona”, një këngë që pasqyronte dukshëm melankolinë e njeriut, trishtimin, ndërsa ndihej mungesa e ecejakeve, rrugicave të qytetit, e pemëve, e natyrës si dhe e zhurmave të bezdisshme.

Vetëm disa muaj më vonë, në janar të 2021, ishte Corona, që ai vetë e konsideronte si flamë, e cila i mori jetën kantautorit. Sot mbushet një vit nga ndarja e jetës së këngëtarit që vec Koronës dhe vargjeve të kënduara për miqtë që ikën, ishte edhe ai që i ka kënduar dashurisë, Tiranës e jetës.

Edhe pas një viti, miqtë ende nuk e besojnë ikjen e tij të beftë.

“Sa shpejt ditët nxituan këtë vit sikur duan të thonë, koha ka mbetur aty në ëndrrat e dëshirat e tua me duart mbi piano duke luajtur këngën e radhës”, shkruan këngëtari Ardian Trebicka në rrjetin e tij social.

Ndërsa pianisti Andi Kongo shkruan për mikun e tij: “1 një vit pa ty Kujtim! Na mungon shumë o mik!!!”

“Je vërtet nga Tirana, miku im i nderuar…! U prehsh në paqe përgjithmonë…!”, e kujton pianistja Etrita Ibrahimi, ndërsa ka shpërndarë këngën e të ndjerit Prodani “I’m from Tirana”.

Artisti i njohur, Kujtim Prodani, humbi betejën me Covid-19 në moshën 57-vjeçare.

Atë kohë, lajmin e infektimit ai do ta jepte vetë, ku nga shtrati i spitalit me maskë oksigjeni shkruante se kjo flamë kishte marrë shumë miq.

“Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe!”, shkruante kantautori.

Kujtim Prodani ka një karrierë të gjatë muzikore. Në nëntor 2003, ai mori pjesë në Kënga Magjike 2003 dhe që prej atëherë aktiviteti i tij artistik nuk është ndaluar për asnjë çast.

Në dhjetor 2018, Kujtim Prodani merr pjesë në Festivalin e 57-të në RTSH me këngën “Babela”.

Prodani do të rikthehej pas shtatë vitesh mungesë me një baladë pop me karakter narrativ, me muzikë nga vetë ai dhe me tekst të Agim Xhekës, të titulluar “Babela”.

“Kush nuk ka ngacmuar shoqen e bankës në klasë të tetë, nuk ka kuptuar asgjë nga tetëvjeçarja”, do ta përshkruante kantautori mesazhin e këngës.

Më datë 25 maj 2019, Kujtim Prodani publikoi videoklipin “Mikesha”.

Më 31 tetor 2019, Kujtim Prodani publikoi videoklipin “Xhelozia”, në bashkëpunim me Sajmir Çilin.

Në vitin 2020, Kujtim Prodani publikon albumin “Prodan”, ndërsa në shkurt 2020, Kujtim Prodani publikoi videoklipin “Hej mik”.

Prodani është djali i artistëve të mirënjohur, Anita Take dhe Agim Prodani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë