Art dhe Kulture

Një spital që shëron me art

Artistja e pavarur dhe kuratorja e artit, Sadhyo Niederberger jeton dhe punon në Zvicrën gjermanofolëse. Që nga viti 1989, vit në të cilin ajo përfundoi studimet për Multimedia në “Haute école d’art et de design” (HEAD) në Gjenevë, ajo është përfshirë në projekte ndërkulturore dhe multidisiplinare. Ajo ka ekspozuar në ekspozita vetjake dhe në grupe dhe që nga viti 2008 ka punuar si menaxhere arti në Spitalin Aarau Kantonal.

Spitali Aarau Cantonal ka një koleksion të madh të veprave të artit. Si lindi ky koleksion?

Që nga vitet 1950, drejtorët, mjekët dhe punonjësit e spitalit kanë filluar të dhurojnë vepra nga koleksionet e tyre private në Spitalin Kantonal të Aaraut. Këtyre iu shtuan edhe afreske, mozaikë, skulptura dhe më në fund vepra të mëdha arti u porositën. Në ndërtesën kryesore ka tri vepra nga artistja franko-gjermane Gloria Friedmann.

Në këtë spital varen fotografi me format të madh të Balthasar Burkhard, fotografit të famshëm që vdiq në 2010, ose punimeve të artistëve si Niele Toroni, Richard Tuttle dhe Hugo Suter. Punime të tjera mund të gjenden edhe në pavijonet e tjera. Dhe pastaj janë punimet “lëvizëse” në korridore, pavijone, dhoma pacientësh, klinika, laboratorë dhe zyra mjekësh.

A është Spitali Aarau një përjashtim në Zvicër?

Piktura ose vepra të tjera arti varen në muret e shumë spitaleve dhe klinikave private në Zvicër, për shembull në Spitalin Universitar të Zyrihut ka vepra nga koleksioni i artit të Spitalit Aarau Kantonal. Nga ana tjetër, koleksioni i Spitalit Aarau Kantonal i përket spitalit, është një koleksion prej më shumë se 3000 pjesësh që zmadhohet çdo vit. Por ajo që e dallon këtë spital janë ekspozitat e mbajtura brenda tij me artistë profesionistë bashkëkohorë.

Cili është roli juaj në spital?

Unë kujdesem për ruajtjen e punëve, i blej, i var, i zhvendos, i arkivoj, bëj një inventar të donacioneve dhe më pas organizoj ekspozita të artistëve bashkëkohorë dhe drejtoj projekte të ndryshme me artistë. Për disa muaj kam kryer një projekt muzikor që synon të pasurojë vende të pazakonta në spital me shfaqje muzikore. Para meje ata i ishin përkushtuar kryesisht ruajtjes së punimeve. Megjithatë, duke punuar atje, kuptova se shumë njerëz kishin një reagim negativ ndaj punëve të varura në muret e spitalit, kishin përshtypjen se arti ishte diçka e huaj, elitare dhe se nuk kishte asgjë çfarë të bënte me ta; të tjerët thjesht ishin mësuar me faktin se repartet e tyre ishin zbukuruar me vepra arti. E kuptova që duhej të përfshija stafin në zgjedhjen e punimeve. Tani nëse duhet të vendoset ndonjë punë e re në një departament, unë mbledh të gjithë ekipin e atij departamenti të vijë të zgjedhë punimet për t’i vendosur në zyrat dhe korridoret e tyre.

Disa vjet më parë, për shembull, një pikturë e madhe nga piktori Urs Aeschbach u ble dhe u vendos në atriumin e madh të Gjinekologjisë. Ndërsa isha duke e varur vura re se stafi nuk reagoi dhe aq mirë. Dy javë më vonë një punonjëse më tha: “Shiko, nuk më pëlqen kjo pikturë!” “Pse nuk ju pëlqen?”, “Ah, kjo është kaq negative!”. Ajo përfaqësonte shufra prej druri të thyer që ajo mendonte se kishin një kuptim negativ. Kështu që unë i shpjegova asaj që piktura komunikonte pikërisht të kundërtën, madje edhe shpresë, unë pashë dritën, ndryshimin.

Ajo ishte plotësisht e emocionuar. Në atë moment kaluan pranë dy infermiere dhe ajo i thirri: “Hej, eja këtu. Sadhyo, shpjegojua edhe atyre”. Dhe kështu unë gjithashtu u thashë atyre se cili ishte këndvështrimi im. Ajo pikturë qëndroi për disa vjet dhe u dha mjekëve, infermierëve dhe pacientëve shumë gëzim përpara se të zhvendosej. Ky episod më tregoi se komunikimi është shumë i rëndësishëm dhe se duke dëgjuar dhe duke folur, ju mund të gjeni një mënyrë për të kuptuar një vepër arti.

Si reaguan mjekët?

Shumë mjekë janë të interesuar për artin, disa janë koleksionistë të vërtetë ose madje kanë prirje artistike. Me ta formojmë një grup të mirë dhe nuk duhet të bëj shumë përpjekje për t’i bindur ata. Ndjej shumë mbështetje nga ata dhe e di që ata e vlerësojnë punën time.

Cili është reagimi ndaj punëve që janë ekspozuar?

Le të marrim pllakat e mëdha nga Gloria Friedmann, “Paraardhësit e së Ardhmes”, të gjetura në atriumin e ndërtesës kryesore, të bëra prej druri të karbonizuar, pendëve të korbit të zi, dheut të thatë dhe materialeve të tjerë. Që nga fillimi këto tabela kanë qenë një burim diskutimesh të nxehta, shumë ishin të bindur se ato nuk ishin të përshtatshme për njerëzit e zakonshëm. Sot ato pllaka janë bërë një pjesë integrale e arkitekturës. Jashtë në Labirintin e tij fëmijët luajnë dhe disa vizitorë ose pacientë ulen në oborrin e brendshëm.

Stafi dhe pacientët e Spitalit Aarau vijnë nga pjesë të ndryshme të botës; sa gjuhë dhe sa kultura ka?

Në vitet e fundit, njerëz nga rreth 80 vende kanë punuar në Spitalin Aarau Cantonal (70% me pasaporta zvicerane, 16% me pasaporta gjermane dhe 14% me një kombësi tjetër). Pacientët e trajtuar në spital vijnë nga 164 vende (75% nga Zvicra, 24% nga një vend tjetër, në vend të 1% kombësia e tyre nuk dihet).

Si reagojnë vizitorët ndaj artit?

Në mënyra shumë të ndryshme. Një histori shumë të bukur më tha një mik, i cili shkonte për të vizituar gruan e tij të sëmurë rëndë çdo ditë. Ai vazhdoi gradualisht duke u kapur pas veprave individuale të artit duke u përpjekur të merrte forcë nga pikturat, ato ishin vepra të piktorëve dhe artistëve që ai njihte. Më vonë, ai më tha se nuk e dinte nëse do të kishte duruar një periudhë kaq të vështirë pa praninë e atyre punimeve.

Po pacientët?

Në spitalin tonë ka një vepër arti në çdo dhomë të pacientit. Sigurisht, zgjedhja nuk i plotëson gjithmonë shijen e tyre ose sepse është shumë moderne ose sepse është shumë e modës së vjetër. Por për të gjithë është mirë që dhoma të zbukurohet me një punë që i nxjerr nga bota e sëmundjes.

Si ka ndikuar pandemia në punën tuaj? Na është dashur të shtyjmë ekspozitat dhe projektet muzikore dhe jemi përpjekur gjithmonë të varnim vepra të përshtatshme në hapësirat publike. Dhe më në fund, pas izolimit të parë vendosa koleksionin e punëve në ambientet e spitalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë