Nga Jarosław Kuisz – Është një fakt aq i rrallë, saqë meriton të theksohet: në vitet ’80, imazhi i Evropës Qendrore dhe Lindore, në sytë e shumë intelektualëve perëndimorë, u formësua kryesisht nga… një ese.
Në vitin 1983, në kulmin e famës së tij, romancieri çekosllovak Milan Kundera, i vendosur në Paris, botoi një artikull goditës me titullin: “Një Perëndim i rrëmbyer, ose tragjedia e Evropës Qendrore”. Fillimisht shkruar për lexuesit francezë, më pas ai u përkthye dhe u publikua në prestigjiozen “The New York Review of Books”. Kjo ese u bë menjëherë një sukses në qarqet intelektuale.
Kundera pohonte se, edhe pse që nga viti 1945, Evropa Qendrore dhe Lindore ishte nën kontrollin politik të Lindjes, popujt e saj i përkisnin kulturalisht Perëndimit. Ai shpaloste kontradikta të habitshme në mënyrën si perceptohej kjo pjesë e kontinentit nga jashtë. Si mund të konsiderohej Vjena një kryeqytet perëndimor, ndërkohë që Praga e vendosur edhe më në perëndim në hartë e kishte humbur këtë status?
Kundera pohonte se çekosllovakët, polakët dhe hungarezët ishin të gatshëm të paguanin çmimin më të lartë vetëm për të ruajtur përkatësinë e tyre kulturore me Perëndimin. Ai përshkruante mënyrën se si Moska ndëshkonte çdo komb që përpiqej të shpëtonte nga zgjedha e saj. Eseja u citua dhe u analizua mijëra herë, dhe sot e kësaj dite mbetet një tekst legjendar. Por, ndonëse mund të tingëllojë si një relike e Luftës së Ftohtë, në të vërtetë, ajo është më aktuale se kurrë. Shfaqja e nacionalizmit populist në Evropën Qendrore e Lindore, e drejtuar nga figura si Viktor Orbán apo Jarosław Kaczyński, ka rizgjuar një pyetje të vjetër: A është kjo pjesë e Evropës thjesht një Perëndim i rrëmbyer apo është diçka krejt tjetër?
Në kohën kur një nga gjigandët e letërsisë evropiane largohet nga kjo botë, jemi tunduar të pyesim ndoshta me pak ironi a kishte gabuar Kundera? Apo, më keq akoma, kishte mashtruar pa dashje opinionin perëndimor?
Me syrin e retrospektivës, mund të ishte e lehtë ta akuzosh për këtë. Por një lexim i kujdesshëm i esesë sjell në dritë diçka tjetër: pa e ditur, pa qëllim, Kundera kishte kapur filizat e parë të përçarjeve që do të shfaqeshin dekada më vonë midis Perëndimit dhe vendeve ish-komuniste.

Në esenë e tij, Kundera vinte në dukje dallimet mes kulturës së kombeve të Evropës Qendrore dhe asaj ruse. Duke bërë këtë, ai rindërtonte një ide të caktuar të Evropës në vetëdijen kolektive të këtyre kombeve. Për të theksuar dallimin mes Çekosllovakisë dhe BRSS, ai përmendte “rrënjosjen në botën kristiane latine” edhe pse anashkalonte faktin se popullsia çeke dhe sllovake ishte ndër më sekularët në kontinent. Evropa, sipas tij, nuk ishte një kategori gjeografike, por një përkatësi kulturore dhe shpirtërore e ndarë ndër shekuj mes kombeve që kishin bashkëkrijuar identitetin evropian.
Por ajo që e shqetësonte më së shumti Kunderën nuk ishte vetë Perëndimi, por mënyra e idealizuar se si ai jetonte në imagjinatën e popujve të shtypur të Evropës Qendrore e Lindore. Në këtë përfytyrim, Perëndimi ishte kundërpeshë e qartë ndaj tiranisë së komunizmit. Dhe për një kohë të gjatë pas vitit 1989, dëshira për të qenë pjesë e Perëndimit ishte e pandashme nga përpjekja për të ruajtur identitetin kombëtar.
Ai kujtonte se kujtesa kolektive e vendeve të rajonit ishte kthyer pas, te periudha para Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e tyre të dikurshme, të pavarura dhe krenare, ishin bërë objekte të një nostalgjie që ndërthurte krenarinë me dhimbjen. Dhe kur, pas vitit 1989, ëndrra për t’u kthyer në “familjen perëndimore” filloi të marrë formë, ajo u shoqërua me një tjetër dëshirë: rikthimin te shteti kombëtar.
Mirëpo, shpejt u pa se as imazhi i Perëndimit, as ai i shtetit të dikurshëm kombëtar, nuk ishin aq të qarta sa dukej. Vetëm tre vjet pas rënies së komunizmit, Çekosllovakia u nda në dy shtete më vete. Ndërsa për Kunderën, kujtesa e përbashkët ndalej në vitin 1938, për shumë sllovakë, historia e pavarësisë lidhej edhe me periudhën e errët të vitit 1939-1945, kur shteti i tyre ishte një satelit i Rajhut të Tretë, trashëgimi që nuk ishte e lehtë për t’u përqafuar.
Një ndarje tjetër filloi të shfaqej: mes politikanëve që përqafonin vizionin perëndimor dhe atyre që i ktheheshin mitit të shtetit kombëtar. Vladimír Mečiar, një nga liderët e hershëm të kësaj kthese, ndali përpjekjet e Sllovakisë për t’u bashkuar me BE-në dhe NATO-n, duke e kthyer vëmendjen te përkatësia kombëtare dhe identiteti i brendshëm.
Pas vitit 2004, kur shumë prej këtyre vendeve iu bashkuan Bashkimit Evropian, u përplasën dy vizione: ai i një Evrope të bashkuar në dallime dhe ai i shteteve-kombe të forta e sovrane. Për disa liderë, si Václav Klaus, Viktor Orbán apo Jarosław Kaczyński, Perëndimi që gjetën në Bruksel nuk ishte ai që kishin ëndërruar përballë Lindjes komuniste. Ata nuk donin më shumë Evropë. Ata kërkonin një Evropë që ruante sovranitetin dhe vlerat tradicionale.
Për këta liderë, përkatësia në Evropë nuk ishte çështje e thellimit të integrimit por një përzgjedhje. Ata nuk kishin luftuar për të hequr dorë nga identiteti i tyre kombëtar, por për të mbijetuar në një hapësirë të përbashkët ku ky identitet të kishte vend. Disa prej tyre, kur panë që BE-ja kërkonte më shumë bashkim, më shumë uniformitet, kthyen sytë nga e kaluara ,nga një Perëndim tjetër, një Perëndim që nuk ekzistonte më, por që kishte mbetur gjallë në kujtesën mitike të popujve të tyre.

Dhe kështu, politikanët e Evropës Qendrore dhe Lindore, në vend që të shihnin në Bruksel një shtëpi të re, panë aty një “Moskë” të re të përparuar, por njësoj imponuese. E gjithë kjo mund të duket e çuditshme në sytë e Perëndimit, por është më e kuptueshme nëse e reduktojmë në dy fjali: “Po, donim të ishim pjesë e Evropës. Por jo të kësaj Evrope.”
Kundera nuk mashtroi askënd. Ai e dinte që kjo pjesë e kontinentit nuk ishte thjesht një Perëndim i rrëmbyer, por edhe një pjesë që kishte ngrirë në kohë, e mbërthyer mes miteve dhe plagëve historike. Ai tregoi se historia, kujtesa dhe identiteti nuk janë vetëm çështje faktesh, por edhe përfytyrimesh. Dhe është pikërisht aty, në këtë terren delikat, ku luftojnë ende të ardhmen ata që nuk kanë arritur ende të përballen me të shkuarën.
Burimi: Le Grand Continent
Jarosław Kuisz drejton revistën Kultura Liberalna, dhe është kërkues i asociuar pranë Institutit të Historisë së Kohës së Tashme në CNRS (Franca), si dhe Senior Fellow në Zentrum Liberale Moderne (Gjermani).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.