U bë një viti që kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë. Ata po akuzohen për krime të luftës.
Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës, të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.
Ky proces po cilësohet si “Sui Generis”, i paprecedent nga nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Një proces i tillë sipas Çitakut do të ishte i pa imagjinueshëm në SHBA apo vende tjera demokratik.
“Ka më shumë se një vit që kur është publikuar qëllimi për ngritjen e aktakuzës e tani bëhen një vit nga paraburgimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ne ende nuk kemi aktakuzë të publikuar, procesi gjyqësorë ende nuk ka filluar, një gjë e tillë do të ishte e pa imagjinueshme në SHBA apo në ndonjë vend demokratik, Evropë apo kudo tjetër çfarë po ndodh me këtë proces është tërësisht Sui Generis, diçka që është e paprecedent në proceset e drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë Çitaku për Insajderin.
Ajo është shprehur e bindur që Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi do të kthehen faqebardhë në Kosovë, edhe pse ky proces po vonohet.
“Çdo ditë e më shumë prokuroria po dëshmon që nuk ka rast jo vetëm kundër Thaçit e Veselit, por as kundër Krasniqit e Selimit sepse po të kishim ky proces do të kishte filluar ndërkohë që hetimet për ta kanë vazhduar edhe pas arrestimit e ende nuk kemi asgjë. Unë jam e bindur që ky proces do të përfundojë, fatkeqësisht po vonohet por jam e bindur që do të përfundojë dhe jam e bindur se ata do të kthehen në Kosovë faqebardhë”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.