Mendim

Një “sekret” i vogël për të ndihmuar biznesin

Nga Meri Lika - Asnjë njeri nuk është një ishull.
Çdo njeri është një pjesë e kontinentit, një pjesë e së tërës.
Nëse deti heq një copë tokë, e gjithë Europa zvogëlohet, sikur të ishte një gadishull, ose shtëpia e një prej miqve të tu, ose pikërisht shtëpia jote.
Jonh Donne (1572- 1631)

Më shumë se 80 për qind e bizneseve të vogla dhe të mesme kanë pasur efekte direkte në bizneset e tyre nga pandemia. Shumë prej bizneseve me më pak se 5 të punësuar kanë klikuar tek opsioni i largimit të punonjësve nga sistemi i Sigurimeve Shoqërore, pra papunësia është rritur, kjo shifër do të rritet akoma më shumë nëse në muajin që sapo kemi hyrë nuk do të ketë mundësi, të cilat të ndihmojnë bizneset të ringrihen dhe të hynë në normalitet.

Gjatë kësaj periudhe shpesh kam përmendur Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla (NVM), jo se nuk më interesojnë bizneset e mëdha por sepse NVM-të janë motori i ekonomisë dhe se janë ato biznese, të cilat krijojnë klasën e mesme të shoqërisë. Bizneset e mëdha duhet të kenë të krijuara burimet për situatat emergjente, gjë të cilën NVM-të nuk e krijojnë dot për periudha të gjata dhe situata kaq të rënda si kjo që jemi duke kaluar.

Situata e vështirë që është duke kaluar biznesi, kërkon edhe ndërhyrje të menjëhershme dhe mbi të gjitha ndihmën për krijimin e burimeve në mënyrë që bizneset të mbijetojnë dhe të mund të ringrihen. Kredia sovrane është një mundësi e mirë, por ajo prek vetëm pjesën e pagave për punonjësit dhe është e aksesueshme në pjesën më të madhe të saj nga bizneset e mëdha, sepse këto biznese japin siguri për vazhdimësinë.

Nuk ka kohë për krijime strukturash dhe procese për t’iu dhënë asistencë NVM-ve, por duhet të punohet në një drejtim tjetër që është shumë pak i prekur, për të mos thënë aspak. Faktoringu! Pra unë mendoj se është koha të punohet në platformat e faktorizimit financiar që ekzistojnë sot. Qeveria duhet të kthejë vëmendjen dhe të punojë me institucionet financiare të cilat operojnë me këto skema faktoringu dhe me të cilat mund të fitojnë të gjithë aktorët, dhe për më tepër pasi ata dinë të matin rreziqet dhe japin zgjidhje më të shpejta.

Sipas gjykimit tim, në këtë krizë që ka mbërthyer ekonominë, koha është një faktor kritik dhe edhe pse sektori publik nuk ka eksperiencë për të përcaktuar rreziqet kredituese, puna me institucionet financiare që aplikojnë faktoring-un mund t'i ndihmojë ata të kanalizojnë më mirë burimet dhe në këtë mënyrë të ndihmojnë dhe të shpëtojnë NVM-të.

Pjesëmarrja e biznesit është gjithashtu thelbësore, pasi ata mund të punojnë për të kërkuar norma interesi dhe kushte të arsyeshme pagese dhe të kenë mbështetjen e qeverisë përmes garancive të pjesshme, e duke u ndihmuar sektori privat mund të bëjë atë që bën më mirë, të mbajë ekonominë në lëvizje.

Edhe pse, sot, Banka e Shqipërisë i ka të përcaktuara rregullat e marrëveshjeve me bankat, të cilat do të japin burimet për të mbështetur NVM-të, bankat kanë qëndruar të kujdesshme, madje shpesh skeptike në dhënien e kredive. Por duke pasur një mjet tjetër në dorë siç është Faktoring-u, mund të hartohet një marrëveshje me institucionet që e ofrojnë këtë produkt për të dhënë financim në kushte më të mira.

Faktoring-u mund të bëhet përmes një kontrate, e cila lejon kompanitë të shesin një faturë ose një dokument tjetër krediti te njësia ekonomike që ofron produktin e faktoring-ut (faktor) në këmbim të marrjes paradhënie të një pjese të shumës së faturës, kundrejt një përqindje interesi.

Këtu duhet të ndërhyjë shteti, duke kërkuar menaxhimin sa më të mirë të interesit dhe të ndihmës për biznesin në dhënien e garancive.

Qeveria duhet ta konsiderojë si opsion tregun e faktoring-ut. Masat mund të zbatohen në dy fronte të rëndësishme, nga këndvështrimi i faktorit, duke u dhënë kompanive faktorizuese mbështetje financiare përmes një programi kredie në mënyrë që ata të mund të ofrojnë mundësi më të mira ose kushte kontraktimi për kompanitë e prekura nga kriza. Nga ana tjetër, në lidhje me klientët ose kompanitë e prekura.

Për të përfunduar, unë mendoj se ky proces mund të gjenerojë dinamizëm brenda tregut, duke zvogëluar rrezikun e kreditit në fatura ose kredi të mbajtura në kurriz të shtetit, duke i bërë këto kredi më tërheqëse për kompanitë faktorizuese dhe nga ana tjetër gjenerojnë likuiditet të menjëhershëm për kompanitë që janë prekur nga pandemia. Nuk do të jetë e thjeshtë që bizneset të rimarrin lëvizjen nga kjo krizë ekonomike dhe sociale, por duhet të shterojmë të gjithë mekanizmat dhe opsionet për të mbështetur bizneset më të prekura.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë