Libra

Një poemë franceze për Omer Kaleshin

Nga Gazeta “SI” – “Kam ëndërruar se më pikturoje, dhe unë kisha frikë në të bardhën e telajos…”

Këto dy vargje të poetes franceze Laure Cambau, shprehin  frikën dhe dëshirën nën një tis, me të njëjtën ngjyrë, atë të bardhën e telajos, e cila pret të mbushet me ngjyrat e shumta të shpirtit njerëzor. Në fakt këto janë vetëm dy vargje nga poezitë e Cambau kushtuar piktorit të shquar Omer Kaleshi të cilin e njohu në Paris gjatë një ekspozitë për të mos u ndarë kurrë prej tij, prej ngjyrave dhe shpirtit të tij. Ky afeksion i madh dhe i pandashëm , e shtyu poeten t’i dedikojë një libër me poezi të titulluar “E bardha, pa të bardhë.”

Laure Cambau është një poete e njohur në rrethet letrare e poetike franceze. Disa çmime ndërkombëtare, ndër të cilat dhe çmimet “Poncetton” të SGDL (Shoqatës së të Drejtave të Autorëve) për librin e saj Letra vagabondit qiellor më 2010 apo “Simone Laundry” më 2015 etj., dëshmojnë statusin e kësaj poeteje në poezinë franceze e frankofone në përgjithësi.

Laure Cambau

“Jam mahnitur nga ngjyrat e pikturës së Omer Kaleshit, që në takimin e  parë me të, nga e kuqja tronditëse, por edhe nga përzgjedhja e kokave, si objekt kryesor i krijimtarisë së tij” thotë  Cambau gjatë takimit të organizuar në ambientet e “Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit” me rastin e ditës botërore te poezisë.

Në vëllimin poetik  “E bardha , pa të bardhë” ajo i kushton  vëmendje te veçantë jetës dhe veprës së piktorit Kaleshi, origjinalitetit të “kokave”, tablove të barinjve, dervishëve, dramës ballkanike, dashurisë, vizitave të pareshtura në atelierin e tij.

“Këto elementë janë dhe burimi i vërtetë i frymëzimit për poezite e këtij vëllimi, që kam sjellë për publikun shqiptar” shton poetja franceze Laura Cambau

Poetja Mimoza Ahmeti e shpjegon në mënyrë filozofike bashkimin e dy gjinive të artit të cilat sipas saj asociojnë në mënyrë thuajse të pavarur.

“Rezistenca e artistit, që është një rezistencë e pavetëdijshme, sepse ai punon nëpërmjet frymëzimit , pra nuk e bën me qëllim, tregon se të gjithë vlerat e mëdha që ka gjetur në botën e atjeshme , diçka tjetër shumë e rëndësishme mbetet për tu ditur. Artistët krijojnë, ndjejnë dhe asociojnë duke qënë spirale më vete”

Një piktor, disa koka Dervishësh  në telajot e kuqe me fushën e bardhë, dhe një poete franceze e cila mrekullohet pas këtyre tablove duke pësuar një metamorfozë të fortë të brendshme e cila lind aty për të  mbetur një kuriozitet i përhershëm drejt një rrugë sa mistike aq dhe të pafundme. Ashtu siç edhe poeti Luan Rama e paraqet në parathënien e librit.

“Një mijë “përse” të saj si një mijë shkallë për t’u ngjitur e zbuluar jetën e një njeriu, e një artisti. Dhe kështu, duke kërkuar domethënien e një date, një ngjarjeje, dhimbjeje e dashurie, ajo e ktheu këtë histori njerëzore në një poemë të gjatë, që s’dihet kur do të mbarojë, pasi piktori është i habitshëm, poetja gjithashtu”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë