Njerez

Një mjek që e do Shqipërinë për vete. Historia e nxënësit ekselent

Historia e tij tingëllon e zakonshme teksa e dëgjon të tregojë se si e ka ndërtuar rrugën drejt profesionit si mjek , por e pazakonshme e  qasja që ai ka për punën që sot fatkeqësisht mund të ngjaj si utopi tek shumë njerëz.

Fatjon Hajdari është 29 vjeç dhe prej 3 vitesh e gjysëm punon si mjek familje në zonën e Spitallës në Durrës, në qendrën shëndetësore nr.8.

Me qytetin bregdetar e lidh një dashuri e pashpjegueshme. Është lindur në Pukë dhe në vitet 2000 kur ishte 8 vjeç, zhvendoset me familjen në Durrës, në lagjen nr.18.

E folura e tij elokuente ka pak ngjyrim të dialektit të vendlindjes, por për të qyteti ku jeton është shtëpia, është familja, për të cilën e merr malli sa herë largohet.

Teksa e sheh në pamje të parë, të jep pamjen e një çunaku, por me sy që i shkëlqejnë sapo të nis e të tregon për ditën e parë të punës si mjek familje të bën të qëndrosh serioz teksa e dëgjonë.

“Emërimi im i parë si mjek familje ishte në zonën e Porto Romanos e cila është pjesë e qendrës shëndetësore nr.8 Durrës. Kjo zonë suburbane me një popullsi relativisht të madhe kontaktin e vetëm me mjekun kishte qendrën shëndetësore. E megjithatë jo të gjithë më besonin shëndetin.”, tregon Fatjoni.

Pandemia ishte një mundësi për tu thelluar në dije.  Sfida për të trajtuar dhe shpëtuar jetë nuk ishte e lehtë për supet ende të dobëta të djalit pukjan.

Të sfidosh frikën

Që në fakultet Fatjoni thotë se mësoi të dëgjonte këshillat e profesorëve që patën ndikim te ai.

Ai  flet me mirënjohje për një prej tyre, profesor Paskal Cullufin, mjek intern i njohur, me të cilin ruan kontakte edhe sot.

“Nga profesori mësova se të jesh mjek i mirë duhet të dyshosh gjithmonë. Jam përpjekur të kuptoj sa më shumë prej tyrë në mënyrën si ata e gjykojnë rastin”, thotë mjeku Fatjon Hajdari.

Kur e pyet nëse pacientët e besojnë, ai me buzëqeshje të thotë se në fillim ishte i ndërgjegjshëm për të kundërtën.

“Isha shumë i ri, normalisht e dija potencialin tim dhe pse jo ta mohoj kisha dhe frikë nëse do ja dilja të isha mjek i mirë.

Por ajo që më udhëhoqi dhe që më udhëheq edhe sot e gjithmonë në punën time si mjek, është dëshira për t’i shkuar deri në fund rastit që ndjek.

Në fillim kur pacientët nuk ndiqnin këshillat e mia, e merrja sfidë personale, por më vonë kur panë këmbënguljen dhe vëmendjen time, ndjekjen hap pas hapi të pacientit, ngulmimin për ti zbatuar udhëzimet e mia, mendoj se njohën një njeri që ishte në krah të tyre dhe si detyrë kishte të shpëtonte jetë dhe kjo më ndihmoi për të krijuar raporte të mira me ta”, tregon Fatjoni.

Karriera profesionale

Kur ndodhi tërmeti i 26 nëntorit familja e Fatjon Hajdarit ishte ndër të  mbijetuarat  pasi shtëpia e tij u dëmtua dhe sot bashkë me dy prindërit pensionistë jetojnë në banesë me qira. Por bashkë me grupet vullnetare ai u përfshi  në ndihmë të  banorët në çadra dhe në qendrat akomoduese. Bashkia e Durrësit i akordoi atij medaljen e mirënjohjes “Nderi i qytetit”.

Foto arkiv: Vullnetare te Kryqit te Kuq duke shperndare ushqime per njerezit e strehuar ne cadrat e ngritura nga ushtria ne stadiumin “Niko Dovana”, ne Durres, per te gjithe qytetaret, qe ju jane demtuar banesat nga termeti i fuqishem me magnitude 6.4 balle, qe goditi shqiperine. Ne stadium u vendosen edhe shtreter per qytetaret

Në mars të këtij viti emërohet drejtor i qendrës shëndetësore nr.8 duke patur në mbikqyrje dy pikat shëndetësore, të Spitallës dhe Porto Romanos.

“Në fillim e prita me skepticizëm ,sepse teknikat oprganizative, kur ke një staf të moshave të ndryshme ka nevojë për maturi në ndërveprim me personat”, thotë mjeku i ri.

Përveç postit, ai vijon të jetë mjek familje në pikën Shëndetësore të Spitallës. Fatjoni ndjek afro 4 mijë pacientë të zonave të ndryshme.

 “Edhe sot pas 3 vitesh ka pacientë që smë ndjekin. Por unë jam i rreptë në ndjekjen e terapisë, këmbëngul të zbatojnë udhëzimet e mia, ndjek rastet gjatë gjithë kohës dhe pas 3 vitesh punë mendoj se kanë arritur të më njohin dhe të më respektojnë”, thotë mjeku Fatjon Hajdari.

Për të, vitet e punës si mjek jo domosdoshmërisht të bëjnë profesionist. Gjatë këtyre viteve nuk ka rreshtur së studiuari dhe për të ky rrugëtim pa hulumtim është i dështuar në profesionin e mjekut.

“Unë eksperiëncën e kanalizoj në një patologji specifike. Mendoj se jam i zoti të hulumtoj drejt diagnozës, edhe pse dihet që nuk është betejë që mjekët e fitojnë gjithmonë por me studim dhe konsulta me kolegët mundohemi ti afrohemi”, thotë Fatjoni.

Në telefonin e tij gjatë ditës vijnë thirrje nga kolegë të ndryshëm, një prej tyre mjekja e familjes në një nga qendrat shëndetësore më të mëdha të Tiranës, Mirela Dhamo.

Bashkë konsultojnë raste të ndryshme të pacientëve të prekur nga COVID-19. Doktoreshë Mirela prej 20 vitesh mjeke familje në njësinë bashkiake nr.9 thotë se tek Fatjoni ka vlerësuar dëshirën e tij për profesionin, që rrallë e gjen sot tek brezi i tij.

“Të investosh në profesion do të thotë që ta duash atë dhe unë këtë kam parë tek Fatjoni, një dëshirë absolute dhe nevojën për të njohur gjëra të reja dhe një lloj entuziazmi që duhet ta ketë mosha e tij.

Përveç kësaj,  mjekësia është një profesion që sa më shumë ta njohësh aq më magjike bëhet. Fatjoni është një prej atyre prurjeve të pakta fatkeqësisht, që jo më larg se brenda 10 viteve do të ndryshojnë rrënjësisht mjekësinë shqiptare”, thotë doktoreshë Mirela Dhamo.

Përveç angazhimit zyrtar si drejtues i qendrës shëndetësore dhe punës si mjek familje, 29-vjeçari çdo të hënë është mjek roje në urgjencën e Pediatrisë në spitalin rajonal të Durrësit.

Nuk mjaftojnë ditët e gjata, e netët po ashtu sidomos kur ka raste të rënda të pacientëve me koronavirus, por e hëna është një ditë pune po aq e lodhshme e megjithatë ai e bën prej disa vitesh,

“Është një tjetër eksperiencë që më jep kënaqësi, çdo ditë mësoj gjëra të reja, dhe luftoj të jem i suksesshëm në terapitë që ndjek. Këto ditë kam trajtuar pacientë të vegjël me covid, nuk janë as 1 vjeç dhe sfida ime është të mësoj e mësoj për të mundur këtë virus të tmerrshëm që nuk po ndalet duke marrë jetë”,thotë mjeku.

E ardhmja e tij? Një mjek për Shqipërinë

Jam futur në gjimnaz me idenë e vetme të studioj mjekësi. Studiova fort dhe ëndërrova po aq fort. Kam qenë ndër 10 maturantët e parë në Shqipëri me rezultate të larta në Maturën Shtetërore dhe në vitin e parë të studimeve në Mjekësi përfitova nga fondi i Ekselencës.

 Në rezultatet e maturës shtetërore kam qenë ndër 10 maturantët e parë në Shqipëri me rezultate të larta, dhe një vit në fakultet kam përfituar nga fondi I Ekselencës.

Nga fakulteti mora bagazhin teorik të nevojshëm dhe sa më shumë literaturë cilësore të sugjeruar nga   profesorët e mi, dhe mbi të gjitha gjithë qasjen specialistike që ata kanë pasur.

Ajo çfarë kam mësuar, është të dyshoj dhe të studioj mbi ato dyshime, sepse diagnoza është një sfidë për të gjithë mjekët”, thotë Fatjoni i cili e sheh veten si një specialist që ende nuk ka vendosur fushën ku do të orientohet në një periudhë 10-vjeçare.

“Në mënyrën se si i mendoj gjërat duke i shkuar rasteve deri në fund e shoh veten specialist, nuk kënaqem duke referuar pacientin por dua ta ndjek deri në fund””, buzëqesh mjeku i ri.

E megjithatë një gjë është e sigurt. Pas kësaj dekade ai do të kthehet në shtëpi, në Durrës.

“Shumë kohë më parë, kur isha student e kam menduar emigrimin, por sa më shumë kohë ka kaluar që s’jam larguar, aq më pak mendoj tani të punoj jashtë.

Nëse mendoj të shkoj, gjithmonë mendoj se do të kthehem.

Nëse do më pyesje ku do isha pas 10 vitesh, do të thoja se e mendoj duke u kthyer me një valixhe në dorë në Shqipëri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë