Katar 2022

Një magji e Kasemiros çan bunkerin e Zvicrës dhe kualifikon Brazilin

Gazeta Si – Një gjuajtje e bukur e mesfushorit të Realit 7 minuta para fundit zhbllokon një ndeshje të komplikuar për Brazilin. Seleçao merr fitoren e dytë në dy ndeshje dhe siguron kalimin e grupit. Skuadra e Murat Jakin vetëm u mbrojt.

Kasemiro ne momenti e shenimit te golit te fitores. Gazeta Si, 28 nentor 2022

Brazili është skadra e dytë e kualifikuar për në fazën e 18-ve, pas Francës. Të besuarit e Tites, pa Nejmarin dhe Danilon, mundën 1-0 Zvicrën, që nga shqiptarët kishte vetëm Granit Xhakën në fushë.

Seleçao kishte kontrollin e ndeshjes gjatë gjithë kohës, por hasi në ‘bunkerin’ zviceran. Thuajse gjithë kohën u luajt në gjysmëfushën e Zvicrës. Gjatë pjesës së parë rastet ishin shumë të pakta.

Në pjesën e dytë Tite la në dhomat e zhveshjes Paketën dhe aktivizoi Rodrigon, duke shtuar forcat sulmuese. Vinicius gjeti rrugën e rrjetës, por goli i tij u anulua për një pozicion jashtë loje të Riçarlison, i cili mori pjesë në aksion.

Në fushë për Brazilin u futën edhe Antoni e Gabriel Jesus, por zgjidhja do të vinte nga Kasemiro. Mesfushori gjuajti menjëherë brenda zonës me të djathtën dhe mposhti Somer edhe me ndihmën e një deviijimi të Akanxhit.

Zvicra kërkoi barazimin dhe asnjëherë nuk u shfaq rrezikshëm. Tani kualifikimin do ta diskutojë në ndeshjen e tretë me Serbinë, kurse Brazili luan me Kamerunin, me kualifikimin në ‘xhep’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë