Rend dhe Ligj

Një tjetër pallat pa leje shkon për verifikim, Çuçi: Operacion ligjzbatimi

Gazeta Si - Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka njoftuar këtë të premte se një tjetër pallat në Tiranë ka shkuar për verifikim, pasi ka kate pa leje.

Gjatë fjalës së tij, Çuçi ka thënë se është arritur që të ulet me 10-fish numri i sipërfaqeve të ndërtimeve pa leje.

"Sot kemi ardhur në një rast tjetër ku janë konstatuar shtesa kati pa leje. Kjo nuk është një fushatë mediatike apo demagogji, por është operacion ligjzbatimi i këtyre guximtarëve që i bazojnë aventurat e tyre mbi sistemin e pjesës së vjetër të drejtësisë që kur u vijnë dosje nga njerëz të kamur për evazion fiskal e krime të tjera, e shohin si mundësi për të pasuruar xhepat e tyre", deklaroi ministri.

Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se është firmosur akti i parë i dorëzimit te shteti i 4646 metër katrorë shtesë ndërtuar pa leje në pallatin ‘Syri i Tiranës’.

Më herët, kryeministri paralajmëroi se të gjitha shtesat që nuk janë të ligjshme do të kalojnë në përdorim të shtetit.

Pasi është akuzuar për lejimin e “kullave” në Tiranë, Rama tha se nëse do të ishte e vërtetë një gjë e tillë, nuk do të merrej vesh kurrë, pasi ai vetë e ka ngritur problematikën e ndërtimeve pa leje, e cila është përmirësuar ndjeshëm me nga ç’ka qenë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë