Nga Edmond Prifti - E vërteta qëndron se shumë besuan se qeveria ishte rrëzuar, kur fotografi, piktori e koleksionisti, Leon Çika, ndryshoi vitrinën e fotografive të ATSH-së në vitet ’80.
“Në fakt, nuk ra fiks qeveria, por kjo ka qenë një thënie e një fotografi, pas rrëzimit të komunizmit përgjatë një emisioni televiziv, ku ra fjala për vitrinat e ATSH-së, apo pjesë të propagandës së shtetit shqiptar, me pamje nga uzinat e fabrikat pa gëzime të brendshme dhe me njerëz indiferentë. Kjo ishte koha kur Arqile Aleksi, drejtonte atë institucion e më morën si shef i departamentit të fotografisë, duke vendosur njerëz të gëzuar... Ika në Veri, në Lëpushë, Kelmend, e gjeta edhe njerëz të gëzuar, e po ashtu një natyrë të tillë,” më thotë ai.
Dhe këtë Çika, e mësoi shumë vite më pas, se si ideja e tij kishte qenë revolucionare për kohën, “duke shndërruar njeriun socialist”, në një njeri të qeshur e foto-reportazhe, nga gjithë Shqipëria. E kështu shumë vite më pas, ai mësoi se gjithë njerëzit që shihnin ato stendat shumëngjyrëshe të ATSH-së, menduan se, qeveria kishte rënë...
Por megjithatë, kujtimet më të këndshme të një pune 26-vjeçare, Leon Çika, ruan ato si reporter i Agjencisë “Reuters”. E megjithatë, aktualisht në pension, prej fare pak kohësh, ai vijon pikturat, fotografitë, apo fotografitë si piktura, të bashkëngjitura albumeve, librave apo ekspozitave me gjithë ato frame, në të dy zhanret.
Çika përmend gjatë intervistës së tij për Gazetën "Si", se një fotografi është shumë herë më e vështirë se sa një pikturë.
“Fotografia i merr kohë piktorit dhe është më aventureske. Një piktor arratiset në lëvizje dhe ka një klas tjetër,” shton ai.
Teksa e pyesim për origjinën e tij, shprehet se “Nëse do t’iu flas para 2000 viteve, dal që jam kelt, por kurrë nuk ma kanë thënë këtë, ama! Përtej shakave, prej 7 brezash, familje arsimtarësh. Pika më e fortë ishte gjyshi im, Leonidha si emri im, por shkurt Leon i cili edhe hapi shkollën e parë shqipe, në Dardhë (Korçë)” Mw tej ai tregon se ka trashëguar një koleksion jo të vogël filatelik e nuzmatik, e një prej tyre është monedha e Balshajve, ku edhe historiani Kristo Frashëri, i ishte lutur vite më parë që t’ia dorëzoja Muzeut Historik Kombëtar, pasi janë veçse tre të tilla, në botë.
“I thashë, ta vjedhin edhe atë si arkivin e ATSH-së? E megjithatë, ishte gjyshja ime ajo që më rriti, nuk më tha kurrë zbrit nga pema, apo mos shko në pyll se është rrezik, e ajo më dha dashurinë për natyrën. E sot kam një shtëpi që e rindërtova mbi themelet e shtëpisë së vjetër të tyre, aty ku punëtorët gjetën një filxhan duke e rikujtuar sërish...pasi ai ishte filxhani që gjyshja ime më jepte kafe, kur isha i vogël. Kjo ishte një shenjë!”, saktëson Leon Çika.
“Vitrinat nxinin, e doja të bëja njerëzit të ndalonin një çast”
“Doja t'i bëja njerëzit të ndalonin tek vitrinat e ATSH-së, me fëmijët e vegjël dhe loja me kundra-dritën. Kur i pa drejtori, u gëzua. Unë nuk dija gjë se, çdo thuhej më vonë, e një nga fotografët e ftuar në panel, Alqi Golloshi, në një emision në Top Channel tha se Leoni kur ndërroi vitrinat menduam se ishte rrëzuar qeveria”, thotë Çika në këtë ekskluzive për Gazetën "Si", teksa ka rrëfyer për institucionin më të fuqishëm të propagandës asokohe, për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, të fund vitit të ’80-ës.
“Ato vitrina, nxinin e nuk kishin një gëzim. Më morën si shef të departamentit për të ngritur nivelin artistik, pasi unë vija nga artet nga shkolla e pikturës. Taqo Zoto, sekretari i Parisë dhe Arqile Aleksi, drejtori, e pranuan fillimisht si ide, ndonëse me mëdyshje, duke i thënë se do ndërroja vitrinën me njerëz të gëzuar apo pamjet e bukura të Shqipërisë, e duke bredhur kështu ngado, me një “Rolleiflex 6006” me film, si dhe me diapozitivët e negativët. Gëzonte natyra me pakëz pranverë apo dëborë. Nuk kisha për qëllim revolucionin, por gëzimin. Futa njeriun tonë pasi kishte veçse plenume, Enver Hoxha, punëtorë e fshatarë. U mora me gocën time, me ca kundra-drita, pra artistike. Drejtorit i pëlqyen dhe u prit mirë. Ra sistemi komunist dhe në atë emision e mësova për herë të parë, këtë gjë e njëherazi, pas aq vitesh kuptova se, çfarë ndryshimi kishte bërë ajo vitrinë”.
Leon Çika, një “dardhar-kelt”?
Pasi buzëqesh, thotë se, “kjo nuk ka të bëjë as me komunizmin e as socializmin, por as edhe me Keltinë”.
“Teksa ngrihem një ditë, i them Lolës, - vajzës sime të madhe, që “jam anapulla komplet, nga gjithë njerëzit. Më pëlqen shiu, kur të gjithëve iu pëlqen dielli. Shkoj të bëj piktura dhe më pëlqen jeshilja pakëz e zënë, siç thonë shqiptarët, e ca ngjyra që nuk janë fare mesdhetare.Për çudi më pëlqen muzika country, por edhe ajo e vendeve veriore”, “O bab, më mërzite”,- më thotë. “Thjesht je kelt, e mos më çaj kokën!” Thjesht u pozicionova e thashë me vete që edhe mund të jem por me kalimin e kohës, duke parë e shikuar më tepër këtë botë, pak të njohur, këtë botë të Irlandës, Skocisë a Uellsit, kuptova që janë njerëz me energji të pashtershme, më të vegjël se ne, por me një patos të madh, - jo thjesht patriotik, por ata që i dhanë 20 presidentë, Amerikës. Atëherë thashë, ja vleka të jesh kelt, më mirë se me qenë shqiptar. Atëherë, nëse do më quaj kelt, e nëse do, dardhar, - si të duash”, thotë duke buzëqeshur, Çika, në këtë rrëfim ekskluziv për “Gazetën Si”.
Si “turpërova” grekët dhe inferioriteti
Leon Çika, po përgatitet së shpejti për një ekspozitë në Korfuz të Greqisë, ku sipas tij pothuajse 5, nga shumë prej pikturave të tij që do marrin pjesë, janë me flamuj grek.
”Jam i sigurt se do më pyesin gazetarët grekë pse dhe do ti them që është kompleksi i inferioritetit, në këto popujt tanë ballkanik. Unë e di se ndodhem në Greqi, e nuk ka nevojë të shohësh flamuj kudo e ngado,” thotë ai.
Por sipas Leon Çikës, ndonëse midis thonjëzave, teksa e pyesim më tej, për një turpërim të grekëve të Kretës, kohë më parë ai thotë se, “unë asnjëherë nuk nisem ‘për të turpëruar’ dikë, por shpesh herë jam rebel e provokoj në kuptimin e mirë të fjalës”, rrëfen Çika.
Duke ngjizur këtë bisedë në detaje, piktori, fotografi apo reporteri, thotë se vite më parë, “po rrija në një lokal në Kretë, e siç nuk më pëlqen dielli, si kelt që jam, po pija një gotë, e duhanin si gjithmonë, nën një hije. Shoh përqark lokalit, 6 flamuj grekë e përtej hedh nga plazhi i tyre privat, ku flamuri grek ishte i grisur krejt. Më erdhi keq...e mendova, a janë në terezi këta njerëz, turizëm, plazh e këta edhe flamurin e vet nuk e respektojnë? Aty për aty, i them zonjës së lokalit, një bllof që mund edhe ta kisha ngrënë mbrapsht, duke i zgjatur edhe para, madje nga portofoli, e duke i thënë ‘Nuk e shoh dot atë flamur grek të grisur, duke pirë kafen. Ajo u skuq dhe më tha se do ta ndërronte, menjëherë’. E kështu, që nga ajo ditë, e deri sa mbarova pushimet, i kalova pa paguar asnjë euro kafeneve, duke mësuar të gjithë në zonë se si një shqiptar, donte të ndërronte flamurin e grisur grek”, - thotë Çika për “Gazetën Si”.
Leon Çika në studion e tij për Gazetën "Si" Lojërat me ngjyra "Mu Life" është titulluar kjo fotografi nga Leon Çika Në shtëppinë e tij, apo në studion e dytë të Leon Çikës. Një fotografi e realizuar nga fotografi për ekspozitën "Fotografia flet shqip" Njq nga fotografitë e tij dhe lojëra me ngjyra. "Fealing" një ndër pikturat e Leon Çikës
Sërish i rikthehemi bisedës ku në fillim të pranverës Çika, pret të hapë një ekspozitë pikture në Korfuz të Greqisë, duke thënë se, “Korfuzi nuk është thjesht Greqi, por një shumëkombësh, venecian, britanik, austriak, francez dhe ku gjithkush ka vënë dorë e ndërtuar atë. Një qytet multinacional, paçka i Greqisë. Korfuzi m’u duk si qyteti im! Me spektër të gjerë dhe intim, duke ngjarë edhe me Venecian”. Mos ndiheni tashmë edhe pakëz grek? “Jam internacional, u ndjeva mirë. Jam grek, amerikan, serb, ballkanas...”.
Aty ri-përmend sërish keltët, duke thënë se sa më shumë vite kalojnë ata në Amerikë, aq më shumë keltë ndihen, duke e dashur edhe më shumë vendin e tyre dhe të kontribuojnë për të.
“Jam edhe në një faqe në Facebook, ku nuk shoh një fotografi që të ngrihet flamuri irlandez, apo të thonë ‘O sa mirë me qenë irlandez’, apo (pseudo)patriot...por nxjerrin veçse foto të urave të prishura, qyteteve, mureve të lashta, hekurudhave, e si të hedhin para në vendin e tyre, - një shembull mjaft i mirë edhe për ne,” cilëson Çika.
Pikturat, apo fotografitë e tij si piktura?
Të shohësh studion e Leon Çikës, e ndodhur dikur pranë zonës së quajtur, Liqeni i Thatë në Tiranë, ajo është tejet miqësore, e rrethuar nga ngjyrat e pikturave të tij shumëngjyrëshe, e hera-herës “i rrethuar” nga abstraksioni i pikturave të tij të varura ngado. Një pikturë ende pritet të përfundojë. Më tej në një dhomë të dytë, ku në të djathtë ndodhen pikturat e tij, diku “fshehtazi” ca nudo, e pranë ato “lojërat” me dritë-hijet. Vërehen ca rrugica ku në shumë prej tyre, shkallë që zbresin, e diku një ndriçim.
“Gjirokastra e Berati, janë dy qytete që unë i kam përzemërt dhe ka të bëjnë shumë me intimitetin e rrugicave, çka unë i kam pikturuar ato dy qytete. Që kur isha i vogël, rrija me muaj në Gjirokastër, kryesisht, e në Berat më vonë, ashtu si edhe me fotografinë. Për çudi jam akoma duke bërë këto dy qytete, pasi më duket se akoma nuk e kam bërë mjaftueshëm, më duket se ka vend ende dashuria në këto qytete, për t’u shfaqur më dashuror, në veprat e mia”, - thotë Çika, ndërsa e pyesim, se pse pikërisht në detaje këto qytete e ai vijon se, “janë pikërisht dy qytete më të strukturuara, që kanë një fizionomi interesante, shumë intime e të veçantë, më shumë Gjirokastra pasi është në tërësi, e më pas Berati, pasi ka veçse dy lagje... E prek çdo gjë, e konvertohet në atë që para 300 viteve, që e kishte prekur dhe dikush tjetër. Mosha e njeriut është tejet e shkurtër për të përcaktuar historinë e qyteteve, por gjatë jetës sime e kam ndjerë edhe regresin, sidomos me Gjirokastrën në atë çka qenë para 30 viteve. Tani gjërat janë kthyer ndryshe, e nuk ishte veçse komunizmi, por në atë qytet jetohej dikur...”, thotë Leon Çika, për dy qytetet e tij të dashura, ku sipas tij në 10 vite, janë shkretuar më se 200 shtëpi.
Reporter i “Reuters”, deri në “thinje”
“Të kesh qenë me ‘Reuters’, je kudo”, - thotë Çika, i cili punoi prej 26-vitesh pranë agjencisë më të madhe të botës. Sot ai madje ka arkiva personale me vlera kolosale, ndonëse në përgjithësi Çika thotë se, “për të gjitha periudhat kohore shqiptare, nuk ka arkiva”, duke përmendur “dashje pa dashje”, edhe Arkivin Qendror të Shtetit, apo aty ku edhe ai punoi për vite të tëra, atë të ATSH-së, ku “ishte një arkiv që ruhej, e nuk është më.
“Mezi gjejnë pesë foto, që janë diku dhe negativë që nuk ekzistojnë. Nuk janë veçse për figurat e propagandës apo udhëheqjes, e po ashtu arkivi nuk ka të bëjë me urrejtjen. I shkatërruam! Në një farë mënyre jemi vetë shkatërrues. Madje edhe gruaja ime më ka shkatërruar shumë prej tyre, pasi i kishin zënë vendin. Ashtu edhe me ato shtetëroret, dikush i vodhi, dikush i shiti,” thotë ndër të tjerash Çika, duke ironizuar këtë realitet të trishtë. Por pak vite para se të vinte kjo detyrë, (Reuters) Çika, ndërkohë që ishte drejtues i fotografisë në ATSH, thirret që të punonte pranë Muzeut “Enver Hoxha”, për të cilin ai kujton: “Unë vija nga Muzeu i Krujës, e më morën si piktor, por edhe si fotograf, e bëhej fjalë për fondalet dhe si do mbaheshin fotografitë në ato pavijonet gjigante. Realizuam asokohe, pothuajse e pamundur, fotografi të printuara 16 me 6 metra dhe e gjitha kjo me proces fotografik, duke i ekspozuar në ekrane kinemaje si ajo e “Ali Demit”, e më tej e zhvillonim atë në ATSH në makinën e madhe që e quanim Safaji”, rrëfen Çika, për vitet e punës të kaluara në ATSH, por edhe si drejtues i Muzeut “Enver Hoxha”, apo siç njihet rëndom edhe “Piramida”, e cila pritet sërish, të ndryshojë formë. E sot, kur Leon Çika, ka veçse pak kohë që ka dalë në pension pas 26 viteve në “Reuters”, thotë se, ditët e tij janë tashmë të shkëlqyera, ndërsa vijon se, “nuk e prisja që ato të ishin ditët e mia më të bukura”.
Flowes. kështu e ka titulluar Leon •ika këtë fotografi. PEisazh rural nga dora e piktorit. Berati, Punim në vaj, kanavac, në vititn 2015 "Unë do të thoja pikturë, ju do të thoni foto," kështu është shprehur Çika për lëtë foto Zor se dallohet në pamje të parë fotografia nga pikturat apo anasjelltas e Leon Çik⌂s.
”Janë më të qeta? Jo, janë më të lira! Më pak shokë, më pak njerëz që të vijnë vërdallë, por shumë më tepër liri. Tani bëj atë që kam ëndërruar gjithë jetën, pas 26 viteve si gazetar lufte, ku sot apo nesër isha këtu e aty e nuk isha i lirë, çfarë ndodhte e që duhej të ishe në lojë, pra s’ka përmbytje, as tërmet, as Bashë apo as protesta kundra Ramës. Nuk kanë qenë për qejf, por kanë qenë punë. Por edhe jam shpërblyer, e kam respekt për ‘Reuters’. Na ka shfrytëzuar, por edhe mbajtur, si mund të them, një familje e madhe në gjithë botën që quhet ‘Reuters’. Madje edhe po të ishe pa pare diku, i thoshe vetes, po vete tek shtëpia ime të marr një borxh. Ishte një familje e madhe ku ishin, keltë, zezakë, arabë, italianë, grekë, serbë, e gjithë racat, duke punuar bashkë dhe duke i dhënë vetes një tjetër hapësirë. Kur thonë kozmopolitë, kjo do të thotë,” rrëfen Çika.
A ishte ajo më e gjata apo më e bukura, ndër punët e tua?- e pyes
“Hmmm ishin situata të dhimbshme për kombin si 1996 apo 1997, aty ku vritej fëmija, aty ku shikoje një dhunë të paparë, vuajtjet e lemeritë e këtij populli. Më thinji dhuna! Eh, kemi pasur e plot gjëra të bukura se, kjo punë, kështu është...”, përfundon rrëfimin e tij ekskluziv për “Gazetën Si”, fotografi, piktori, reporteri e koleksionisti, Leon Çika.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.