Rend dhe Ligj

Një tjetër shofer nën efektin e lëndëve narkotike, rasti i tretë për dy javë

Gazeta Si – Një tjetër shofer është vënë në pranga në Tiranë, pasi drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Drejtuesi 31-vjeçar, A.S., ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë Rrugore dhe ka tentuar të largohet, por është vënë në pranga.

Ky është rasti i tretë, brenda dy javëve, gjatë të cilit Policia Rrugore e Tiranës arreston në flagrancë drejtues mjetesh nën efektin e lëndëve narkotike.

Ka mjaftuar një video e publikuar në rrjetet sociale që policia të vihet në lëvizje. I riu qarkullonte me shpejtësi duke shkelur semaforin, në bulevardin “Bajram Curri”.

Në momentin e ndalimit të makinës “Audi”, A.S., është konstatuar se drejtonte automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.

Gjatë kryerjes së veprimeve policore, i riu ka refuzuar t’ia paraqesë dokumentacionin e kërkuar oficerit të policisë, si dhe ka kundërshtuar, me dhunë shoqërimin në komiasariat.

Ai ka manifestuar sjellje agresive dhe të dhunshme në raport me kërkesat ligjore te punonjësve të Policisë Rrugore.

Po ashtu, A.S., ka kundërshtuar efektivët e Policisë, edhe për të bërë testin e alkoolit.

I riu më pas është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku është testuar me aparatin drogë-testues dhe ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Gjithashtu, këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 89.000 lekë të rinj, për shkeljen e nenit 185 “Drejtimi i mjetit nën efektin e lëndëve droguese”, të parashikuar nga Kodi Rrugor.

Shkelja u provua pas matjes me aparatin drogë-testues, të markës “AquilaScan”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë