Fshati i vogël në majë të kodrës Trevinano në Italinë qendrore po kthehet në një vend prove për eksperimentin më ambicioz ekonomik të Europës që nga krijimi i monedhës së përbashkët të rajonit.
Fshati prej 142 banorësh, i cili sapo siguroi një grant prej 20 milionë euro (22 milionë dollarë) nga Fondi i Rimëkëmbjes së Bashkimit Europian, po përballet tani me sfidën më të madhe, atë të shpenzimit të parave të taksapaguesve me mençuri për të siguruar një trashëgimi të qëndrueshme ekonomike.
Një nga një grup i vogël fshatrash në Itali që do të marrë para për të luftuar shpopullimin, Trevinano tregon realitetin në terren të shndërrimit të pasurisë financiare dhe qëllimeve të mira të bllokut në diçka më shumë se një fitim në llotarinë lokale.
Suksesi ose dështimi i projekteve të tilla, të mëdha dhe të vogla, në ekonomitë më të dobëta të rajonit, do të ndihmojë në përcaktimin e ‘oreksit’ të vendeve më të pasura për të zgjeruar mbështetjen në të ardhmen apo edhe për të bashkuar përgjithmonë burimet fiskale.
Alessandra Terrosi, kryebashkiakja e Acquapendente që përfshin fshatin Trevinano e kupton përgjegjësinë.
“Rreziku është një stuhi aktivitetesh në vitet e para, dhe më pas të gjitha zbehet”, thotë ajo ndërsa shëtit mes shtëpive të qeta të fshatit, duke përshëndetur banorët herë pas here.
“Por ne po investojmë në një seri projektesh më të vogla me ndikim që së bashku do të kenë efekte afatgjata dhe mund të bëhen shembull”.
Fondi prej 1 miliard eurosh që financon programin, një pjesë e tyre synon të shpëtojë fshatrat nga zhdukja. Trevinano dhe 20 vendbanime të tjera, një në çdo rajon dhe krahinë autonome do të ndajnë 420 milionë euro, ndërsa 229 komunitete lokale në të gjithë gadishullin do të ndajnë pjesën tjetër.
Qëllimi është të zhduket shpopullimi që po zbraz fshatrat në të gjithë Europën pasi njerëzit zgjedhin qendrat urbane me punë dhe shërbime më të mira. Në Gjermani, rajonet lindore janë më të prekura, në Francë fenomeni është i dukshëm dhe në Itali është pjesa e qendrës ajo që është përgjithësisht e goditur më keq, sipas të dhënave të Komisionit Europian.
Trevinano i plotëson lehtësisht kriteret e largësisë. Është rreth 2 orë me makinë nga Roma, duke kaluar fusha të pafundme, rrugë gjarpëruese dhe lart në një pllajë të vogël. Nuk ka shkollë dhe posta është e hapur rrallë, por ka dy restorante.
Një prej tyre, drejtohet prej dekadash nga Gianfranco Delli Campi, 63 vjeç. Këto ditë ai hapet vetëm në fundjavë, në mungesë të klientëve.

“Kur isha fëmijë këtu, kishte katër herë më shumë banorë”, thotë ai. “Kishte fëmijë, kishte shkolla. Fshat ishte plot me njerëz”.
Plani për rigjallërimin e Trevinanos është fokusuar në shumë projekte të vogla”, thotë Terrosi, agronome dhe ish-deputete.
“Ne kemi qenë historikisht një zonë kalimi”, thotë ajo me një theks të butë vendas që përzien dialektin toskan, umbrian dhe një pikë romake, tre rajonet që kryqëzohen aty pranë. “Ne kemi gjëra me interes gjeologjik dhe arkeologjik pikërisht këtu që mund t’i përdorim”.
Fshati shtrihet pranë Rrugës Francigena, një nga itineraret më të vjetra të pelegrinëve në Europë, që shtrihet nga Canterbury në Romë. Terrosi dëshiron të rivendosë shtëpitë për të akomoduar turistët që shkojnë në kryeqytet. Ata do të transportohen në kodër me autobusë të rinj elektrikë që synojnë gjithashtu të joshin vendasit që jetojnë në luginë.
Kryetarja e bashkisë dëshiron të restaurojë kështjellën dhe ta kthejë atë në një hapësirë ekspozite dhe trajnimi për studentët e arkeologjisë dhe gjeologjisë lokale dhe ajo dëshiron të tërheqë nxënës nga një shkollë tregtare aty pranë për ta bërë Trevinanon një qendër për artizanët. Ndërkohë paratë e BE-së do të financojnë infrastrukturën për të ofruar shërbime më të shpejta në internet dhe energji më të gjelbër.
E gjithë kjo duhet të miratohet deri në vitin 2026, afati i fundit për shpenzimet e Fondit të Rimëkëmbjes.
Ideja për të shpërndarë shuma të mëdha parash në vende të largëta ka kritikët e saj. Njëri është Rossano Pazzagli, profesor historie në Universitetin e Molizës në Italinë jugore.

“Edhe nëse kanë sukses në një kohë kaq të shkurtër, ju nuk e zgjidhni problemin e përgjithshëm” me dhurime për vetëm 21 fshatra, tha ai. “Komunitetet kanë nevojë për akses në shëndetësi, shkolla dhe lëvizshmëri. Nëse nuk i keni këto tre kushte, pjesa tjetër është vetëm bisedë”.
Ministri i Trashëgimisë Kulturore Dario Franceschini është më shpresëdhënës, duke theksuar se si paratë e shpenzuara mirë që synojnë fillimin e jetës në fshat mund të ofrojnë të mira shumë më të mëdha.
“Tashmë ka një interes ndërkombëtar nga investitorët privatë, tha ai. “Nëse ata kthehen në jetë, nuk ka asnjë ndalim të procesit”.
Me një qëllim kaq të madh në mendje dhe fatin e një komuniteti në rrezik, kryetarja e bashhkisë është në një stres të madh.
“Më mban zgjuar natën”, tha Terrosi. “Shqetësimi për të gjitha gjërat që duhet të bëjmë, në kaq pak kohë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



