Një fotografe kineze ka kërkuar falje për “paditurinë” e saj pasi një foto që ajo shkrepi për markën luksoze Dior shkaktoi zemërim.
Fotoja e Chen Man tregonte një grua për të cilën shumë njerëz thanë se përjetësonte stereotipet perëndimore të fytyrave aziatike.
“Ndjehem fajtore për atë që kam bërë, thjeshtë nuk kam qenë e informuar”, thotë Chen, 41 vjeçe.
Dior tha se fotografia, e cila u shfaq së fundmi në një ekspozitë në Shangai, është hequr nga puna.
“Dior, si gjithmonë, respekton ndjenjat e popullit kinez… Nëse ndodh ndonjë gabim, Dior është i hapur për të marrë komente dhe t’i korrigjojë ato në kohë”, shkroi shtëpia e modës duke shtuar se fotografia ishte për një vepër arti dhe jo një reklamë komerciale.
Fotoja u shfaq fillimisht në 12 nëntor, por menjëherë shkaktoi një reagim dhe debat të madh tek njerëzit.
Në një editorial nga Beijing Daily, modelja në foton e Dior u përshkrua si me një “fytyrë të zymtë”.
“Fotografia po luan me markat, apo shijet estetike të botës perëndimore. Është një ofendim për popullin kinez”, thuhet në editorial.
Ndërkohë, një koment i China Women’s News tha se imazhi i modeles i bën njerëzit të ndihen “jo rehat”.
Komentuesit në rrjetet sociale thanë se këto fotografi ishin një portret “fyes” i grave kineze, pasi atyre u mungonte lëkura e hapur dhe sytë e mëdhenj e të rrumbullakët që zakonisht vlerësohen nga shumë kinezë. Të tjerë thanë se marka ka projektuar një imazh “paragjykues” dhe “racist” të popullit kinez.
Në deklaratën e saj, Chen tha se ajo kishte “reflektuar thellë” dhe ishte ndjerë e detyruar të kërkonte falje pasi kishte lexuar “pothuajse çdo koment negativ” në lidhje me veprën e saj artistike.
“Kam lindur dhe jam rritur në Kinë. Unë e dua thellësisht vendin tim. Si artiste, jam plotësisht e vetëdijshme për përgjegjësinë time për të dokumentuar kulturën kineze dhe për të shfaqur bukurinë kineze përmes punës sime. Do të përpiqem të tregoj historinë e Kinës pikërisht përmes punës sime “, tha ajo.
Chen është një fotografe e njohur në botën e modës kineze. Ajo ka xhiruar kopertina për titujt kryesorë të revistave dhe ka fotografuar të famshëm si David Beckham.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.