Ne rrjet

Një spiune ruse e GRU-së edhe në komandën e NATO-s në Napoli, operonte prej 10 vitesh

Një grua e re, e qeshur, me fustan mbrëmjeje, e cila ngrinte dolli në selinë e NATO-s në Napoli, është protagonistja e operacionit më të bujshëm të inteligjencës të kryer nga Moska në Itali, siç zbulohet nga një hetim i kryer prej dhjetë muajsh nga gazeta “Repubblica”, “Bellingcat”, “Der Spiegel” dhe “The Insider”

Gazeta Si - Një spiune rus dyshohet se ka arritur të depërtonte në personelin e bazës së NATO-s në Napoli dhe në Flotën e 6-të të SHBA-ve.

Gazeta "La Repubblica" shkruan se zbulimi u bë në përfundim të një hetimi të zhvilluar me faqen investigative "Bellingcat", të përjavshmen gjermane  "Der Spiegel" e "The Insider". 

Protagonistja e asaj që cilësohet si “operacioni më i bujshëm i inteligjencës” i kryer nga Moska në Itali, shkruajnë autorët e sondazhit, është 30-vjeçarja Maria Adela Kuhfeldt Rivera, e lindur në Peru nga një baba gjerman.

Por është një identitet fiktiv: emri i vërtetë i gruas, e cila ka hyrë në qarqet shoqërore të kryeqendrës së Kampanias, duke operuar prej 10 vjetësh për të depërtuar në majën e Aleancës Atlantike, është Olga Kolobova, vajza e një oficeri rus.

Famullia Cristo Liberador, e cila shfaqet si vendi ku gruaja është pagëzuar

Hetimi investigativ

"Gjurma kryesore që të lidh me shërbimet sekrete të Moskës, - shpjegon “Repubblica”, - është pasaporta ruse e përdorur për të hyrë në Itali: ajo i përket të njëjtës seri speciale të përdorur nga agjentët e GRU-së, Shërbimi Inteligjent Ushtarak rus nën urdhrat e Kremlinit".

"Hetimi ynë, - thotë gazeta, - dështoi të rindërtojë se çfarë informacioni u mor nga spiunia, ose nëse ishte në gjendje të vendoste viruse kompjuterike në telefonat dhe kompjuterët e miqve të saj. Megjithatë, ajo ra në kontakt me figurat kryesore në NATO-s dhe Marinës Amerikane: asnjë agjent rus nuk kishte arritur të depërtonte kaq thellë në samitin e Aleancës Atlantike”.

"Maria Adela" në Vatikan me të dashurin e saj, në një foto nga Facebook nga viti 2010

Gruaja, thotë gazeta, është një tridhjetëvjeçare kozmopolite dhe me vetëbesim, e cila flet gjashtë gjuhë dhe ngriti një kompani për prodhimin e bizhuterive, më pas hyri në rrethet botërore të Napolit dhe më në fund arriti të depërtonte në stafin e NATO-s dhe të Flotës VI të SHBA-së, pra samitin operacional të fuqisë ushtarake perëndimore në Evropë.

“Një Mata Hari moderne, e cila u dallua për mënyrat e saj joshëse dhe la gjurmë zemrash të thyera përpara se të zhdukej në ajër”, shkruan gazeta.

Gruaja “imponohet në jetën e qytetit mes takimeve dhe ngjarjeve”, inauguron një “galeri konceptesh”, në të cilën marrin pjesë shumë personalitete.

“Maria Adela” në hapjen e biznesit të saj "Serein Concept Store" më 11 shkurt 2016

Biznesmene dhe NATO-ja

Ajo arrin të hyjë në “Lions Club Napoli Monte Nuovo”, një klub "i themeluar nga oficerët e bazës së NATO-s në Lago Patria, madje logoja ndjek simbolin luftarak të Forcës së Përbashkët Aleate.

Anëtarët janë praktikisht të gjithë ushtarakë, punonjës dhe teknikë të Aleancës Atlantike ose të Flotës VI të SHBA.

Këto janë komandat që menaxhojnë misionet e NATO-s dhe aktivitetet e marinës amerikane në Evropë".

Një klub që "është rrjeti i përsosur në të cilin agjenti GRU-ja ka lidhur oficerë të shumtë të NATO-s, duke ndërtuar një rrjet të gjerë marrëdhëniesh".

Nuk dihet nëse ajo ka arritur fizikisht të hyjë në bazën e NATO-s apo në komandën amerikane, por ka të dhëna të forta për praninë e saj gjatë disa ceremonive: festat e përvitshme të NATO-s, ajo e Marinsave, disa mbrëmje bamirësie”, shkruan “La Repubblica”.

Më pas, në vitin 2018, vjen zhdukja e papritur: gruaja "u largua papritur nga Napoli me një fluturim për në Moskë, duke mos u rishfaqur kurrë".

Një foto e "Lion's club", Maria Adela është e katërta nga e djathta

Infiltrimi maksimal

Maria Adela duket se nuk njeh kufij. Në faqen e tij në Fb ai tregon fotot e një udhëtimi në Bahrein, ku ndodhet flota tjetër ushtarake amerikane dhe ku takohet me kryeministrin, Princin Al Khalifa, të cilit i dhuron disa bizhuteri të markës së saj.

Ndërkohë, ajo zhvendos selinë e kompanisë në Milano, pak metra nga sheshi “Duomo”, në zyrat e një ekonomisti të shquar: bilanci i fundit tregon 300,000 € humbje, ndoshta shpenzimet për veprimtarinë e furishme të përfaqësimit.

Ajo niset më 15 shtator 2018, menjëherë pas zbulimeve për 007-at rusë që përhapen si helme vdekjeprurëse në të gjithë Evropën.

Foto nga profili Instagram i "Maria Adelas"

Miqtë e saj napoletanë e kontaktuan më kot me të në rrjetet sociale, i dashuri i fundit - një kontraktor që shërben në bazën amerikane – e kërkoi edhe përmes postës elektronike. Asnjë përgjigje për javë të tëra. Grushti i farsës mbërrin më 19 nëntor 2018 me një postim në italisht dhe anglisht, ku bën të qartë se ka një tumor.

“Të vërtetën që më në fund duhet ta zbuloj. Po mundohesha të fshihesha nga vetja, në disa momente ia dola! Tani flokët po rriten pas kimioterapisë, të shkurtra, por ka ... Më mungon gjithçka, por po mundohem të marr frymë. Ps: faleminderit të gjithë njerëzve që nuk kanë reshtur së bombarduari me mesazhe. Unë ju dua".

Në foton e profilit ka një paruge bionde: është imazhi i fundit para heshtjes. Ajo e theu atë vetëm kundër Marcelle D'Argy Smith, ish-drejtoreshës së Cosmopolitan, së cilës i shkroi në Ëhatsapp dhjetorin e kaluar: "Ka kaq shumë gjëra që nuk mundem (dhe nuk do të mundem kurrë) t'i shpjegoj, por dije se më mungon shumë".

Darka për ditëlindjen false të “Maria Adelas” në shtator 2016, në prani të sipërmarrësve vendas dhe zyrtarëve të NATO-s.

Vajza e kolonelit

Maria Adela ishte shumë e aftë për të fshehur gjurmët e saj. Por një analizë e gjatë në bazat e të dhënave ruse të zbuluara vitet e fundit, duke ndërthurur lajmet e disponueshme dhe duke përdorur softuer për krahasimin e fytyrave, bëri të mundur zbulimin e emrit të saj të vërtetë: Olga Kolobova, e lindur në 1982.

Pika e nisjes ishte fotografia e një pasaporte e vjetër: një vajzë që zhduket për trembëdhjetë vjet, për t'u rishfaqur në Moskë në fund të vitit 2018, kur në një kohë të shkurtër blen dy apartamente luksoze dhe një Audi, ndërsa punonte si punonjëse e nivelit të ulët në një zyrë publike.

Jo vetem. Babai i saj ishte dekan i një fakulteti ushtarak në Universitetin e Ekaterinburgut: një kolonel që mori medalje të shumta "për t’i shërbyer atdheut të tij jashtë vendit, në Angola, Irak dhe Siri" dhe që për këtë arsye merrej me inteligjencën.

Një gazetë në Bahrein që përmend Maria Adela Rivera Kuhfeldt dhe një foto e spiunes ruse në ekspozitë

Koloneli doli në pension në 2007: agjentët e GRU-së shpesh rekrutohen nga fëmijët e oficerëve të agjencisë.

Të dhëna përfundimtare i dhanë “Bellingcat” nga një sinjalizues rus: fotografia e patentës së re të drejtimit të Olga Kolobova, e realizuar në vitin 2021, e cila ka një përqindje të lartë të koincidencës me fytyrën e Maria Adelës.

Dëshmia përfundimtare, megjithatë, vjen nga imazhi në profilin e Olga Kolobova në ëhatsapp: është e njëjta gjë me flokët bjonde në një foto të publikuar nga Maria Adela në mesazhin e fundit.

Në Odnoklassniki (OK), një nga rrjetet sociale më të njohura në Rusi, Olga muajt e fundit ka shpërndarë tekste duke lavdëruar pushtimin e Ukrainës në grupin "Miqtë e Putinit". Por kjo është gjëja më pak befasuese për aventurën e saj të pabesueshme si spiune.

Përshtati në shqip: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë