Ekskluzive

Një sport i tëri në ‘të zezë’ që mundohet të na bëjë krenar nëpër Botë!

Janë 3 federatat sportive, ajo e Atletikës, Peshëngritjes dhe Boksit që vetëm në prag të zgjedhjeve të reja zbulohet se paskan vepruar në ilegjitimitet, pasi proceset e tyre zgjedhore të mëparshme nuk janë regjistruar në Gjykatën e Tiranës, siç e kërkon ligji. Si rrjedhojë nuk njihen organet e zgjedhura drejtuese dhe as Asambletë e tyre, apo vendimet e marra në të paktën këto 4 vitet e fundit.

Nga Gazeta Si- Viti kalendarik 2024 po shkon drejt fundit, megjithatë në aspektin sportiv ka qenë një ndër vitet më të ngarkuara me kompeticione, që duke veçuar Europianin e futbollit, në një këndvështrim më gjerë sportiv, kishte Olimpiadën, tribuna më e madhe dhe më e rëndësishme botërore sportive.

Një Olimpiadë që për Shqipërinë do të mbetet përgjithmonë në histori, për medaljet e para olimpike, pavarësisht se nga dy sportistë të huaj, si mundësi çeçen Islam Dudaev dhe ai rus Chermen Valiev, ato ishin dy medaljet e para për Shqipërinë, medaljet e para të një Olimpiade.

Edhe pse na duhet të jemi në nivele të tilla në kompeticione të ndryshme, në garë për medalje, arritjet nuk përkojnë me menaxhimin apo me drejtimin, duke filluar nga Komiteti Olimpik Shqiptar dhe deri tek Federatat anëtare të tij.

Pak përpara Olimpiadës, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës shfuqizoi Asamblenë Zgjedhore të 4 viteve më parë të Komitetit Olimpik, duke zhvlerësuar vendimet e saj, nga zgjedhja e presidentit Fidel Ylli dhe deri tek të gjitha vendimet e mëpasshme, të marra nga Komitetit Olimpik.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës.

Çuditërisht nuk u morr asnjë vendim dhe asnjë masë nga Ministria e Sporteve, e cila vazhdon të ndjekë në distancë me përgjigjen e kamufluar në naivitet… “beteja ligjore mes palëve vazhdon në apel”.

Me përfundimin e Olimpiadës, i vjen fundi edhe kontributit të drejtuesve të federatave sportive dhe si rrjedhojë sporti shqiptar duhet të futet në proceset zgjedhore, nga KOKSH që pritet t’i bëjë në fillim të vitit të ardhshëm, pasi afati është 6-mujori i parë i vitit pasardhës dhe deri te çdo federatë anëtare e Komitetit Olimpik. Dhe aty ku ka garë, ka edhe probleme, siç ndodh gjithmonë në vendin tonë.

Kështu janë 3 federatat sportive, ajo e Atletikës, Peshëngritjes dhe Boksit që vetëm në prag të zgjedhjeve të reja zbulohet se paskan vepruar në ilegjitimitet, pasi proceset e tyre zgjedhore të mëparshme nuk janë regjistruar në Gjykatën e Tiranës, siç e kërkon ligji. Si rrjedhojë nuk njihen organet e zgjedhura drejtuese dhe as Asambletë e tyre, apo vendimet e marra në të paktën këto 4 vitet e fundit.

Por këtë gjë, ne dhe publiku, e mësuam kaq vonë, sepse dikujt i interesoi për t’u përfshirë në garën e këtyre zgjedhjeve të reja. Ndërkohë, si mundet Ministria e Sportit që ka bashkëpunuar, mbështetur dhe ka ndarë grantet financiare në të paktën këto 4 vitet e fundit me këto federate, t’i ndajë para nga buxheti i shtetit një stafi drejtues, një federate apo OJF-je, jo legjitime?!

Tingëllon e çuditshme, por mesatarisht janë dhënë 1 milionë euro në të paktën 4 vite për të treja këto federata bashkë, ndërkohë që gjykata nuk i njeh, por i njeh Ministria!

Për herët të fundit, që Gjykata e Tiranës ka njohur një Asamble të Federatës Shqiptare të Atletikës është ajo e vitit 2010, 14 vite praktikisht ilegjitimitet, ku për hir të së vërtetës kemi patur goxha arritje, me Luiza Gegën dhe Izmir Smajlin, por gjithçka në “të zezë”.

Po ashtu edhe me Federatën e Peshëngritjes të medaljeve të shumta, ndërkohë që Boksi me probleme po kaq të ngjashme, por ndoshta edhe më tepër, është mbuluar nga rezultatet e dobëta apo të paqarta që ka ky sport dhe ka kaluar më shumë në heshtje. Gjithsesi, nga kjo fundjavë do të ketë zgjedhjet Federata Shqiptare e Peshëngritjes me Elez Gjozën me shumë mundësi drejt rikonfirmimit. Pavarësisht gjithçkaje, Asambleja zgjedhore e Boksit është pezulluar, ndërkohë që Taulant Stërmasi prej dy vitesh në drejtimin e Federatës Shqiptare të Atletikës (i parregjistruar) ka zgjedhur datën 21 nëntor, por edhe ajo është e pasigurtë.

Përballë tij, në mes të kësaj katrahure ligjore ku mbizotëron e paligjshmja, do të ketë një emër të fortë si kandidaturë, Izmir Smajlin.

Ngjan e çuditshme, por ashtu siç tashmë jemi mësuar, edhe këtë herë zgjedhjet e federatave, mes zhurmës me zë të lartë apo të mbytur, do të zgjidhjen me shprehjen… ”çudia më e madhe 3 ditë zgjat.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë