Mendim

Një rishfaqje uniteti mes Italisë dhe Francës

Italia dhe Franca janë përsëri aleate. Presidenti francez Emmanuel Macron vizitoi Romën të mërkurën në mbrëmje për t'u takuar me Presidentin Sergio Mattarella dhe Kryeministrin Giuseppe Conte, me të cilin diskutoi gjatë darkës mbi emigracionin, Eurozonën dhe Libinë

Macron është lideri i parë i huaj që vizitoi Conten që pas formimit të koalicionit të ri qeveritar të Italisë. Qeveria e Lëvizjes Pesë Yjet dhe Partisë Demokratike u betua në javën e kaluar.

Vizita e shkurtër ishte një sinjal i qartë i një miqësie të përtërirë midis dy vendeve, ndërkohë që të dy udhëheqësit premtuan të forconin bashkëpunimin mes dy Romës dhe Parisit.


Marrëdhëniet mes dy vendeve, të dy anëtare themelues të BE-së, kanë qenë të tensionuara që kur Lëvizja populiste Pesë Yjet dhe partia e krahut të djathtë Lega Nord formuar një qeveri koalicioni në qershor 2018. Që ateherë, të dyja qeveritë janë përplasur vazhdimisht për një sërë çështjesh, përfshirë edhe emigracionin. Tensionet arritën kulmin në fillim të këtij viti, kur ambasadori francez në Itali u tërhoq, pasi zëvendëskryeministri i atëhershëm Luigi Di Maio (tani ministër i Jashtëm) u takua me një drejtues të jelekverdhëve.

Kryeministri italian Giuseppe Conte dhe Presidenti Francez Emmanuel Macron zhvillojnë një konferencë të përbashkët shtypi në fund të takimit të tyre në Romë, Gazeta Si, 19 Shtator 2019.

Edhe pse Pesë Yjet janë ende në pushtet, largimi i Matteo Salvini ka rezultuar në një përmirësim të madh të marrëdhënieve. Të mërkurën në mbrëmje, Macron u prit me një ceremoni të madhe ushtarake në oborrin e Pallatit Chigi, rezidenca zyrtare e Contes.

Gjatë një fjalimi të shkurtër për shtyp, Conte dhe Macron thanë se emigracioni është me rëndësi të madhe për tërë BE-në dhe vendet e Evropës Jugore, siç është Italia dhe se Roma nuk mund ta mbajë e vetme barrën e refugjatëve.

Megjithë buzëqeshjet, mes dy vendeve ka ende dallime të mëdha. Më herët gjatë ditës, zyrtarët e qeverisë italiane thanë që Roma dëshiron që emigrantët të mos dërgohen automatikisht në portin më të afërt të sigurt, por që vendet e tjera hapin portet e tyre me anë të një procesi që do të bëhej me rrotacion. Sidoqoftë, një zyrtar i qeverisë franceze tha Parisi nuk dëshiron heqjen e politikës për zbarkimin në portin më të afërt, "i cili është shumë i rëndësishëm për arsye ligjore dhe humanitare".

Conte tha se ai dhe Macron diskutuan idetë për "një sistem efikas për të rishpërndarë dhe riatdhesuar emigrantët".

"Ne duhet të sigurohemi që çështja e migracionit nuk u lihet atyre që e përdorin si temë të përhershme për propagandën e tyre," shtoi ai, duke iu referuar Salvinit dhe Marine Le Pen.

Kryeministri italian Giuseppe Conte dhe Presidenti Francez Emmanuel Macron zhvillojnë një konferencë të përbashkët shtypi në fund të takimit të tyre në Romë, Gazeta Si, 19 Shtator 2019.

Sidoqoftë, si Conte ashtu edhe Macron mbështesin argumentin e Salvinit se BE-ja ka nevojë për marrëveshje bilaterale me vendet afrikane në mënyrë që të riatdhesojë automatikisht emigrantët nga kontinenti afrikan.

"Ne duhet të garantojmë respektimin e të drejtave të azilit për ata që kualifikohen dhe gjithashtu duhet të sigurohemi që ata që nuk kualifikohen si të tillë, riatdhesohen menjëherë" tha Macron.

Ideja e riatdhesimit të emigrantëve që shkojnë drejt Italisë për çështje ekonomikë ishte një nga premtimet më të mëdha të Salvinit dhe gjatë 14 muajve të tij si ministër i Brendshëm, ai luftoi për të arritur qëllimin e tij pjesërisht, sepse emigrantët shpesh ishin pa dokumente dhe janë vendosur disa marrëveshje bilaterale me vendet afrikane.

"Unë nuk e nënvlerësoj atë që kanë jetuar italianët që nga kulmi i krizës së emigracionit në 2015, kjo është arsyeja pse unë besoj fuqimisht se zgjidhja për fenomenin e emigracionit qëndron në ndërtimin e zgjidhjeve evropiane," tha presidenti francez.

Ministrat e Brendshëm nga Italia, Franca, Malta dhe Finlanda (e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së) do të takohen në 23 shtator në Valletta për të diskutuar mbi emigracionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë