Prokuroria e Tiranës ka nisur një verifikim në lidhje me publikimin e të dhënave personale, paga dhe ID të rreth 630 mijë qytetarëve të ndryshëm. Dokumenti në formën e një linku që po përhapet me shpejtësi në platformat sociale, i përket muajit janar 2021.
Bëhet fjalë ndoshta për rrjedhjen më të madhe të informacionit, i cili ka të bëjë me pagat mujore të qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët punojnë në sektorin privat dhe në administratën publike.
Pas shpërndarjes së listës prej 630 mijë emrave të qytetarëve të punësuar në sektorin privat dhe publik, ku nuk përjashtohen edhe pagat e inspektorëve të Shërbimit Informativ, të Ushtrisë, Policisë dhe agjentëve të saj, prokuroria deklaron se ka nisur verifikimet për dyshimet e përhapjes së sekretit personal në bashkëpunim.
Tabela e plotë ka zbuluar materiale që cënojnë jo vetëm privatësinë e individëve të zakonshëm, por rrezikojnë dhe vjedhjen e identitetit apo abuzimet në rrjetet financiare apo bankare.
Dokumenti me pagat e qytetarëve mësohet se po shpërndahet masivisht përmes rrjetit Whatsapp dhe platformës Tik Tok dhe mund të hapet nga çdo pajisje elektronike.
Një rast i ngjashëm u ngrit nga publikimi i të dhënave të qytetarëve gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku u tha se databaza i përkiste patronazhistëve të Partisë Socialiste.
Për këtë rast fillimisht SPAK dhe më pas Prokuroria e Tiranës i mbyllën hetimet me argumentin se nuk provohet vepra penale.
Për skandalin e fundit, ka reaguar edhe ish-kreu i FRPD-së, aktualisht pjesë e grupit të Sali Berishës, deputeti Belind Këlliçi. Ai shkruan se i gjithë sistemi është vendosur në funksion të patronazhimit socialist.
“Dinë kë ke votuar, kë mund të votosh, nga do anosh; të gjurmojnë votën, dinë ku punon dhe sa e ke rrogën. Tatimet, QKR, e-Albania, Shqipëria që duam, të gjitha në funksion të patronazhimit socialist. Përdorin të dhënat personale për të krijuar klimën e terrorit psikologjik se shteti të njeh me rrënjë e dhëmballë. Si qëmoti edhe tani, e njëjta mendësi kontrolluese diktatoriale. Pikërisht nga ai që do hapi Ballkanin me koka peshku. Si një pijanik tavolinash të fryra, që pasi i vishen sytë nga avujt e alkoolit, ia nis të diskutojë me pathos edhe për gjeopolitikën”, – komenton Këlliçi në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




