Njerez

Një grua vë në rresht super të pasurit e futbollit anglez

20 oligarkë rusë, sheikë arabë, mogulë amerikanë dhe miliarderë anglezë u rreshtuan që të gjithë në një tryezë dhe ranë dakord që t’i besojnë një gruaje detyrën për të shtuar burimet që derdhin miliona euro në vit në xhepat e tyre.

Emri që bëri bashkë klubin e burrave që drejtojnë dhe zotërojnë 20 skuadrat e Premier League-s angleze ishte ai i 51-vjeçares, Susanne Dinnage. Ajo u zgjodh në krye të kampionatit të futbollit më të ndjekur në botë edhe falë jetëshkrimit të deritanishëm. Dinnage ka drejtuar në poste ekzekutive në Britani grupin mediatik amerikan, Discovery, i njëjti grup që zotëron Eurosport dhe një rrjet të gjerë televizionesh kabllore. Pikërisht ky status i siguroi asaj që të votohej në mënyrë unanime.

“Premier League është maja e sporteve profesionale dhe mundësia për të drejtuar një organizatë kaq dinamike dhe frymëzuese është një privilegj i madh për mua”, deklaroi ajo fill pas marrjes së votëbesimit.

51-vjeçarja është e para femër dhe presidentja e katërt e Premier League, që prej vitit 1992, kur futbolli anglez luhet me këtë format. Duke e ditur fuqinë financiare dhe ndikimin global të këtij kampionati, Dinnage mund të quhet lirisht si femra më e fuqishme në botën e sporteve. Por, ngritja e saj në këtë detyrë shkon përtej gjinisë dhe është një sinjal se sa larg ka shkuar konkurrenca dhe se ku mund të na çojë në të ardhmen.

Susanne do të pasojë në këtë post Richard Scudamore, që do të largohet me një shpërblim të majmë prej 5 milionë paundësh. Ai e mori detyrën e kreut të Premier League në vitin 1999 dhe më parë si përvojë kishte vetëm drejtimin e federatës që organizonte e mbikëqyrte futbollin në ligat inferiore të Anglisë.

Por, Scudamore ja arriti që të përmbyllë një sërë marrëveshjesh që e shndërruan Premier League-n në kampionatin më të pasur të futbollit në botë. Nën drejtimin e tij, vetëm vlera e të drejtave televizive shkoi nga 670 milionë paund në 5.1 miliardë paund vetëm brenda Britanisë së Madhe, shto këtu edhe 3 miliardë paund në arenën ndërkombëtare.

Vetë Dinnage nuk ka ndonjë përvojë kushedi ça në fushën e futbollit, përveç periudhës së karrierës së saj kur në një sezon merrej me shitjet e biletave të skuadrës së Fulhamit, pranë vendlindjes, Puteny. Por, ajo është një aktore thelbësore në disa marrëveshje të rëndësishme televizive.

Ajo ishte pjesë e skuadrës që negocioi marrëveshjen për t’i dhënë të drejtën rrjetit Discovery për të transmetuar lojërat olimpike në të gjithë Europën nga vitit 2018 deri në 2024, me një vlerë prej 1.3 miliardë euro.

Për më tepër, me aftësinë e saj për të negociuar, por edhe me njohjen e rregullave ndërkombëtare e britanike të të drejtës së transmetimit digjital, ajo konsiderohet si personazhi kyç që detyroi rrjetin satelitor të transmetimeve televizive Sky, që të paguante tarifa shtesë për transmetimin e kanaleve amerikane në platformat e tij.

“Si në betejën për të fituar të drejtën e olimpikeve, ashtu edhe në atë kundër Sky, ajo tregoi një qetësi të pashoqe për të mbrojtur interesat e Discovery, ku pas qëndronin interesa të mëdha të pronarëve të këtij rrjeti në një periudhë afatgjate”, deklaron Peter Hutton, ish-kreu ekzekutiv i Eurosport, që aktualisht mban pozicionin e kreu të Facebook Live Sport.

Tek Disney Susanne Dinnage ishte në ballë të mendimeve dhe betejave të reja ekzistenciale për mediat tradicionale, sidomos për ato që lidheshin me sportin. Ajo e dinte që këto media po përballeshin me uljen e numritë të klientëve, uljen e atyre që paguanin sipas skemës “paguaj që ta shohësh” (pay per vieë), epokën e transmetimeve pirate në internet dhe një brez të ri të shpërqendruar nga mediat sociale, që pak duan t’ja dinë për sportin.

Por, ajo i përballoi me sukses këto sfida, të paktën sipas bilanceve të Discovery dhe pikërisht këtë sukses kërkon sot edhe Premier League. Elita e futbollit anglez, me zgjedhjen e Susanne Dinnage kërkon që të hyjë në epokën digjitale, aty ku hapi më i madh i Richard Scudamore ishte vetëm nënshkrimi i një marrëveshjeje gjysmake me Amazon.

Bruce Buck, drejtori ekzekutiv i Chelseat thotë se Dinnage është zgjedhja më e mira nga pesë kandidatët që paraqitën interes. Ai e argumenton këtë duke sjellë si shembull jetëshkrimin dhe aftësinë e saj për të menaxhuar biznese komplekse në epoka tranzicioni, nga televizionet tradicionale, në ato digjitale.

Emri i Susanne Dinnage nuk lidhet thjesht me aftësinë e saj për të menaxhuar bizneset komplekse, por edhe me njohjet, diplomacionë dhe aftësinë që ajo ka për të ndikuar në vendime të caktuara të politikës në Londër. Ajo ishte e vetmja përfaqësuese e korporatave britanike në takimin e thërritur nga David Davis, ish-Sekretari britanik për Brexit.

Aftësia diplomatike do t’i duhet më shumë për të mbajtur të bashkuar dhe si një trupë të vetme klubet e Premier League. Javën e kaluar, “Der Spiegel” në Gjermani publikoi disa mesazhe të përgjimeve mes “grupit të klubeve më të mëdha të Europës”, që janë organizuar prej kohësh në një shoqatë prej 20 skuadrash. Emrat që ndodhen në këtë listë janë skuadrat më të mëdha në Angli, Itali, Spanjë e Gjermani. Duke iu referua Anglisë, “Der Spiegel” shkruan se Manchester United, Manchester City dhe Arsenal morën pjesë në diskutimet për të formuar një ligë paneuropiane jashtë kthetrave të UEFA-s dhe federatave respektive me arsyen se ndarja e parave të të drejtës televizive është e padrejtë.

A do t’ja dalë mbanë Dinnage? Një ish-koleg i saj mendon se po. “Ajo është një udhëheqëse krijuese dhe e fortë, që gjithmonë e gjen një rrugëzgjidhje”, thotë ai, pa dashur që të identifikohet.

Burimi: Financial Times


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë