Gazeta Si – Një gjykatës i Nju Jorkut ka vendosur kundër përpjekjes së presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, që dënimi i tij për fshehjen e pagesave me para cash për yllin e pornos, Stormy Daniels, të anulohet për arsye imuniteti, raportojnë mediat lokale.
Gjyqtari Juan Merchan tha se një vendim i Gjykatës së Lartë që u jep presidentëve imunitet të gjerë për aktet zyrtare nuk zbatohej, sepse dëshmitë në gjyq lidheshin “tërësisht me sjellje jozyrtare që nuk kishin të drejtën e mbrojtjes së imunitetit”, raportoi CNN.
Avokatët e Donald Trump ishin thirrur në prezumimin e imunitetit penal të dhënë Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Gjykata e Lartë më 1 korrik për të kërkuar anulimin e dënimit të dhënë ndaj tij më 30 maj.
Në këtë rast, ai u shpall fajtor për “falsifikim të rëndë kontabël për fshehjen e një komploti për manipulim të zgjedhjeve të vitit 2016”, por dënimi i tij u shty disa herë.
Pas fitores së tij në zgjedhjet e 5 nëntorit, avokatët e Donald Trump paraqitën një apel të ri, duke përmendur statusin e tij si president i zgjedhur, për të cilin ata argumentuan se nuk ishte në përputhje me vendimin.
Në fillim të këtij muaji, gjyqtari Merchan ftoi palët të argumentojnë çështjen, por ende nuk ka vendosur për apelin.
Çështja ka të bëjë me pagesën sekrete prej 130.000 dollarësh, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, për të mbuluar një marrëdhënie seksuale që ka ndodhur dhjetë vjet më parë.
Një marrëdhënie që Trump e ka mohuar gjithmonë. Nga katër çështjet penale kundër Donald Trump, ky është i vetmi rast në të cilin u zhvillua një proces gjyqësor për kandidatin në zgjedhjet presidenciale që ai fitoi, një skenar i paprecedentë në historinë amerikane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.