Vende dhe Udhetime

Një kafe turke në çardak…

Nga Sabina Veizaj- Tek prisnim të komunikonim me drejtorin e Muzeut Etnografik të Beratit, Agron Polovina, guida e muzeut, Gladi Caka na shoqëron të vizitojmë këtë vend, i cili është një nga atraksionet më të rëndësishme të qytetit historik dhe turistik.

Godina ku është vendosur Muzeu Kombëtar Etnografik në vitin 1979, e ndërtuar në shekullin e X VIII, por sipas dëshmive që na tregoi drejtori më pas, ajo mund të jetë godinë edhe më shumë e hershme, është banuar nga familje fisnike beratase; Llavda dhe të fundit që e kanë banuar kanë qenë Xhokaxhinjtë.

Muzeu Etnografik Berat

Muzeu ka një oborr të bollshëm me lule dhe pemë (shege). Është i vendosur në një nga lagjet më të rëndësishme të Beratit, atë të Mangalemit (kuptimi: krahu i lumit) dhe në katin e dytë tek merr shkallët e jashtme gjendet çardaku (holli) në të cilin janë ekspozuar të gjithë elementët e tarshëgimisë kulturore të qytetit.

Ndanë murit, në të djathtë të shkallëve është i varur një koleksion me fotografi të vjetra bardhë e zi në të cilin tregohet Berati i vjetër.

“Fotografitë janë disa pjesë e fondit të arkivës shtetërore austriake dhe pjesa tjetër fotografi origjinale të fotografit berates Xhimi Tiku i cili ka ndërruar jetë tashmë”- më shpjegon djali i guidës.

Tek e pyes nëse turistët thjesht vizitojnë muzeun apo janë të interesuar dhe pyesin, më përgjigjet se të gjithë pyesin.

Në të vërtetë të gjithë turistët që vërejta gjatë kohës që qëndrova në muze, kishin materiale orientuese nëpër duar dhe kërkonin shpjegime nga guida. Kryesisht ndaleshin tek fotot, kurse fëmijët tek objektet.

Vizitorë shqiptarë dhe guida Gledi Caka

Mandej drejtori mbërriti nga takimi i rëndësishëm që kishte në zyrën e tij dhe na ftoi të uleshim për një kafe turke në çardak.

Ai na foli i kënaqur sepse Berati të paktën 5 vitet e fundit ka njohur një trend në rritje të konisderueshme të turistëve, veçanërisht të atyre që vizitojnë Muzeun Kombëtar Etnografik.

Sipas tij, Berati është një destinacion tërheqës për vizitorë të ndryshëm që kërkojnë të gjejnë një cilësi të lart të shërbimit në ditë të zakonshme, në ditët e pushimeve apo të festave gjatë gjithë vitit.

Lagjja Goricë

Vizitori në Berat, më tregon Z. Polovina, mund të shijojë ansamblet e papërsëritshëm të banesës qytetare, të përshkruaj rrugicat intime, të ndjejë melodinë e këngëve qytetare, të vizitojë monumentet e kultit me realizimet mjeshtërore brenda tyre duke u futur në atmosferën e kohës kur ato u krijuan.

Në Berat ai që vjen, thotë drejtori Polovina, është një mik i dëshiruar që mund të shijojë fantazinë e gatimeve të shëndetshme tradicionale, të provojë adrenalinën e përshkimit të kanioneve të thellë e ujëshumë, udhëtimet në lartësinë e shenjtë të Tomorrit me borën e pranishme dhe në mesin e gushtit.

Z. Polovina e sheh me një perspektivë të qëndrueshme turizmin në Berat, sepse beratasit janë ndërgjegjësuar tashmë për vlerat që bart qyteti i tyre dhe po ua transmetojnë ato mysafirëve…

Agron Polovina, Drejtori i Muzeut Etnografik Berat

Ku është vendosur Muzeu Kombëtar Etnografik, kujt i ka përkitur si godinë dhe në cilin vit daton? Kur është ngritur si muze?

Në zonën e mbrojtur, shumë pranë Qendrës Historike, ansamblit të banesave të lagjes Mangalem, në krahë të rrugës për në Kala ndodhet Muzeu Kombëtar Etnografik.

Prej vitit 1979 ai është përshtatur në banesën e familjes Llavda, një ndërtim karakteristik e tradicional të qytetit te Beratit. I përket banesave dykatëshe të tipit me çardak të hapur në një krahë e ndërtuar në fillim të shek XVIII.

Lidhja e dy kateve realizohet nga shkallë njëfishe me harqe e harkada guri të cilat së bashku me parmakët, strehët e gjera e elementet e tjerë konstruktivë prej druri në katin e dytë, i japin asaj një pamje të veçantë dhe mbreselënëse.

Ky tip banese banohej kryesisht prej familjeve të tregtarëve të pasur dhe pronarëve të tokave. Vëmendje kryesore në këtë banesë i kushtohet mjediseve të hapura të hajatit që zënë tërësisht katin përdhe dhe çardakut të katit të sipërm i cili komunikon me të gjitha dhomat që shërbenin për qëndrim, pune, gatim, ngrënie e fjetje.
Muzeu Kombëtar Etnografik me një koleksion të pasur prej 1300 objektesh është një dëshmi e rëndësishme e kulturës e traditës së pasur dhe interesante të trevës së Beratit.

Berat

Në katin përdhe që ka shërbyer për aktivitetin ndihmës të familjes, në rrugicën e improvizuar të “Pazarit mesjetar” me dyqane në të dyja anët janë prezantuar disa zeje përfaqësuese më të zhvilluara të trevës; veshje e zbukurime grashë që shkëlqejnë nga filli i arit e argjendit, veshje burrash të zonave malore, punime argjendi e bronzi ne teknikën e filigranit, stampimit e savatit, punime bakri në teknikën e rrahjes, gdhendjes etj që dëshmojnë nivelin e zhvillimit, mjeshtërinë e lartë të realizimit si dhe shijet aristokratike të qytetarëve.

Ndersa në pjesën e hapur të hajatit janë prezantuar zejet që ushtroheshin në kushtet e shtëpisë, për nevoja familjare, por dhe për treg, vegla e mjete pune të kovaçit, poçarit, kompleksi i prodhimit të vajit të ullirit, mëngëra bashkë me presën e drunjtë, disa elemente arkitektonike prej guri e objekte arkeologjike.

Hajati lidhet në mënyrë të natyrshme me pusin dhe oborrin ku janë të ekspozuar objekte gurgdhendjeje dhe qeramikë.

Ndërsa kati i sipërm përherë ka shërbyer për banim dhe funksionet e përditshme të familjes. Në mjedisin e hapur, çardaku me qoshkun, janë elementët më të spikatura të banesës që shërbenin si mjedis qëndrimi dhe për kryerjen e disa veprimtarive të stinës.

Ndërsa në mjediset e brendshme të banesës, është ekspozuar pjesa tjetër e koleksionit me objekte të përdorimit, të gatimit, të punës etj, duke parqitur mënyrën e jetesës, traditat, zakonet dhe organizimin e familjes qytetare në shek XIX.

Mjedisi më i rëndësishëm i banesës qytetare është “dhoma e miqve” në të cilën kryhej veprimtaria ceremoniale e familjes. Me interes të vecantë janë zbukurimi interierit, kompleksi musëndër - mafil, tavani, dollapet e murit, oxhaku dhe servisi i ushqimit.

Si është trendi i vizitorëve në këtë muze ne vitet e fundit? Cilat kombësi dominojnë? Po shqiptarët vetë vijnë?

Muzeu Kombëtar Etnografik është një nga muzetë më të vizitueshëm dhe destinacion i pashmangshëm i intinerarit turistik në qytetin e Beratit. Gjatë vitit të kaluar në periudhën Janar – Dhjetor u vizitua nga më shumë se 8500 vizitorë vendas dhe të huaj. Trendi i rritjes së vizitueshmërisë nga viti në vit në këtë muze është i konsiderueshëm po të kemi parasysh se vite më parë (në vitin 2013) ka pasur rreth 2000 vizitorë në vit që shpreh rritjen në vazhdimësi të vizitueshmërisë (425%) në këtë muze, por edhe ndikimin që ka dhe rëndësinë në zhvillimin e turizmit.

Ndërsa këtë vit, në periudhën Janar – Korrik, Muzeu Kombëtar Etnografik u vizitua nga 5034 vizitorë vendas dhe të huaj.

Muzeu Kombetar Etnografik është i frekuentuar nga vizitorë që vijnë pothuajse nga të gjitha vendet, por kryesisht fluksi i tyre është dominuar nga vizitorë prej vendeve të Europës perëndimore; gjermanë, francezë, italianë etj. si dhe ka një rritje të ndjeshme të spanjollëve, të izraelitëve e hollandezëve në këtës vit.
Por na gëzon fakti që janë gjithnjë e më të pranishëm si numër vizitorët vendas e shqiptarë nga viset e Kosovës e Maqedonisë të cilët preferojnë të vizitojnë bashkë me familjet e tyre Beratin dhe veçanërisht muzetë në muajt e dimrit apo fundjavave.

Trend në vitet e fundit është rritja e numrit të vizitorëve me moshë 14 - 26 vjec, ndërkohë që baza e vizitorëve tanë ka qenë mosha e tretë.

Vizitorë nga shkollat


Vizitorët më të shumtë mbërrijnë nëpërmjet agjensive, të tjerë janë individual apo familjarë, por ka dhe nga ata që kanë interesa për njohjen vlerave të trashëgimisë së kulturës së qytetit të Beratit. Obligimi ynë është që përherë të largohen me mbresa shumë të mira.

Pse duhet vizituar Berati? Çfarë mund të shohin turistët në Berat?

Një herë në jetë duhet të udhëtosh në Berat pasi ke mundesinë të vizitosh dy muzeume të veçantë e të marrësh përshtypje të pashlyeshme të larmisë, kompleksitetit, të bukurisë e shumllojshmërisë së vlerave të trashëgimisë kulturore të koleksioneve të rëndësishme të ikonografisë, të kulturës së jetesës dhe artizanatit, kostumeve popullore, etj

Berati është një destinacion tërheqës për vizitorë të ndryshëm që kërkojnë të gjejnë një cilësi të lart të shërbimit në ditë të zakonshme, në ditët e pushimeve apo të festave gjatë gjithë vitit.

Vizitori në Berat mund të shijojë ansamblet e papërsëritshëm të banesës qytetare, të përshkruaj rrugicat intime, të ndjejë melodinë e këngëve qytetare, të vizitojë monumentet e kultit me realizimet mjeshtërore brenda tyre duke u futur në atmosferën e kohës kur ato u krijuan.

Në Berat ai që vjen është një mik i dëshiruar që mund të shijojë fantazinë e gatimeve të shëndetshme tradicionale, të provojë adrenalinën e përshkimit të kanioneve të thellë e ujëshumë, udhëtimet në lartësinë e shenjtë të Tomorit me borën e pranishme dhe në mesin e gushtit.

Në Berat mbrëmjeve të verës mund të shijosh një pije ulur anës shëtitores, në shoqërinë e banorëve dashamirës apo të meditosh në intimitetin e shushurimës freskuese të lumit.

Si e parashikoni të ardhmen e turizmit në këtë qytet?

Ajo që mendoj dhe besoj është se në qytetin e Beratit me asetet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, mundësitë për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit janë përherë në rritje për të pritur një numër më të madh vizitorësh.

Turizmi është një aktivitet që u shkon beratasve, pasi ata shquhen për traditën e mikpritjes dhe të gatimit e veçanërisht janë të pashoq në miqësi.


Ka një ndërgjegjësim të banoreve për shtëpitë e tyre në ansamblet muzeale, vlerat që trashëgojnë; qilima, zbukurime, veshje tradicionale, foto të vjetra që janë pjesë e historisë së familjeve të tyre, trashëgimia që u kanë lënë të parët.

Në Berat tashmë kemi një turizëm që po shtrihet pergjatë gjithë vitit, jo vetëm në sezonin e verës.

Sot kemi një rritje disa herë të numrit të turistëve e vizitorëve në Berat krahasuar me pak vite më parë, një rritje të numrit të shtretërve dhe njësive të shërbimit me të njëjtin trend.

Tani përherë e më shumë ka një vëmendje më të madhe të institucioneve të qeverisjes vendore e qendrore e institucioneve të tjera për mbështetjen e turizmit dhe bizneseve lidhur me të.

Përherë e më shpesh shoqata të rëndësishme të operatorëve turistikë po e rekomandojnë Beratin në çdo sezon si destinacion që s’duhet anashkaluar.
Unë e shoh shumë të bukur të ardhmen e turizmit në qytetin e Beratit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë