Sport

“Një problem shumë italian”: brenda luftës kundër mafies dhe korrupsionit në Lojërat Olimpike Dimërore

Nga Gazeta “Si” – Punimet e ndërtimit për “Milano-Cortina” janë kthyer në një pikë të nxehtë dyshimesh mbi infiltrimin e krimit të organizuar, por grupet antimafia kanë adoptuar një qasje që mund t’u shërbejë edhe organizatorëve të ardhshëm.

Në përfundim të një hetimi 1 vjeçar të quajtur “Operacioni Reset”, “Komanda e Karabinierëve të Provincës” në Belluno publikoi mëngjesin e 8 Tetorit, një njoftim për shtyp për 3 arrestime.

Dy nga të arrestuarit ishin vëllezër, anëtarë të njohur të ultrasve famëkeq të Lazio-s, “Irriducibili”. Në njoftim thuhej se ata mburreshin për lidhjet personale me ish-bosin Fabrizio Piscitelli, i vrarë në vitin 2019.

Krimet për të cilat vëllezërit u arrestuan (nën dyshimin se i kishin kryer) nuk kishin ndodhur në Romë, por 643 km më në Veri, në resortin e vogël të skive në Cortina d’Ampezzo, në Dolomite.

Njëkohësisht organizator i “Lojërave Olimpike Dimërore” gjatë 3 javëve të ardhshme.

Vëllezërit janë ende në pritje të gjyqit, por prokuroria lokale pretendon se ata drejtonin një operacion në 3 faza.

E para ishte marrja e kontrollit të rrjetit të shpërndarjes së drogës në Cortina, e dyta marrja nën kontroll e 3 klubeve të natës në zone dhe e 3-ta, zhvatja e këshillit bashkiak për t’u dhënë kontratat e ndërtimit për punimet që po kryheshin për “Lojërat”.

Ndër provat që prokuroria thotë se zotëron është edhe një mesazh në telefonin e njërin prej vëllezërve që thotë:

“Ne duam zonën e varrezave për garazhet, ish-pastiçerinë, rrugën lidhëse dhe unazën e re, ndërtimin e fshatit turistik.”

Sipas “Drejtorisë së Hetimit Antimafia” – (DIA), të qeverisë italiane, 38% e të gjitha masave antimafia të marra në Itali në vitin 2024 lidhen me sektorin e ndërtimit, ndërsa rreth 200 kantierë publikë u hetuan për dyshime infiltrimi të krimit të organizuar.

Ngjarja e fundit madhore e zhvilluar në Milano, “Ekspozita Botërore” e vitit 2015, u njollos nga korrupsioni rreth kontratave të ndërtimit.

Ajo kushtoi 2.6 miliardë euro. Fatura për “Lojërat Olimpike Dimërore” aktualisht po e kalon dyfishin e kësaj shume.

“DIA” i raportoi parlamentit se “Lojërat Olimpike Dimërore përfaqësojnë një ngjarje të rëndësishme … për sindikatat kriminale të interesuara të fitojnë terren në procedurat e dhënies së tenderëve”.

Në vitin 2024, vetëm në Lombardi u miratuan “50 masa ndaluese antimafia”.

Njëra prej tyre u lëshua kundër një kompanie që po punonte për ndërtimin e një parkimi nëntokësor, pjesë e “Planit të Punimeve për Olimpiadën Milano–Cortina 2026”, pasi “drejtuesit e saj u zbuluan se kishin marrëdhënie personale dhe profesionale me anëtarë të disa bandave të ’Ndrangheta-s”.

Sipas prokurorisë, dy vëllezërit nuk ishin anëtarë të mafies, por janë akuzuar për përdorimin e “metodës mafioze”: zhvatje, shtrëngim dhe intimidim.

Pretendimet thonë se ata kërcënuan dhe rrahën tregtarë rivalë droge, rrëmbyen një pronar klubi nate në pyll nën kërcënimin e armës dhe u përpoqën të korruptonin një këshilltar duke i ofruar sigurimin e votave në këmbim të kontratave të ndërtimit, e më pas e kërcënuan kur ai refuzoi të bashkëpunonte.

“Kjo është Cortina, këtu jemi ne në krye,” pretendohet se thanë gjatë arrestimit, “Unë nuk jam kriminel provincial, jam bosi dhe këtë punë do ta zgjidhim me armë.”

Nëse Italia ka probleme, ajo ka edhe zgjidhje. “Është një cikël i mbyllur,” thotë Leonardo Ferrante, anëtar i “Bordit Kombëtar” të organizatës antimafia “Libera”.

“Italia njihet si vendi i mafies, por duhet të njihet edhe si vendi i lëvizjes antimafia.” “Libera” u themelua në vitin 1994 nga prifti aktivist Luigi Ciotti, me synimin fillestar për të mbledhur 1.000.000 firma për një ligj të ri që lejon ripërdorimin e pasurive të konfiskuara nga organizatat kriminale.

Ata janë bashkuar në një program radikal të quajtur “Open Olympics ‘26”, me synimin për ta bërë më transparent procesin e prokurimeve publike rreth “Lojërave”.

Arritja kryesore e “Open Olympics ‘26” ka qenë angazhimi i organizatorëve të “Lojërave” për publikimin e të gjitha transaksioneve financiare në një portal të vetëm publik, i cili përditësohet çdo 45 ditë.

Falë kësaj, dihet se vetëm 1.6 miliardë euro po shpenzohen për realizimin e drejtpërdrejtë të “Lojërave”, ndërsa 4.12 miliardë euro të tjera për punime të lidhura, përfshirë një shifër tronditëse prej 2.816 miliardë eurosh për projekte rrugore, dhe se më shumë se gjysma e projekteve nuk do të përfundojnë deri pas mbarimit të “Lojërave”, po shumë më vonë… në vitin 2033.

“Nisma lindi në vjeshtën e vitit 2023, nga një përçarje e thellë mes shoqërisë civile italiane dhe institucioneve. Pas vitesh përpjekjesh për dialog, ne filluam të organizonim një komunitet dhe një rrjet shoqatash që kërkonin transparencë dhe llogaridhënie,” shpjegon Ferrante.

“Gjithçka që dihet sot për Olimpiadën në aspektin e të dhënave është rezultat i drejtpërdrejtë i veprimit të grupeve qytetare italiane.”

Falë punës së tyre, për shembull, dihet se 60% e 98 projekteve olimpike të listuara në portal janë kryer pa asnjë vlerësim të ndikimit mjedisor.

“Në Itali kemi ligje të forta për transparencën, por edhe shumë përjashtime, dhe një nga këto përjashtime janë Olimpiadat dhe Paraolimpiadat.”

Kolegia e Ferrante-s, Elisa Orlando, shton: “Është një problem shumë italian. E kemi parë edhe në ngjarje të tjera madhore, si Ekspozita Universale në Milano 10 vjet më parë. Gjendemi në një situatë ku gjithçka kthehet në emergjencë. Duhet të dorëzojmë gjithçka para datës së hapjes së eventit, dhe kjo sjell përjashtime, jo vetëm nga transparenca, por ndonjëherë edhe nga procedurat e prokurimeve publike.”

Sa më transparente të jenë marrëveshjet, aq më pak tërheqëse bëhen ato për krimin e organizuar.

Megjithatë, suksesi ka qenë i pjesshëm. “Libera” ka kërkuar më shumë transparencë edhe për nënkontraktimet, ndërsa një pjesë e tërë e Projektit Olimpik mbetet jashtë portalit, në duart e kompanive private. “Fondazione Milano-Cortina është vrima e zezë e transparencës.”

Tre nga gjashtë edicionet e fundit te “Lojërave Olimpike” – në Soçi, Rio dhe Tokio – u shoqëruan me skandale të mëdha korrupsioni.

Në një kohë kur gjithnjë e më pak qytete janë të gatshme të vazhdojnë me kandidatura për shkak të skepticizmit publik ndaj kostove (Krakov, Oslo, Stokholm, Innsbruck, Sion dhe Kalgari  tërhoqën kandidaturën për organizimin e edicioneve 2022 dhe 2026), projekti “Open Olympics” përfaqëson një hap radikal drejt adresimit të disa prej këtyre problemeve të hershme.

Ekipi tashmë po punon me organizata në Francë për ta përsëritur këtë model para “Lojërave Olimpike Dimërore 2030”, që do të zhvillohen përtej Alpeve.

“Rreziku i infiltrimit kriminal ekziston kudo, jo vetëm në Itali. Por këtu në Itali kemi ‘lente’ që na lejojnë ta njohim infiltrimin kriminal kur ndodh,” thotë Ferrante.

“Qëllimi ynë i 3-të është të ndërtojmë një trashëgimi qytetare ndërkombëtare. Ne duam të krijojmë një lëvizje ndërkombëtare për transparencën e Lojërave Olimpike.” përfundon ai.
Përshtatur nga “the Guardian”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë