Ne rrjet

Një video-‘skandal’ i dyshuar seksual po trondit politikën hungareze!

Lideri kryesor i opozitës, i cili thuhet se shfaqet në pamjet filmike, akuzon qeverinë e Viktor Orbán se kërkon ta diskreditojë

Gazeta Si – Péter Magyar, eurodeputet dhe udhëheqës i partisë kryesore opozitare të Hungarisë, Tisza (Partia e Respektit dhe Lirisë), ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga Viktor Orbán se e ka kërcënuar me publikimin e një videoje të dyshuar që e tregon atë duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua.

Videoja dyshohet se është filmuar pa dijeninë e të dyve në vitin 2024, por ende nuk është publikuar dhe aktualisht nuk ka prova për ekzistencën e saj.

Megjithatë, Magyar tha se ditët e fundit, disa gazetarë morën një link që tregonte një foto të dhomës, ku ndodhi marrëdhënia seksuale.

Magyar dhe gruaja e përfshirë, Evelin Vogel, konfirmuan të dy se kishin kryer marrëdhënie seksuale në dhomën e treguar në foto.

Sipas Magyar, partia e Orbán po përpiqet ta minojë atë politikisht për të humbur mbështetjen përpara zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 12 prill. Për momentin, Tisza, partia e Magyar, po performon shumë mirë në sondazhe.

Magyar nuk është i martuar, kështu që skandali që rrethon publikimin e videos së dyshuar nuk do të lidhej me një tradhëti të mundshme bashkëshortore.

Megjithatë, Hungaria është një vend shumë konservator dhe publikimi i videos mund të ketë pasoja politike për kundërshtarin kryesor të Orbán-it.

Ekziston edhe një problem tjetër. Magyar tha se në apartament kishte “substanca që dukeshin si drogë”, por shtoi se nuk i kishte përdorur ato.

Ekzistojnë disa aspekte të tjera të paqarta rreth kësaj çështjeje, siç është marrëdhënia midis Magyar dhe Evelin Vogel.

Magyar më parë e kishte akuzuar Vogel se e kishte shantazhuar duke e kërcënuar se do të publikonte regjistrime audio të bisedave private për shtypin, një pretendim që ajo e mohoi.

Magyar pretendoi se dyshonte që në fillim se kishte qenë viktimë e një “operacioni në stilin rus”. Me “operacion në stilin rus”, Magyar i referohet shantzhit, një praktikë e përdorur gjerësisht në të kaluarën me anë të së cilës qeveria ruse shantazhon dhe diskrediton kundërshtarët e saj duke mbledhur materiale kompromentuese rreth tyre.

Orbán dhe qeveria e tij deri më tani nuk kanë komentuar për këtë çështje, por disa anëtarë të partisë së kryeministrit, Fidesz, kanë mohuar akuzat e Magyar.

Orbán ka qenë në qeveri që nga viti 2010 dhe me kalimin e viteve e ka bërë Hungarinë një vend gjithnjë e më joliberal.

Fushata zgjedhore filloi zyrtarisht të dielën, por Orbán dhe Magyar kanë sulmuar njëri-tjetrin që nga viti 2024: Tisza është më pro-europiane se Fidesz dhe Magyar akuzon rregullisht Orbán se është një politikan i korruptuar.

Orbán, nga ana tjetër, pretendon se Magyar synon të tradhtojë interesat kombëtare të Hungarisë për të favorizuar Bashkimin Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë