Nga Gazeta “SI”- Tirana e fundvitit, në fakt, nuk ngjan si e tillë. Edhe pse e ndriçuar nga dritat shumëngjyrëshe, (pa asnjë kriter estetik) atmosfera e festave nuk ndihet plotësisht. Sheshi Skënderbej, i mbushur me kioska kafenesh, ndriçime dekorative dhe pemën simbolike në qendër të tij, mbetet një fotokopje e viteve të fundit, por me një ndryshim thelbësor: njerëzit janë më të rrallë dhe shpesh ngjajnë të sforcuar. Sikur dikush i ka detyruar të dalin për të festuar, ose sikur ndihen borxhlinj ndaj një kohe që kërkon patjetër gëzim.
Zakonisht, këto ditë të fundit janë ditë bilancesh. Çfarë arrite brenda një viti? A u ngrite në detyrë? A krijove miq të rinj? A humbe ndonjë nga ata të vjetrit, të cilët, përtej dashurisë dhe devocionit ndaj miqësisë, përfundon gjithmonë duke i humbur, herët a vonë. Çështje parimesh apo çështje numrash. Sot, të kesh shumë miq është thuajse utopi.
Gjithçka në këtë vend ndryshon përditë, si në një skenë gjigante xhirimesh, ku aktorët e sotëm nuk janë domosdoshmërisht ata të nesërmit dhe kjo ndodh vetëm në marrëdhëniet njerëzore, në mikro pra. Llogaritë bëhen afatshkurtra, të shpejta, dhe kjo sjell mendjelehtësinë e marrëdhënieve të destinuara të mos zgjasin, edhe kur duhet. Tirana, në këtë pikë, mbetet terreni më i vështirë për krijimin e miqësive të reja, por njëkohësisht vendi perfekt që të detyron të humbasësh ata që kishe, me çdo kusht dhe çdo mënyrë. Gjithsesi, pesimizmi duhet të jetë i dyanshëm; askush nuk mund ta mbajë gjithçka për vete.

Emigrantët këtë vit kanë zgjedhur të mos vijnë. Festat nuk janë më interesante në atdhe. Çdo vit e më shumë janë shqiptarët që u bashkohen të afërmve jashtë, shpesh edhe përgjithmonë. Koncepti i emigrantit ka ndryshuar, po ashtu edhe qasja ndaj vendit. Atdheu, gjithnjë e më pak, përfaqëson sensin e rikthimit në shtëpi. Fundja, shtëpia është aty ku ndihesh i pranuar dhe, gjithnjë e më rrallë, i lumtur.
Shkaktarët? Politika, agresiviteti, polarizimi dhe fytyra e tyre më e shëmtuar, e shfaqur hapur këtë fundvit. Një shtet i zhytur në korrupsion, një opozitë e mefshtë dhe meskine, dhe disa të tjerë që kanë vendosur karriget para Kryeministrisë dhe protestojnë.
Dritat e hedhura si një vel i rëndë mbi fasadat e qytetit shkaktojnë një dhimbje të çuditshme, por çliruese. Është një ndjesi që nuk kërkon shpjegim. Fundviti është koha kur vetmia thellohet dhe merr formën e saj më të admirueshme. Paradoksalisht, kjo vetmi të dhuron paqe — një paqe që nuk e gjen kurrë në shoqërinë e të tjerëve. Ështe momenti kur përputhesh plotësisht me mendimet e tua, pa pasur nevojë t’i zbukurosh apo t’i justifikosh.

Ky fundvit në Tiranë, si të tjerët, mban ende jehonën e kohës së komunizmit, si e vetmja festë vërtet përbashkuese. Përkundër halleve, mungesave dhe bjerrjes së përditshme që rëndojnë mbi njerëzit gjatë gjithë vitit, këto ditë prodhojnë një përpjekje kolektive për gëzim dhe mirënjohje. Një përpjekje e sforcuar, por gjithsesi e sinqertë në mjerimin e saj. Panorama që krijohet është mbresëlënëse në groteskun e vet , një tragjikomedi masive, ku në rol është një qytet i tërë.
Edhe pse asnjë qoshk i qytetit nuk të lejon të ndihesh pjesë e një historie të shkuar, apo dëshmitar i një periudhe jo domosdoshmërisht të lavdishme, por të paktën të vërtetë. Çdo gjurmë është fshirë. Snobizmi dhe lakmia e kanë shndërruar gjithçka në luks dhe nevojë artificiale, duke përjashtuar sistematikisht ata që nuk janë dakord, ata që nuk përshtaten, ata që nuk e pranojnë këtë ritëm të imponuar shndërrimi , njerëz që meritojnë një hapësirë të tyre dhe një jetë dinjitoze. Jo si privilegj, por si domosdoshmëri humane.

Dhe nuk gjen asnjë arsye për të qenë i lumtur në këtë vend. Madje shpesh habitem sesi njerëzit mbushin kafenetë plot; i shikon duke qeshur nga brenda qelqeve, të rehatuar mbi karrige. Pyes veten si është e mundur të jesh kaq i lumtur në një vend që nuk të jep asnjë arsye për ta qenë, madje as në ditë festash, kur njeriu ndalon hapin dhe mendon për veten.
Ndoshta është apatia e shoqërisë, ndoshta lodhja nga një vegjetim i gjatë dhe pa rezultat. I shoh pra këto njerëz dhe më vjen inat ; herë ata, herë vetja ime më dhimben.
Tirana nuk është më vendi i festave. Pavarësisht koncerteve, festave kolektive dhe trumpetave të rrjeteve sociale që pretendojnë gjallëri, unë besoj se nuk jemi më të njëjtët. Të lodhur nga tranzicioni i pafundmë dhe të mpirë nga diskurset publike për miliona të vjedhura, njeriu nis të besojë se jeton në një botë paralele, që nuk i përket, dhe humb aftësinë për të dalluar realitetin nga absurdi.
Si mund ta besosh se janë vjedhur miliona euro në një shtet ku pensionistët paguhen 200 mijë lekë të vjetra në muaj, ku paga minimale është ende 400 mijë lekë dhe qiratë nisin nga 400 euro e lart? Diku ka një rregull të prishur dhe një mendje që nuk arrin të rregullojë algoritmet e jetesës normale.
Dhe pastaj habitemi pse të rinjtë vishen keq, pse prindërit tanë nuk kanë bërë kurrë pushime, pse ne mbijetojmë mes frikërave dhe dramave të përditshme, të cilat tashmë janë kthyer në një akt sakrifice rutinë.

Nuk dua ta nxij realitetin. Madje shpesh jam përpjekur ta shoh me ngjyra dhe t’i shtoj ato edhe aty ku gjithçka ka qenë bardh e zi. E bëjmë për të gjetur forcën që nuk na e jep askush tjetër. Por në këtë qytet, këtë fundvit, nuk ka asnjë arsye për të qenë i lumtur, as për atë që shkoi, as për atë që do të vijë.
Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet. Fitoi një parti dhe të tjerat e pranuan rezultatin me përulësi. Jeta do të vazhdojë edhe atje, me sfida e vështirësi, por njerëzit kanë ndjesinë se ditët do të jenë më të mira, se e ardhmja u rezervon diçka më të drejtë, duke pasur parasysh të shkuarën. Një jetë politike që në njëfarë mënyre prodhon shpresë.
Po ne? Tashmë që maska e shtetit ka rënë dhe argumentet e dështimit nuk ekzistojnë më, për çfarë na duhet ta presim dhe të gëzojmë për vitin e ardhshëm? Sa forcë duhet të kemi për ta përballuar?
Që të shohim përsëri njerëzit tanë duke ikur çdo ditë? Që paga minimale të trumbetohet si arritje? Që të kursejmë gjashtë muaj për dy ditë pushime? Dhe në fund, të sillemi sikur asgjë nuk ka ndodhur, duke u shfaqur të lumtur në rrjetet sociale , hapësira e vetme ku lumturia është e ngrirë dhe e përjetshme.

Gjithsesi jemi në fundvit. Rrugët janë të ndriçuara, restorantet plot, ka njerëz që festojnë. Nisur nga kjo, ka një mijë arsye për të festuar, por as edhe një të vetme për të qenë i lumtur. Prej kohësh, ndërrimi i viteve nuk sjell asgjë të re. Thjesht riciklon dramat, betejat dhe sherret politike, duke mbajtur të pandryshuara pensionet fyese dhe pagat denigruese.
Asgjë e re, pra, nën këtë qiell e mbi këtë tokë. Vetëm sa përsërisim veten dhe i shtojmë kalendarit numra, që në realitet nuk sjellin asgjë të re e për rrjedhojë as edhe një shpresë për nesër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




