Art dhe Kulture

Një mozaik për Saimir Stratin

Flokët e gjatë me kaçurrela i janë zbardhur me vitet, por bereta franceze është po ajo, me të cilin artisti shqiptar u shfaq për herë të parë si rekordmeni i Primatëve Botërore të Guinness-it pasi përjetësoi në gozhdë portretin e mjeshtrit të Rilindjes, Leonardo Da Vinçi.

Ishte i bindur atëkohë se shpirti i një vepre arti nuk mundet të riprodhohet, as nga arritjet më të mëdha teknologjike si ai printer që pat pretenduar se e risillte Gioconda-n me një saktësi prej më shumë se 90 përqind. “E paskëshin gozhduar Da Vinçin”, pat nënqeshur atëbotë me veten dhe me gozhdë do të krijonte pjesë pas pjese mozaikun me dimensione prej tetë metra.

Ishte viti 2006, kur iu drejtua Komitetit të Rekordeve Guinness, së pari për të mposhtur ndjesinë e inferioritet mes shqiptarëve se nuk përfilleshin në skenën botërore e së dyti për ambicie personale. Më 4 shtator të atij viti Saimir Strati jo vetëm që vendos një rekord Guinness, por edhe hap një kategori të re të Primatëve.

Saimir Strati duke realizuar portretin e Da Vinçit, rekord Guinnes 2006

Trembëdhjetë vjet më pas, ka koleksionuar të njëmbëdhjetin rekord me mozaikun e themeluesit të shtetit modern turk, Mustafa Kemal Ataturk.“Nëse njerëzit bëjnë dy javë pushime në vit, unë realizoj një mozaik. Këto janë pushimet e mia”, thotë duke qeshur Strati, i cili në mëse një dekadë histori me Guinness-in, ka përdorur materialet më të pagjasa për t’u përfshirë  në një vepër arti. Nëse shoqëria postmoderne është përpjekur ta industrializojë artin, artisti zgjedh pikërisht sende industriale për veprat e tij gjigante.

Saimir Strati me portretin e Ataturkut, Guinnes i 11-të

Kunja dhëmbësh, vida, tapa, gurë qelqi nga deti, porcelan, pasqyra  gozhdë, kokrra kafeje, disqe, pipa, fasule, lëvozhga veze janë ato materiale parësore,  që “zhduken” duke ia lënë vendin iluzionit të syrit që sheh  në përmase të jashtëzakonshme njerëz të shquar si shenjtorja Nënë Terezë, e realizuar në Prishtinë me kapëse metalike letrash  dhe me pamje tredimensionale.

“Unë kam parë shumë kapëse  që janë përdorur për të kapur letrat në samitin G-20. Por ato letra kanë akoma shumë punë për të sjellë paqe dhe një jetë më të mirë në botë”,

“Dikur kam parë në televizor shpërngulje masive të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe nga lufta. Diku në një qytet të Europës kishte disa tela me gjemba, që i pengonin. Dhe aty mendova se vetëm Nënë Terezë mund t'i shpëtonte këta njerëz”, kështu lindi ideja për t’i dhënë formë dhe jetë mozaikut, që do t’i jepte rekordin  e dhjetë Guinness.

“Unë kam parë shumë kapëse  që janë përdorur për të kapur letrat në samitin G-20. Por ato letra kanë akoma shumë punë për të sjellë paqe dhe një jetë më të mirë në botë”, deklaronte Strati për rrjetin CNN, ndërsa punonte me mozaikun e shenjtores dhe humanistes shqiptare, për të cilën iu deshën plot 1 milionë e gjysmë kapëse.

Strati gjatë punës me portetin e Nënë Terezës në Prishtinë.

Të nëntin rekord do ta vendoste në Portugali, me portretin e shkrimtarit ikonë  portugez dhe Nobelist i Letërsisë,  Jose Saramago. Me 104 metra katrorë dhe 300 milionë tapa vere  ishte  mozaiku më i madh i realizuar me këtë material.  Gjeniu i letrave përjetësohej përtej romaneve me një portret unik nga gjeniu i mozaikëve, siç e quanin më 2014-n mediat vendase, ndërsa ai punonte me veprën.

Kontrastet janë tipar  i mozaikëve të Stratit.  Veprën “Save the Earth” , realizuar në Apolloni të Fierit e realizoi me pipa  plastike, një nga materialet që po ndot planetin me ritme të frikshme, ndërsa ambientalistët në të gjithë botën bëjnë thirrje dhe ndërmarrin nisma për reduktimin e përdorimit të plastikës.  Iu deshën 180 mijë pipa në një sipërfaqe prej  32 metrash katrorë për të vendosur kështu rekordin e tij të tetë Guinness.

Strati gjatë punës për mozaikun "Save the Earth", rekordi i 8-të Guinness.

Ishte ideja e Saimir Stratit që mozaikët të mos realizoheshin dy herë me të njëjtin material dhe kështu artisti është gjithnjë në kërkim të të rejave për të sfiduar veten. Simbolin kombëtar shqiptar, të shqiponjës dykrenore do ta sillte të realizuar me 620 kilogramë fasule, ndërsa me kokrrat kafeje solli mozaikun “Një botë, një familje, në një  filxhan kafeje”, ku shfaqej një valltare braziliane, një instrumentist daulleje japonez, një afrikan me tambur  dhe një këngëtar amerikan country.

Mozaiku i realizuar me kokrra kafeje, 2011
Kartëmonedha me poetin antik Homerin.

Bardin legjendar të Iliadës dhe Odisesë, helenin Homerin, do ta sillte brenda një kartëmonedhe gjigante me bulona industrialë. mbretit të  Pop-it, Michael Jackson atë vit që u nda nga nga jeta në moshën 50 vjeçare do ta përjetësonte në mozaikun e realizuar me furça pikturimi, ndërsa "Kalin pa fre" e realizoi me 1 milionë e gjysmë kunja dhëmbësh. E pat quajtur homazh ndaj arkitektit gjenial spanjoll, Antonio Gaudi.

Duke punuar "Shpirti pa fre", rekordi i dytë Guinness

Një tufë kunjash druri në dorë i patën ndërmendur “La Sagrada Familia”, katedralen e famshme në Barcelonë, të cilën arkitekti nga ndarja e parakohshme nga jeta nuk pati mundur ta përfundonte. Asnjë nuk guxoi ta çonte në fund godinën, të pazot për të kuptuar vizionin e gjeniut Gaudi. Shpirti i lirë, i zgjidhur nga frerët e pamundësive që bota dhe shoqëria në vë, ngarend përmes kunjave që bëhen kreshta e artë e kafshës fisnike ashtu si edhe 400 kilogramët e gozhdëve shndërrohen në flokët e argjendtë të maestros Da Vinçi.

Jo vetëm materialet, por Strati cakton edhe afatet për përfundimin e një vepre që lëvizin nga dy javë deri në një muaj e gjysmë. Tridhjetë e shtatë ditë iu deshën për të  realizuar “Vizionarin”. Kështu  e titulloi portretin prej 15 metrash katrorë realizuar me 250 mijë vida, ku edhe u ekspozua në   kishën historike greke të qytezës Bor.

“Vepra është titulluar vizionari, sepse materia me të cilën është bërë ka shumë shkëlqim dhe njerëzit mendjendritur siç e quajnë Ataturkun sepse ai është babai i Turqisë moderne . Vidat janë material modern dhe ai shkëlqimi që ka vepra i përshtatet figurës së Ataturkut”, kështu do të shprehej Strati. Vepra u cilësua nga vendasit  si dedikimi më i mirë i kushtuar Ataturkut. Për këtë arsye Saimir Strati u respektua nga një qytet i tërë. Gjatë kohës që realizonte veprën, iu dha edhe Çelësi i Qytetit.

“Kam gjithnjë një ide brenda meje...”,

Por nuk duket se 11 është numër për t’u ndalur. “Kam gjithnjë një ide brenda meje...”, thoshte vite më parë , i frymëzuar nga Saramago artisti shqiptar, që mozaikët nuk i krijon vetëm në kuadrin e rekordeve Guinness, por edhe në krijimtarinë e tij të lirë. Spikatin “Vajza e Detit” realizuar me guralecë qelqi të mbledhur nga det e që për t’i mbledhur iu deshën vite. Qe frymëzuar nga një legjendë e vendlindjes së tij, Vlorë, për një vashëz që lutej të bëhej peshk për t’u bashkuar me të dashurin, përtej detit. Për të sjellë ndjesinë e paqes dhe marrëdhënien e njerëzimit me të, realizoi një mozaik me copa pasqyrash, ndërsa Mbretin e muzikës, Elvis Presley-n e realizoi me 400 kompakt disqe.

Rekordi i nëntë Guinnes, portreti i Nobelistit portugez Jose Saramago

Frymëzuar nga Vivaldi, i solli “Katër Stinët” e kompozitorit, me katër instrumente të ndryshëm, nga një për secilën stinë. Iu deshën pesë vjet për ta përfunduar. Mendon se ashtu si muzika që vjen në jetë përmes notash, edhe  mozaiku ka copëzat e tij, që janë si muzikë për sytë.

“Ne kemi një traditë katërmijë vjeçare me mozaikët”

Kur nuk është i angazhuar me realizimin e mozaikëve gjigantë, Saimir Strati zbulon se pikturon.  Është pikërisht mbi telajo vendi, ku marrin jetë fillimisht mozaikët. Me pikturën e nisi rrugëtimin shumë herët, kur ishte vetëm pesë vjeç.  Më 1989-n diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe përpara se t’i përkushtohej mozaikëve modernë, ku aktualisht është anëtar i Shoqatës Britanike të Mozaikut Modern, është marrë me restaurimin e mozaikëve të Apollonisë dhe Bylisit. “Ne kemi një traditë katërmijë vjeçare me mozaikët”, ka thënë ai.

"Mbreti i Popit", mozaikui realizuar më 2009

Shtatë prej mozaikëve që mbajnë rekorde Guinness, gjenden në Shqipëri, por ende artisti nuk ka gjetur një hapësirë për t’i ekspozuar të gjitha bashkë, ku kureshtarët, admiruesit e mozaikëve apo edhe artistë të rinj të mund t’i kundronin.  E megjithëse nuk ka gjetur atë pritje të ngrohtë nga institucionet shqiptare, sa e ka  gjetur jashtë ku e kanë vlerësuar dhe janë habitur me artin e tij, Strati nuk duket se do të ndalet. Vepër pas vepre, artisti që është gjithnjë modest për të mos e shfaqur veten, por për të lënë artin  të flasë, duken si copëzat e një mozaiku tjetër, të jetës së një artisti që shfaqet me modestinë e njeriut dhe madhështië e mjeshtrit.

Strati gjatë punës me mozaikun "Mediterrania"

“Nuk ka pasur asnjëherë mozaik të bërë me gozhda”, deklaronte Scoot Christie, nga juria e Guinnes kur pat ardhur në Tiranë 13 vjet më parë për të parë nga afër Da Vinçin. Edhe mozaiku që do të vijë në të ardhmen do të jetë nga ata të parealizuar më parë, me material të papërdorur më herët për një vepër arti. Saimir Strati mund të nënqeshë pas 11 rekordesh me vete, i sigurt se e ka gozhduar ai industrializimin për ta nënshtruar në një përdorim që i kapërcen epokat dhe përjetësohet në art.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë