Vende dhe Udhetime

Një hotel i vogël në skaj të botës që nxit lidhjen me natyrën

Gjëja më e mirë nga ky hotel është prespektiva e re që mund të fitojnë vizitorët.

Në një ishull të largët në Arktik, një muzikant po drejton një projekt mikpritjeje si askush tjetër dhe duhen të gjitha aftësitë e tij improvizuese për ta vazhduar atë.

I lidhur me shkëmbinjtë e rrëmbyer nga era, në ishull është një pamje ndryshe: një hotel i vogël me vetëm katër kabina moderne të gjumit. I vendosur 40 minuta larg brigjeve të Norvegjisë, ishulli Sorvaer është aq i largët sa pjesa tjetër më e afërt e tokës është bregu lindor i Grenlandës, më shumë se 2000 km larg. Pamjet nga pika më e lartë e ishullit tregojnë balenat që dalin në sipërfaqe, shqiponjat dhe hapësirën e pafund të Oqeanit Arktik. Por ndoshta e veçanta e këtij hoteli është perspektiva e re që ata mund të fitojnë për jetën.

Jeta në ishull është unike dhe hoteli në atë vend të izoluar, The Arctic Hideaway, është po aq i pazakontë. Është mjedisi i duhur për një lloj përvoje të veçantë, ku klientët bëjnë një udhëtim të mundimshëm për të përjetuar natyrën e paprekur, për të gjetur pushim nga përditshmëria dhe për të zbuluar vlerën e jetës.

Havard Lund

Kjo është e gjithë ideja, sipas pronarit dhe muzikantit të xhazit Havard Lund, i cili fillimisht e krijoi hotelin si një hapësirë ​​krijuese bashkëpunuese në vitin 2016 pas bashkëpunimit me një inxhinier mekanik dhe një skenograf.

Përvoja e ndihmoi të kuptonte se ne të gjithë mund të ndihmojmë njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme dhe se duhet të ketë një vend për të gjithë në botë.

“Zbulimi se unë, si kompozitor, mund ta ndihmoja inxhinierin në sfidat e tij dhe se skenografi mund të më ndihmonte të bëja muzikën time, ishte një ndryshim në jetë”, tha ai.

Projekti sot funksionon si hotel për nëntë muaj të vitit. Disa njerëz shkojnë duke kërkuar hapësirë ​​për të menduar dhe shkruar; të tjerët janë vëzhgues zogjsh, zhytës ose muzikantë që kërkojnë frymëzim në natyrë. Pasi ata janë aty, gjithçka ka të bëjë me gjërat e thjeshta: eksplorimin e ishujve të pabanuar aty pranë, duke parë natyrën dhe duke luajtur përgjatë bregut.

Vizitorët inkurajohen të shpenzojnë kohë jashtë në natyrë në vend që të qëndrojnë në hapësirat e vogla.

Dizajni, me kabina të vogla gjumi, i inkurajon mysafirët të kalojnë kohë jashtë ose në kuzhinën dhe hapësirën e përbashkët, duke nxitur lidhje me të tjerët. Lund beson se izolimi në natyrë të bën të kuptosh rëndësinë e komunitetit, perspektivat e reja që zbulon dhe qartësinë e të menduarit që mund të rikuperosh. Rezultati është një këndvështrim i ri se çfarë mund të jetë dhe të arrijë një hapësirë ​​hoteli.

Në fakt, emri norvegjez për The Arktic Hideaway është “Fordypningsrommet”, që do të thotë “Dhoma e Zhytjes”.

“Unë nuk e përshkruaj atë si një hotel”, thotë Lund. “Është më shumë një laborator eksperimental”.

Dy kujdestarë vullnetarë menaxhojnë hotelin në përditshmëri, duke përshëndetur të ftuarit, duke i nxitur ata në jetën e ishullit, duke ndërruar shtretër, duke bërë bukë, duke ngrohur saunën dhe duke organizuar vaktet. Mysafirët njihen me burimet e kufizuara të ishullit. Atyre u kërkohet të bëjnë dushe të shkurtra pasi hoteli përdor një pompë dhe filtron ujin e detit në një rezervuar të vogël. Për shumë njerëz, këto kufizime janë perfektë për një udhëtim ndryshe.

Meqenëse kushtet ekstreme të motit si erërat e forta mund të shkaktojnë probleme brenda natës që nuk mund të rregullohen menjëherë, aftësitë për zgjidhjen e problemeve janë thelbësore.

“Sfida më e madhe është që ne duhet të improvizojmë”, tha kujdestarja Laura Jorgensen, e cila punon aty bashkë me të dashurin e saj Jarl.

Të jesh mysafir atje është si të jesh në një film aksion. Duhet të jesh i hapur ndaj të papriturave.

“Gjithçka ka të bëjë me të paparashikueshmen dhe çfarë ju lejon të zbuloni kjo hapësirë”, thotë Jorgensen.

Nuk ka mini bar dhe televizor, asnjë kolltuk apo zonë rehatie. Kabinat e gjumit janë të dizajnuara për të përshtatur një shtrat dhe jo shumë gjëra të tjera. Ideja është që ju keni atë që ju nevojitet, por jo më shumë, kështu që fokusi juaj është plotësisht te natyra. Kjo do të thotë dritare pa perde, duke zbuluar një pamje të gjerë të detit dhe qiellit dhe vaktet e mbrëmjes rreth një tavoline të gjatë, duke hapur biseda dhe tema të ndryshme.

Të gjitha ushqimet dhe furnizimet e tjera duhet të sillen me varkë. Ishulli izolohet rregullisht për shkak të motit të keq ose erërave të forta.

“Ju nuk e kuptoni se ka qenë qetë derisa të dëgjoni përsëri tinguj”, tha Lund. “Kemi disa ditë këtu kur është aq qetë sa mund të dëgjoni bisedat në ishuj të tjerë”.

Lundit do t’i duhet të paraqesë një raport para autoriteteve vendore se pse ky hotel dhe zonë duhet të mbrohet, në ndryshim nga mundësitë për krijimin e vendeve të punës që do të sjellë krijim i një ferme peshku që po mendohet të bëhet atje. Lund thotë se krahasimi i këtyre të dyjave ​​është si të krahasosh xhazin me muzikën klasike, i cili sheh përmirësimin e shëndetit mendor dhe një lidhje ‘të detyruar’ me natyrën si dhuratat më të mëdha që mund të ofrojë kjo hapësirë.

“Për mua, nëse marr vendime bazuar në faktin nëse fitoj para apo jo, unë kam dështuar. Ajo që po synoj është një lloj tjetër ekonomie”, thotë Lund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë