Nga Gazeta “SI” – Sheshi “Nënë Tereza” tashmë do të shndërrohet në një hapësirë kulturore dedikuar librit. Sipas drejtoreshës së Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës, Frida Pashako projekti “Hënat e Tiranës” (Tirana moons) është një vepër e nga arkitektit Christian Prekt.
“Duke qenë se Sheshi “Nënë Tereza” prej vitesh tashmë është studiuar nga studiues të huaj dhe lokalë, të cilët madje e kanë propozuar dhe në UNESCO për vetë vlerat e tij arkitektonike, është menduar që sheshi të rijetëzohet duke u shndërruar në një hapësirë kulturore dedikuar librit”, tha Pashako.

Projekti i fundit synon ta shndërrojë këtë shesh në një hapësirë të ndarë në mini module, të dedikuara për qytetarët, familjarët dhe kryesisht të rinjtë dhe fëmijët. Së paku këtë theksoi arkitekti Prekt gjatë prezantimit të projektit.

“Ky projekt synon të jetë një strukturë e përkohshme, e përbërë prej materialesh të cilat riciklohen dhe ripërdoren sërish ndoshta në një qytet apo hapësirë tjetër. Aty do të vendosen rafte të shumtë për libra ku qytetarët mund të shkëmbëjnë, të sjellin ose të marrin libra por dhe të frymëzohen në hapësirat intime brenda moduleve. Gjithashtu projekti do të ketë dhe hapësira për ekspozita dhe për artistë të ndryshëm” tha Christian Prenkt

Nga sheshi i makinave në “librari”
Sesa efektiv do të jetë leximi në një ambient të tillë mbetet për tu provuar. Fakti që instalacioni përbëhet kryesisht prej druri por dhe nga pemë të sjella aty në vazo, mbetet një ide e mirë e cila e thyen paksa peizazhin gri të asaj hapësire. Por duke pasur parasysh se hapësira përreth do të jetë sërish e dedikuar për qarkullimin e makinave, ndotja akustike mbetet në nivele të larta, diçka e cila e vështirëson procesin intim të leximit apo dhe qoftë të një hapësire intime dhe frymëzuese, ashtu siç arkitekti e prezantoi. Gjithsesi projekti synon rijetëzimin e një zone kryesisht dedikuar vetëm trafikut të automjeteve.

Projekti “Tirana moons” do të përfundojë brenda një periudhë 6 mujore dhe do të ndërtohet nga materiale krejtësisht të rickliueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.