Njerez

Një vit nga shembja… një protestues bën tatuazh Teatrin në dorën e tij

Ka kaluar një vit që nga koha kur godina e Teatrit Kombëtar u shndërrua në një grumbull rrënojash, duke i dhënë fund një beteje që pati vijuar prej dy vjetësh e gjysmë.

Në orët e para të mëngjesit, si sot para një viti, nisi shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, i konsideruar si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Europiane nga Forumi “Europa Nostra” dhe një nga 7 objektet e rrezikuara të marra në mbrojtje prej tij.

Qytetarë të Tiranës dhe artistë të shumtë do të protestonin ashpër kundër shembjes dhe u përplasën me forcat policore, por gjithçka rezultoi pa efekt.

Teatri u shemb e me shembjen e tij u “thyen” edhe shumë kujtime e histori.

Sot, në njëvjetorin e shembjes së godinës së Teatrit, një nga protestuesit ka vendosur të bëjë tatuazh objektin e teatrit në dorën e tij.

Këtë fotografi e ka shpërndarë shkrimtarja Flutura Açka e cila ka risjellë edhe njëherë në vëmendje dhimbjen që i ka shkaktuar ky rast.

Ndërkohë nga shoqëria civile është organizuar një ceremoni pikërisht në vendin ku ndodhej godina e Teatrit Kombëtar, të cilët vunë theksin te demonstrimi i forcës nga ana e shtetit për të arritur qëllimin e prishjes në një kohë shumë të shkurtër.

“Ajo që mund të them është se historia e Teatrit përveç kleçkave ligjore tregon edhe në njëfarë mënyre mentalitetin e qeverisjes sepse po të kemi parasysh historinë kaloi ligji në parlament e ktheu presidenti, pastaj e rrëzuan poshtë me dekret u kthye poshtë mbrapshtë, etj, pra në gjithë këtë historik shikohet se si shteti e kishte ndarë mendjen, që këtu do prishej dhe përdori të gjitha mjetet për të arritur qëllimin dhe në një kohë të shkurtër ishte një demonstrim force dhe ky demonstrim force solli këtë pasojë”, tha njëri prej aktivistëve.

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, në një postim në rrjetet sociale, kur ka kaluar një vit pa godinën e Teatrit Kombëtar, shprehen se janë më pranë Teatrit.

“Deri tani, ne, qëndrestarët e fundit, me mallin e papërshkrueshëm për Teatrin dhe me Teatrin më shumë se asnjëherë tjetër brenda vetes sonë, e kemi mbajtur me thonj atë copë trualli të zhuritur, që poshtërsia të mos hapë gropën e madhe për hedhjen e themeleve të ngrehinave – përbindësha si konsolidim i së keqes. Dhe lufta do të vazhdojë të bëhet më e egër, ndoshta do të jemi edhe më të vetëm. Por gjithmonë me hirin e shenjtë të Teatrit përmbi ne, me thirrjen e tij për t’u ringritur, krejt aty dhe ashtu siç e prekëm, e jetuam e morëm frymë së bashku nga fryma e tij”, shkruan Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Si u arrit te vendimi i shembjes

Qeveria e transferoi tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë, me anë të një vendimi të marrë më 8 maj 2020 dhe të botuar brenda të njëjtës ditë në Fletoren Zyrtare.

Përpara vendimit, 5 522 metra katrorë të godinës së teatrit dhe të oborrit të tij ishin në pronësi të Ministrisë së Kulturës.

Qeveria do të deklaronte se teatri i ri do të ndërtohej me fondet e buxhetit, dhe për të do të përdorej projekti i arkitektit Bjarke Ingels.

Pasi e mori në pronësi, Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk priti gjatë dhe mori vendimin për shembjen e godinës së Teatrit.

Edhe pse mënyra e marrjes së vendimit u cilësua jotransparente, Bashkia deklaroi se Teatri do të shembej bazuar në akt-ekspertimin e Institutit të Ndërtimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë