Një vend i dashur Beogradi. Kryeqyteti serb tërheq shumë turistë nga çdo cep që shijojnë arkitekturën e rrallë dhe kuzhinën e rëndë me mish. Megjithatë, një grup i fundit i të ardhurve ka “ngritur vetullat”. Pak kanë pritur që qytetarët e Burundit, shtetit më të varfër në botë, të shkonin në Ballkan për pushime. Mijëra kanë vazhduar të fluturojnë drejt Serbisë, që kur ajo njoftoi se burundasit mund të shkojnë atje pa një vizë, një privilegj i radhë për afrikanët që të udhëtojnë drejt Europës. Për surprizën e askujt, turistët nuk ishin atje të admironin shtëpinë e Operas në Beograd. Forcat e kufirit të BE-se, kanë raportuar një vrull të burundasve që futen ilegalisht në bllok, nga Serbia. Trafikantët marrin 3 mijë euro për kokë që të të kalojnë në kufi.
Autoritetet në Beograd, të cilat kishin hequr kërkesat për viza për Burundin si falënderim për tërheqjen e njohjes diplomatike të Kosovës fqinje, janë në proces të mbylljes pasi BE-ja kërcënoi se do ta vështirësonte hyrjen për vetë serbët.
Turistët fals nga Burundia nuk janë të vetmit që përpiqen për një jetë më të mirë në Europë. Hyrjet e paligjshme në BE janë shtuar kohët e fundit. Rreth 281.000 janë regjistruar që nga fillimi i vitit, me 77% më shumë që nga viti 2021. Shifrat më të fundit tregojnë se vetëm në gusht janë paraqitur rreth 84.500 kërkesa për azil në BE dhe fqinjët e saj (kjo përjashton ukrainasit, të cilët nuk kanë nevojë të aplikojnë për azil për të jetuar në BE deri në tre vjet). Kjo është shifra më e lartë në çdo muaj që kur një valë e ardhjeve në 2015-16 shkaktoi një krizë emigracioni që tronditi kontinentin.
Në atë kohë, fotografia e një foshnjeje siriane të mbytur, trupi i të cilit kishte dalë në një plazh, u përhap në mendjen e publikut dhe shkaktoi një përgjigje bujare, nëse e vonuar dhe e pabarabartë, e cila përfshinte Gjermaninë duke pranuar më shumë se 1 milion refugjatë. Deri më tani këtë vit 1.811 vdekje kanë ndodhur në Mesdhe, një shifër e zymtë. Mes luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike në të gjithë Europën, pakkush duket se i ka kushtuar rëndësi.
Një sherr politik mund ta ndryshojë këtë. Më 11 nëntor, autoritetet franceze siguruan me ngurrim një vend për Vikingun e Oqeanit, një varkë shpëtimi me 230 emigrantë që u kap duke u përpjekur të kalonte Mesdheun. Italia prej javësh kishte refuzuar ta linte varkën pranë brigjeve të saj; Franca ndërhyri për të shmangur humbjen e jetëve dhe denoncoi fqinjin e saj për sjellje “në mënyrë të papërgjegjshme” dhe në shkelje të normave ligjore. Giorgia Meloni, kryeministrja e re e Italisë, i kishte kaluar javët e para në detyrë duke u përpjekur të qetësonte partnerët e BE-së të shqetësuar për platformën e saj të së djathtës ekstreme dhe lavdërimet e së kaluarës për Musolinin. Papritur, dikur dukej sikur ajo mund të krijonte një dyshe me Emmanuel Macron, presidentin e Francës, ose të paktën të menaxhonte një marrëdhënie civile. Kjo duket e pamundur tani.
Më shumë emigrantë do të ulen në brigjet e Europës, dhe bashkë me ta edhe më shumë tensione të tilla. Afganët dhe sirianët ende po ikin nga situatat e dëshpëruara në vendet e tyre. Me ta janë aziatikët dhe afrikanët që kanë rënë në varfëri për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, të dyja të lidhura me luftën në Ukrainë. Covid-19 duket se ka bërë që emigrantët të vonojnë përpjekjet e tyre për të arritur në Europë, por jo t’i zvogëlojnë ata. Ndryshimet klimatike pa dyshim do të nxisin më shumë për të provuar fatin. Tani për tani moti jashtëzakonisht i ngrohtë, ndihmon në mbajtjen hapur më gjatë të rrugëve detare dhe tokësore, thekson Hugo Brady nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit në Vjenë.
Europa nuk është në gjendje për t’i pranuar ata. Bujarua shpirtërore që mund të ketë ekzistuar deri më tani, është zhdukur nga ardhja e afro 5 milionë ukrainasve të regjistruar që kanë marrë mbrojtje të ngjashme me azilin në BE që nga fillimi i luftës. Ndryshe nga viti 2015, ekonomia po shkon drejt recesionit, duke zvogëluar si mundësitë e mundshme të punësimit për emigrantët ashtu edhe të ardhurat nga taksat për t’i mbështetur ata. Disa vende tashmë janë në vështirësi. Në Austri azilkërkuesit janë vendosur në tenda, për tmerrin e OJQ-ve. Në Holandë, një foshnjë vdiq në një qendër pritjeje emigrantësh në gusht. Një rritje e varkave të vogla që kalonin Kanalin e shtyu Britaninë të pranonte t’i paguante para Francës për të patrulluar plazhet e saj e për të zbuluar dhe parandaluar nisjen e emigrantëve.
Wir schaffen das nicht (Ne do ta menaxhojmë)
Ringjallja e krizës së emigrantëve, edhe në shkallë më të vogël se ajo e mëparshmja, ngre dy probleme për Europën. E para është në nivel kombëtar. Për votuesit është në rregull ndihma e grave dhe fëmijëve që vijnë nga Ukraina. Për meshkujt që vijnë nga vende të tjra, jo dhe aq.
Angela Merkel, atëherë kancelare në Gjermani, tha në 2015-n “Wir schaffen das” .
Shumë pak mendojnë kështu sot. Politikanët populistë kanë fituar terren në bllok. Suedia, dikur mikpritëse për azilkërkuesit, tani drejtohet nga një qeveri me në krye një parti anti-emigrantë.
Problemi i dytë është koordinimi. Qasja e Europës për tu përballur me emigrantët është një rrëmujë midis politikave kombëtare dhe europiane. Europianët e jugut kanë rregulla që i mbështesin aplikimet për azil, në Greqi ose Itali p.sh. Ata do të donin që edhe shtetet e tjera të bënin të njëjtën gjë me emigrantët, që në fakt do të përfundojnë në Gjermani gjithësesi. Veriorët do të bien dakord vetëm për një skemë vullnetare, që nuk ka funksionuar mirë aspak. Kjo ka ulur besimin.
Jugorët nga ana e tyre akuzohen se kanë shkelur rregullat, duke keqtrajtuar azilkërkuesit dhe duke i shtyrë ata të udhëtojnë në vendet e tjera të BE-së për të kërkuar strehim. Si rezultat, kontrollet kufitare që dikur ishin hequr brenda bllokut kanë bërë një kthim të padëshiruar në shumë vende.
Përmirësimet që nga viti 2015 janë fokusuar kryesisht në mbajtjen e emigrantëve jashtë. Frontex, agjencia kufitare e BE-së, është forcuar. Vende të tilla si Libia dhe Turqia, përmes të cilave shumë emigrantë vijnë në Europë, janë paguar për të ndihmuar në frenimin e fluksit edhe me koston e mbështetjes së regjimeve të dyshimta. Por, pasi nuk arriti të bllokojë ardhjet e emigrantëve, Europa tani do të duhet të merret me ta. Pikërisht aty dështoi në vitin 2015 dhe ende nuk ka një plan./TheEconomist
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.