Njerez

Një romancier francez imagjinoi Distopinë Seksuale. Tashmë ka mbërritur

Nga Adam Kirsch/The New York Times -Kur Alek Minassian ngau një kamionçinë në një trotuar të Torontos, në muajin prill, duke vrarë 10 njerëz , ai iu shtua listës  në rritje të meshkujve të rinj, vrasës në masë. Ai gjithashtu la një gjurmë në internet në postimin që hamendësonte motivin, i cili kishte të bënte me statusin si “incel” apo beqar i pavullnetshëm (involuntary celibate) – një etiketë e përshtatur nga burra që nuk janë në gjendje të krijojnë marrëdhënie seksuale me gra dhe që shpesh përgjigjen me mizogjini të hidhur. Tetë prej viktimave të Minassian –it ishin gra. Çaste përpara se ai të niste masakrën, postoi në Facebook: “Rebelimi Incel ka nisur tashmë!...Nderim Zotërisë Suprem Elliot Rodger!”. Roger-i, i cili vrau gjashtë njerëz e më pas veten në Kaliforni, në vitin 2014, ishte një tjetër i vetëquajtur incel. Ai la pas një monolog në Youtube, teksa ankohej për vetminë dhe historitë e refuzimit.

Pas vdekjes, Rodger-i u bë hero për incel-ë të tjerë, që nisën të bëhen të zëshëm në grupe diskutimi online ku kërcënimet për përdhunim dhe gjuha e urrejtjes janë të zakonshme. (Një grup i tillë, në Reddit, kishte 40 mijë anëtarë, derisa u bllokua përfundimisht vjeshtën e kaluar.)

Disa vrasës të tjerë, meshkuj të rinj në moshë, përfshi Nikolas Cruz, i cili vrau 17 njerëz në Shkollën e Mesme Marjory Stoneman në Parkland, në muajin shkurt dhe, William Atchison, i cili qëlloi për vdekje dy njerëz dhe më pas veten në Shkollën e Mesme Aztec, në Aztec, vitin e kaluar, duket se e kanë admiruar dhe janë identifikuar me Rodger-in. Por derisa Minassian-i kreu krimin, ankesat e incel-ëve kanë marrë fare pak vëmendje publike. Në maj, Jordan Peterson, psikologu kanadez i cili u lëvdua dhe  njëherazi u  fye për këndvështrimin e tij mbi shoqërinë dhe gjininë, krijoi zemëratë kur i tha gazetës The New York Times se “monogamia e detyruar” mund të jetë e vetmja mënyrë për të qetësuar zemëratën e tyre. Bashkë me disa konservatorë të tjerë, Peterson simpatizon nocionin se revolucioni seksual, ashtu si revolucioni i tregut të lirë, ka krijuar klasa fituesish dhe humbësish dhe se humbësit e kanë ankesën legjitime. “Askujt nuk i bëhet vonë për njeriun që dështon,” vëzhgon Peterson.

Në 25 vitet e fundit, roman pas romani, Houellebecq ka ngritur një kritikë të ngjashme të moreve bashkëkohore seksuale. E ndërsa ka qenë gjithnjë një figurë polarizuese – i admiruar për provokimin, i përbuzur për vrazhdësinë –ai ka rezultuar të jetë shkrimtar i një parashikimi të pazakontë. Në kohën kur letërsia po margjinalizohet gjithnjë e më shumë në jetën publike, ai ofron një kujtesë goditëse se romancierët mund të sigurojnë vështrime rreth shoqërisë, të cilat i humbasin syrit të ekspertëve dhe autoriteteve.

Houellebecq, vepra e të cilit është e ngopur me brutalitet, pakënaqësi dhe sentimentalizëm, ka kuptuar se ç’do të thoshte të jesh një incel, shumë përpara se termi të bëhej i zakonshëm.

Bërthama e rastit të Houellebecq –ut kundër seksualitetit modern mund të gjendet në romanin e tij të parë “ “Extension du Domaine de la Lutte,” ("Zgjerimi i fushës së luftës) . Rrëfimtari i librit vendos modelin për të gjithë anti-heronjtë e Houellebecq –ut: burra të dëshpëruar dhe mizantropë, të cilët, vetëm pse nuk mund të arrijnë një kënaqësi romantike apo seksuale, besojnë se seksi është gjëja më e rëndësishme në jetë . “Duke pasur mangësi në paraqitje si edhe sharm personal, subjekt i periudhave të depresionit, nuk i korrespondoj aspak asaj çka gratë kërkojnë te një burrë”, rrëfen narratori.

Houellebecq e ka parë gjithnjë veten duke folur për dhe në emër të burrave të tillë; gratë portretizohen në romanet e tij thuajse ekskluzivisht si torturuese ose shpëtimtare. “Mundet, i dashur lexues dhe mik, se ti je vetë një grua”, shkruan Houellebecq . “Mos u alarmo, gjëra të tilla ndodhin.”

Titulli origjinal i romanit, që përkthehet  “Zgjerimi i Fushës së Luftës”, mbërthen teorinë e Houellebecq –ut mbi seksualitetin ( ai është tipik frëng në dashurinë e tij për abstraksionin dhe teorinë).

Revolucioni seksual i 1960-ës, i parë  gjerësisht si lëvizja çliruese, kuptohet më mirë si një ndërhyrje e vlerave të kapitalizmit në mbretërinë dikur të shenjtë të jetës intime. “Ashtu si liberalizmi i pakufizuar ekonomik...liberalizmi seksual prodhon fenomene të varfërimit absolut”,  shkruan ai. “Disa burra bëjnë dashuri çdo ditë; të tjerë pesë apo gjashtë herë në jetë, ose kurrë.” Grupi i fundit –dështakët- përfaqësohen në këtë libër nga Raphaël Tisserand, i cili është i pështirë dhe nuk ka bërë kurrë seks me një grua, pavarësisht përpjekjeve të mëdha për të joshur një të tillë. Ai është një proto-incel dhe historia e tij ndërtohet në një skenë trazuese ku narratori e shtyn atë të vrasë një grua, e cila e ka refuzuar.

Në fund, megjithatë, Raphaël-i nuk e bën. “Gjaku nuk ndryshon kurrgjë,”, vëren ai fatalisht. Dhe kjo është diferenca kyçe mes personazheve të Houellebecq –ut dhe kriminelëve si

Rodger dhe Minassian: Ata njohin se dhuna nuk do e ndryshojë situatën e tyre. Ata janë viktima të tendencave brezore, të cilat  Houellebecq beson se kanë zhytur Perëndimin, veçanërisht Francën, në një mjerim të pashërueshëm. Libri i dytë i Houellebecq –ut “Thërrmijat elementare” përsërit rastin e tij kundër “liberalizmit seksual”, ndërsa shton një strehues të fajtorëve të rinj, nga spiritualiteti i Epokës së Re dhe revistat femërore te atomizmi i shoqërisë dhe rënia e Krishterimit. “Në mes të vetëvrasjes së Perëndimit, ishte e qartë se ata nuk kishin asnjë shans”, shkruan ai për personazhet e romanit, në atë çka mund të ishte një slogan për të gjithë letërsinë e tij. Kjo tingëllon si një lloj i njohur i pesimizmit reaksionar. Por nuk është krejt e saktë ta quash

Houellebecq-un reaksionar, duke qenë se ai nuk beson se është e mundur të kthehesh te regjimet seksuale të së shkuarës – në veçanti, martesat me mblesëri –të cilat, sugjeron ai, kanë bërë punë më të mirë në sigurimin e çiftëzimit për burra të padëshirueshëm. Në romanin e tij “Nënshtrimi”, Houellebecq djallëzisht luan me idenë se një rikthim i tillë mund të ishte përmbushur nga një konvertim në masë në Islam. Pas së gjithash, një shoqëri në të cilën gratë u nënshtrohen burrave ndërsa burrat u nënshtrohen hyjnores mund të shihej si versioni i utopisë së Houellebecq-ut. “Të pirdhet autonomia,” reflekton rrëfimtari –megjithëse ai përdor një fjalë më vulgare; autonomia është rrënja e tëhuajësimit.

Në gjendjet e tij më serioze –si në “Thërrmijat Elementare” apo në “Mundësia e një Ishulli” –Houellebecq –u imagjinon një zgjidhje më radikale ndaj problemit të pabarazisë seksuale. Në vend të shkojë pas në një fazë më të hershme të njerëzimit, këta libra shtyjnë përpara një të ardhme post-njerëzore në të cilën qeniet njerëzore janë zëvendësuar nga specie që kanë zhdukur riprodhimin seksual dhe, është kështu imune ndaj torturave të dëshirës dhe vetmisë. Kjo specie e përsosur sheh nga ne si të ishim një “racë e ligë, e palumtur, fare pak të ndryshëm nga majmunët.”

Houellebecq –u pëlqen të hedhë romanet e tij si një dëshmi e së tashmes përpara gjyqit të së ardhmes: Për të kuptuar pse ishim aq të mjeruar, brezat e ardhshëm do të duhet ta lexojnë atë. Dhe në këtë kuptim, si diagnozë dhe provë, që romanet e Houellebecq –ut janë tanimë më urgjentë se kurrë. Portretizimi i urrejtjes është pjesë e mandatit të trilluar për të dhënë një llogari të vërtetë botës; ka personazhe te Dostojevski po aq të neveritshëm sa secili te Houellebecq ( mbase edhe më shumë, për shkak se Dostojevski është shkrimtar më i mirë).

Houellebecq është në gjendje të japë një portret bindës të mendimit incel për shkak se në një farë shkalle ai sheh për të ndarë hamendjen e tij kryesore, duke e përfaqësuar seksin si diçka për të cilin gratë u detyrohen burrave. Kjo mizogjini mund ta bëjë leximin e Houellebecq-ut si përvojë e hidhur, dhe ai duhet të lexohet me dyshimin dhe rezistencën që idetë e tij meritojnë. Por sidoqoftë, ai duhet lexuar.

*Përktheu Suadela Balliu  (Adam Kirsch është autor i “Romani Global: Të shkruash në botën e shekullit 21”.)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë