Treg

Një pjatë groshë vendi do të jetë më shtrenjtë se kurrë

Nga Gazeta ‘Si’ – Prodhimi i paktë i fasules këtë vit po i bën fermerët që ta shesin atë me çmimin më të lartë historik.

Përpara disa ditësh, në tregun e shumicës, një kilogram fasule trenare, u tregtua me 450 lekë/kg por fermerët paralajmërojnë që çmimi pritet të shtrenjtohet deri në 600lekë/kg.

Shkak për prodhimin e ulët sipas tyre u bënë reshjet e shumta të shiut që vonuan procesin e daljes së fasules me një muaj.

“Nga shirat e tepërt që ranë, bishtaja mezi doli. Kur del aq me vonesë, përgjithësisht pas një muaji, dihet që prodhimi do të jetë i paktë. Nga rreth 8 dynimë që kam me fasule trenare, prodhimi i fasules këtë vit do të shkojë rreth 3 kuintalë/dyni.

Nga prodhimi i paktë do shitet më shtrenjtë”, deklaron Fatmir Feretllari, një fermer nga fshati Kreshpanj i cili e kultivon këtë lloj fasuleje që prej vitit 1993 për shkak të cilësisë dhe rezistencës së saj.

Vitin e shkuar kjo fasule tregtohej me 250 lekë-300 lekë/kg.

Por fasulja e kuqe e importuar nga Argjentina dhe ajo nga Turqia po konkurrojnë me çmime fasulen vendase.

Ilir Pilku, ekspert bujqësie, ndërsa ngre shqetësimin se po kthehemi në një vend importues edhe për produktet e traditës, thotë se këto fasule të importuara po shiten me rreth 100 lekë më lirë për kg.

Por sipas fermerëve, ndonëse në pamje ata ngjajnë me fasulen vendase, nuk kanë të njëjtat vlera ushqimore.

“Për shkak të rritjes së kostove, fasulja vendase po shitet 450 lekë/kg që t’i amortizojë ato. Vitet e fundit po importohen fasule nga jashtë dhe reklamohen sikur janë autoktone të zonës. Por ne nuk mund ta shesim aq lirë fasulen e vendit tani”, thotë për Gazetasi.al Vladimir Malaveci, një banor nga Maliqi.

Vitin e shkuar ata u përballën me mbiprodhim ndërsa për prodhimin e paktë këtë vit fajësojnë qeverinë që nuk po i përkrah lidhur me orientimin e tregut.

Në një mendje me ta është edhe Pilku i cili thekson se e gjithë kjo situatë po vjen nga mungesa e politikave orientuese bujqësore.

Pilku ngre shqetësimin se po kthehemi në një vend importues edhe për produktet e traditës

“Mungon orientimi që duhet t’u bëhet fermerëve në bazë të trendeve zhvilluese të tregjeve të brendshme dhe atyre të jashtme. Kërkohen studime të mirëfillta kërkimore mbi tregjet që të kthehen në orientim të duhur për fermerët që lidhen me produktin, varietetin dhe standardin e kërkuar.

Ashtu siç edhe Ministria e Bujqësisë duhet të vlerësojë preferencat e konsumatorit ndërvendas. Të masë prodhimin kombëtar dhe të orientojë fermerët mbi prodhimin që kërkohet për konsum edhe eksport sepse fermeri nuk e di cili lloj do preferohet më shumë dhe sa duhet t’u kultivohet”, thotë Pilku për Gazetasi.al ndërsa shton se është e patolerueshme që Shqipëria të importojë fasule nga Egjipti, Argjentina dhe Turqia.

Shqiptarët mbjellin sa dyfishi i rajonit

Për nga sasia e prodhimit, Shqipëria prodhon sa dyfishi i vendeve të rajonit si Serbia apo Maqedonia, referuar të dhënave të Eurostat.

Prodhimi i fasules nisi rikuperimin në vitin 2018 ku arriti në 24.5 mijë tonë, duke u rritur me 15% në krahasim me një vit më parë, pas tre vitesh që kishte shënuar rënie të njëpasnjëshme.

Më tej kurba ka qëndruar e lartë deri në vitin 2020, me 25.7 mijë tonë për t’u ulur në 2021-shin ku prodhimi ra në 22.4 mijë tonë.

Prej vitit 2010 prodhimi më i lartë u arrit në vitin 2014 me 30 mijë tonë.

Prodhuesi më i madh sipas Eurostat ndër vendet e Bashkimit Europian dhe vendeve kandidate për t’u anëtarësuar, është Turqia, ku prodhim arrin në rreth 1.2 milionë tonë.

Nëse mbahen më gjatë sesa harku kohor i një viti, fasulet fillimisht nisin të rrudhosen dhe duan më shumë kohë që të zihen, deri në dy orë më shumë se zakonisht kur fasulja është e re. Më tej ato gradualisht zënë disa miza të vogla dhe bëhen të pakonsumueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë