Art dhe Kulture

Një grua në krye të Katedrës së Albanologjisë në Mynih/ Shpallet viti i Martin Camaj-t

Nga Gazeta “SI”- Për herë të parë, Katedra e Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilians të Mynihut drejtohet nga një grua. Znj. Enkeleida Kapia merr drejtimin e saj pas viteve të drejtuara nga prof. Bardhyl Demiraj.

Ky ndryshim i rëndësishëm përkon me shpalljen e vitit 2025 si Viti i Martin Camajt, në nder të 100-vjetorit të lindjes së poetit, gjuhëtarit dhe studiuesit të njohur shqiptar.

Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, katedra e Albanologjisë do të prodhojë audiobooks me poezitë e Camajt, ku do të marrin pjesë zëra të rinj dhe, sipas znj. Kapia, edhe bashkëshortja e tij, Erika Camaj.

“Është e rëndësishme që krijimtaria e tij të përcillet te brezat e rinj përmes zërit,” u shpreh ajo.

Enkeleida Kapia, Alda Bardhyli

Drejtoresha e QKL-së, Alda Bardhyli, e cilësoi një hap të rëndësishëm për rritjen e rolit të grave në fushën e shkencës dhe studimeve shqiptare. Ajo nënvizoi se krijimtaria e Martin Camajt ka përmasa universale dhe nuk kufizohet vetëm në një mjedis apo kohë të caktuar.

Në kuadër të këtij jubileu, QKLL dhe Universiteti i Mynihut do të organizojnë edhe një simpozium ndërkombëtar me studiues, pedagogë dhe personalitete të fushës së albanologjisë.

Martin Camaj

Kush ishte Martin Camaj
Martin Camaj (1925–1992), i lindur në Temal të Dukagjinit, është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë dhe studimeve shqiptare. Poezia dhe proza e tij u zhvilluan në harkun e 45 viteve, duke sjellë një stil të veçantë të frymëzuar fillimisht nga tradita e veriut shqiptar dhe më pas nga hermetizmi italian. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, duke e vendosur atë në radhën e autorëve shqiptarë me ndikim ndërkombëtar. Camaj ndërroi jetë në Mynih më 12 mars 1992.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë