Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve në Sheshin “Skënderbej” ku kishte fëmijë që ishin veshur bukur dhe prisnin shfaqet në Teatrin e Kukullave, qëndronte dhe Anxhela. Vajza e vogël 5-vjeçare, është lypëse në rrugët e Tiranës dhe sot kishte ‘zgjedhur’ të vishte fustanin rozë, të vetmin që kishte, e të festonte në mënyrën e saj. Ajo qëndronte jo shumë larg tullumbaceve, muzikës dhe sheshit të mbushur me hare, aty përballë Tajvanit, ulur në një trotuar duke ngrënë ushqim të falur.
LEXO EDHE:
1 qershori në Sheshin “Skënderbej”
Anxhela tregoi për Gazetasi.al se ka disa ditë që e pret 1 Qershorin, sepse e dinte që ishte një festë ku të gjithë fëmijët festojnë dhe sepse mezi priste të mbante veshur nëpër rrugët e Tiranës fustanin që e kishte gjithashtu të falur.
“E dëgjova muzikën në shesh kur po vija këtu dhe pashë gjëra por nuk u afrova, nuk janë shokët e as shoqet e mia ato”, tregon vogëlushja për Gazetasi.al, deri diku e mërzitur për vendimin që e kishte marrë gjithë bindje.
Për të kishte 1 Qershor, në mënyrën e saj, me organizimin e saj, jo shumë larg organizimeve të shumë njerëzve.
Sheshi “Skënderbej” ishte mbushur me fëmijë, prindër, familjarë dhe qytetarë të shumtë ndalonin te Teatri i Kukullave, për të dëgjuar të vegjlit që këndonin apo recitonin.
“E kam blerë fustanin për këtë ditë para disa ditësh dhe sot u zgjova shumë herët për t’u bërë gati”, tregon për Gazetasi.al një nga vajzat e vogla që ishte e pranishme në shfaqje. Ishin të gjithë të përqendruar për të bërë fotografi, video dhe për të duartrokitur pas mbarimit të çdo performance nga fëmijët.
“Nuk e di, s’kam parë organizim tjetër”, i përgjigjet Besimi pyetjes nëse e di se në shesh, pak metra më larg, afër Operas, ndodhet dhe një tjetër organizim po aq i rëndësishëm edhe pse shumë i ndryshëm.
CRCA\ECPAT kishte organizuar “Manifestim për të Drejtat e Fëmijëve!”. Një çarçaf i bardhë që do të shërbente si telajo e mesazheve të qytetarëve dhe fëmijëve të rritur, për të drejtat e fëmijëve dhe kërkesat drejtuar Qeverisë e Kuvendit të ardhshëm!
Gazetasi.al konstatoi se pjesëmarrja në këtë organizim ishte e ulët, me qytetarë që kalonin afër dhe ndiqnin me vrap fëmijët që po nxitonin për të shkuar tek shfaqja. Të tjerë qytetarë tregojnë se për ta, është më e rëndësishme të festojnë fëmijët në këtë ditë dhe të jenë të lumtur duke kënduar e kërcyer, “ankesat mund t’i shkruajmë më vonë plus që nuk duam ti mërzisim fëmijët sot me këto gjëra”, tha një nga qytetarët.
Alban N., babai i Anjës 10-vjeçare thotë se vajza i ka thënë se në shesh do të bëhet një shfaqje ku do të këndojnë fëmijët dhe është nisur për aty sepse vetëm atë organizim dinte. Më pas, pasi kanë parë se në shesh po bëhej dhe një tjetër organizim i rëndësishëm, ka tentuar të shkojë por ka qenë e vështirë pasi vajza nuk donte të “ankohej” në këtë ditë dhe “kishte dëshirë vetëm të dëgjonte muzikë dhe të kërcente”.
Ishte një ditë e mbushur me një shesh që anonte nga ana e muzikës, duke lënë mënjanë shprehjen e ankesave dhe akoma më mënjanë fëmijët e tjerë që kënaqeshin me një veshje ndryshe nga ditët e tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)










