Rend dhe Ligj

Policia sërish në kampin e muxhahedinëve në Manzë, kontroll mjeteve që hyjnë e dalin

Gazeta Si - Një pikë kontrolli policie është instaluar pranë kampit të muxhahedinëve të MEK në Manzë një javë pas kryengritjes së banorëve ndaj kontrollit të policisë.

Kështu, që prej orëve të mbrëmjes së kaluar kanë nisur edhe veprimet për kontrollin kryesisht të automjeteve që futen dhe dalin nga kampi.

Pika e kontrollit, thonë burime, do të jetë e instaluar të paktën deri në muajin Gusht, ndërsa ky veprim vjen pas ngjarjeve të disa ditëve më parë, ku me urdhër të SPAK u bënë kontrolle dhe sekuestrime, gjë e cila shkaktoi edhe tensione mes policisë dhe banorëve.

Kontrollet e fundit kanë shkaktuar indinjim te anëtarët e MEK, por deri tani nuk raportohet për ndonjë incident.

Më herët, 6 drejtues të organizatës MEK janë vënë nën hetim nga policia e Durrësit, për përplasjen me efektivët e policisë, gjatë kontrollit të kësaj të fundit me urdhër të GJKKO-së, brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

Nën hetim janë vënë H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç. Ata po procedohen penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

Sipas muxhahedinëve, përdorimi i gazit dhe sprajit nga policia solli humbjen e jetës së një personi dhe lëndimit të 36 të tjerëve. 

Për të sqaruar shkaqet e vdekjes së tij është ngritur një grup hetimor nga policia dhe Prokuroria e Durrësit dhe pritet ekspertiza mjeko-ligjore.

Sipas SPAK, dyshohet se nga organizata “MEK” nga territori i Republikës së Shqipërisë, janë kryer sulme kibernetike ndaj Republikës islamike të Iranit në periudha të ndryshme kohore si dhe ndaj institucioneve të shtetit Iranian.

Në dosjen e GJKKO-se thuhet se republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur dyshime në lidhje me këto sulme  si dhe në mënyrë të vazhdueshme  kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë