Menaxhim

‘Një frymëmarrje për Jugun’, në fundjavë hapet përfundimisht Kardhiq-Delvinë

Nga Gazeta “Si” – Segmenti rrugor Kardhiq-Delvinë do të hapet përfundimisht me datë 2 korrik pas punimeve disavjeçare, sipas njoftimeve zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe kryeministria.

Aksi ka një gjatësi prej 33 kilometrash përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. E përbërë nga 6 lote, kjo rrugë është cilësuar si ndër projektet më të rëndësishme, pasi është projektuar të shkurtojë me 1 orë rrugën e udhëtimit Tiranë-Sarandë dhe shkurton po aq distancën midis Sarandës e Gjirokastrës. Ky projekt eleminon kalimin e automjeteve në Qafën e Muzinës. Kjo pikë ka qenë shpeshherë burim aksidentesh për mjetet që qarkullojnë, duke lënë edhe viktima, sidomos gjatë sezonit veror.

Hapi i fundit i këtij projekti është tuneli i Skërficës dhe segmenti Shijan-Ura e Gajdarit, për të cilat më 5 qershor 2022, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se janë pothuajse në përfundim. Balluku shtoi se kjo punë që do të përfundonte sipas kontratës në vjeshtën e vitit 2022, por do të përmbyllet disa muaj përpara afatit për t’i dhënë kështu “një frymëmarrje Jugut të vendit”.

Aktualisht aty po betonohen metrat e fundit të tunelit, ndërsa paralelisht po vijon puna edhe për sistemin e ndriçimit dhe atë elektro-mekanik.

Ndërkohë, pak orë më parë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama ka publikuar një video që tregon të gjithë rrugën e punuar duke përcaktuar se këto janë pamjet “thuajse finale, fare pak ditë para se të hapet”.

Më herët ai ka shkruar se ky është një nga projektet e paketës transformuese për ekonominë dhe turizmin e gjithë zonës.

Video e Ramës:

Tuneli i aksit Kardhiq-Delvinë është hartuar që në vitin 2008, por herëpashere ka pasur ndërprerje apo ndryshim të kontratave të ndërtimit dhe ka qenë gjithmonë projekt i cilësuar si ndër më të rëndësishmit. Përfundimi i këtij projekti do të mundësojë aksesin më të lehtë, të sigurtë dhe të shpejtë të udhëtarëve drejt Sarandës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë