Kinema

Një film për shqiptarin që shpiku blicin

Suadela Balliu –Nga Korça në Korçë. Është ky rrugëtimi i fotografit më të famshëm shqiptar Gjon Mili, i cili e la qytetin e lindjes për të kërkuar shtigje të reja, fillimisht drejt Rumanisë e më pas drejt botës së re, Amerikës që do e çonin drejt bërjes së një prej fotografëve më të mëdhenj, jo vetëm të botës shqiptare, por edhe një prej pionierëve të fotografisë stroboskopike. Ishte i shpikësi i blicit, ndërsa mbërthente në dhomëzën e errët të makinës portrete njerëzore, emocione, veprime aq të shpejta të parrokshme për syrin e lirë. E mbërthyer prej syrit të tij, fotografia e Milit, ndihet e lirë. E lirë për të përcjellë te kundruesi ndjesinë e gjallë të lëvizjes...

https://vimeo.com/229142324

Rasti e desh që të rikthehej edhe njëherë në qytetin e rrënjëve me filmin “Dritë” – një realizim që mban autorësinë e regjisoreve Yllka Gjollesha e Suela Bako – i cili ngriti edhe siparin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër, që u çel mbrëmë në Korçë.

Përpara se të mbërrinte në “Korça Short Film Festival”, dokumentari për Milin ka bërë rrugë të gjatë në më shumë se dhjetë ngjarje ndërkombëtare që kremtojnë filmin, nëpër botë.

“Dokumentari është pritur shumë mirë dhe ka qenë surprizë e bukur.” – rrëfen Bako, ndërsa shton se kanë marrë vlerësime jo pak nga specialistë të fushës e po ashtu artdashës të fotografisë dhe zhanrit të dokumentarit. “Dritë” është një udhëtim në jetën dhe karrierën e Milit, me një narrativë artistike. “Mund të them se kemi të bëjmë me një dokumentar fiction” , sqaron Suela.

Fillimet, mbërritja si emigrant në brigjet amerikane, vënia në jetë e teknikave pioniere dhe novatore në fotografi, takimet e tij me burra shteti dhe të famshëm ...ky dokumentar shqyrton gjithashtu fotografinë e tij në lëvizje të një pike uji ndërsa bie dhe më në fund spërkatet...esenca e vetë jetës. Faktet më të rëndësishme të jetës së Milit vijnë të zbërthyera në intervista me disa prej studiuesve bashkëkohës në fushën e fotografisë , nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca.Dy autoret kanë qenë të kujdesshme për të ndjekur gjurmët e Gjon Milit, nga fëmijëria në Rumani, pastaj në Amerikë e Francë.

Gjon Mili (Foto: Gjon Mili/The LIFE Picture Collection/Getty Images)

I lindur në Korçë, asokohe pjesë e Vilajetit të Manastirit në Perandorinë Osmane, Mili e kaloi fëmijërinë në Rumani, ndoqi kolegjin kombëtar “Gheorghe Lazăr” në Bukuresht e më vonë, në vitin 1923emigroi drejt ShBA-së. Më 1939 –ën , nisi të punojë si fotograf për revistën LIFE, një post që e mbajti derisa vdiq, më 1984-ën.Bako dhe Gjollesha janë thelluar në disa intervista në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT), ku ai u diplomua në inxhinieri elektrike dhe hodhi hapat e parë të karrierës si studiues, zbulues dhe një prej shpikësve të blicit, së bashku me profesorin e tij Harold Edgerton.Duke punuar me Edgerton në MIT, Gjon Mili ishte pionier në përdorimin e instrumenteve stroboskopikë për të mbërthyer një sekuencë veprimesh në një fotografi.

Fotografia Stroboskopike, e shpikur nga Mili dhe Edgerton.

I trajnuar si inxhinier dhe autodidakt në fotografi, Mili ishte nga të parët që përdori blicin elektronik dhe dritën stroboskopike për të krijuar fotografi që kishin më shumë sesa interes shkencor. Ndodhi që me serinë e tij të bliceve, njohur si fotografia stroboskopike, të krijonte versionin e tij të pikturës së Marcel Duchamp-it “Nudo duke zbritur një shkallë”.

Nudo duke zbritur  shkallët, Gjon Mili frymëzuar nga Duchamp.

“Ka inskenime, intervista, narracion filmik, improvizime të fotove artistike shkrepur prej tij ku përdori për herë të parë dritën stroboskopike dhe blicin apo fotografinë në lëvizje” – shpjegon më në hollësi Bako, e cila rrëfen se drejt Milit – kjo figurë aq e njohur botërisht por në errësirë për bashkëkombësit e tij, e çoi pasioni i koleges Yllka Gjollesha e dashuruar me figurën e tij qysh në auditorët e fakultetit. Kjo e kishte bërë këtë të fundit të zhvillonte me kohë një punë të gjerë kërkimore rreth figurës së fotografit.

 Gjon Mili duke tymosur cigare ndërsa mban në krah macen e tij të dashur,  Blackie. 

Jeta e Gjon Milit, mes dy kontinenteve dhe katër shteteve (Shqipëri, Rumani, Francë e ShBA) e bënte dheun edhe më pjellor për procesin e krijimit të filmit dokumentar. “Gjetëm një çelës për ta pasqyruar jetën e Milit përmes figurave të katër grave” –thotë Suela,  ndërsa shton  se ky film ishte edhe një rrekje për ta parë figurën e fotografit – gjithnjë me syrin e mprehtë e qëmtues për të mbërthyer bukurinë –me syrin femëror.

Shumë prej imazheve të tij më të shquara zbulojnë intimitetin e bukur dhe rrjedhën e hijshme të lëvizjes, shumë të shpejtë apo shumë komplekse për t’u dalluar me sy të lirë. Më mes të viteve ’40 Mili punoi si asistent i fotografit Edward Weston, ndërsa më 1944-ën, bëri regjinë e filmit të shkurtër “Jammin’ the Blues”. Ai nuk shërbeu si kinematograf, por filmi përdor imazhe të shumëfishta që në shumë mënyra evokonin ato të bëra me teknikën stroboskopike. Përdorimi me fantazi i kamerës e bën këtë film një pikë referimi në mënyrën sesi janë filmuar muzikantët.

Nga filmi Jammin' the Blues

Është i njohur për fotografitë e balerinëve në qiell të hapur të Lindy –it  dhe një prej fotove të Pablo Picasso-s ndërsa skicon me një penë-dritë  një imazh në ajër. Kundruesi  shpesh ndiente se fotografia e Milit ishte tabloja e fundme e një veprimi.

“E admiroj sensin e tij të ekonomizimit, respektin e tij për artizanatin dhe neverinë për shtirjen.” Do të thoshte fotografi i njohur francez, Henri Cartier-Bresson, për punën e Milit. Fotot e tij janë përmbledhur në disa libra si “Gjon Mili: Fotografi dhe Përmbledhje”,  “Fotografitë e Picasso-s” “Magjia e Operas “ dhe ''Picasso et la Troisi eme Dimension.''

Iu desh të shpërngulej shpesh për shkak të punës, nga Riviera Franceze për të fotografuar Picasso-n, në Pradë për “Pablo Casals në mërgim”, në Izrael për “Adolf Eichmann në robëri”, Firence, Athinë, Dublin, Berlin, Venecia, Romë dhe në Hollivud për të fotografuar të famshëm dhe artistë, ngjarje sportive, koncerte, skulpturë dhe arkitekturë.

Pablo Picasso duke piktuar me dritë në ajër, Gjon Mili

Tw njëjtin itinerar ndoqi edhe filmi “Dritë”; Nga Bukureshti në Paris, pastaj një ndalesë në Nisë, drejt Nju Jorkut – ky dy regjisoret realizuan një intervistë me Suzane Kismaric, studiuese e fotografisë dhe artit modern në Muzeun e Artit Modern (MoMA) për ta mbyllur me Korçën, në gjurmët e hershme të Gjonit, të birit të Vasil Milit dhe Viktori Cekanit .

“E gjitha ka qenë një sfidë më vete- nga puna parapërgatitore e deri te përmbyllja. Përgjegjësia për figurën që kishim marrë përsipër të trajtonin ishte një guri rëndë që na mbante të lidhura fort pas tokës dhe punës” , kujton Suela. E lehtë? Jo, por grishëse dhe sfiduese, shumë.

Gjollesha dhe Bako, autoret e filmit "Dritë"

“Përballesh me një mal dhe je e vogël sa një miushe”- kështu rrëfen se u ndje kur nisi punën së bashku me Yllkën. “Nuk parapëlqej të refuzoj punët që më vijnë, qofshin këto të vogla apo të mëdha. Por në rastin konkret vihesha për herë të parë përpara sfidës së realizimit të një dokumentari dhe për një figure si ajo e Gjon Milit; dy gjëra të mëdha në një të vetme. Tani që flasim jam qetësuar nga ethet e kësaj pune, por ju siguroj se ka qenë drithërimë e vërtetë”.

Ato që i kanë dhënë një peshë specifike dhe vlerë dokumentarit, përmend Suela janë koreografia Catalina Gubandru me performancën e saj, Iris Sojli, Dora Veshi dhe Flori Bako. “Ishim gjashtë gra që rrëfenim një histori, e cila mbyllet me të vetmen grua, pjesë e jetës së Gjon Milit, për të cilën dokumentari vetëm sa hedh pakëz dritë...”

Nga Filmi "Dritë"

Helena Zhanbro, ishte ndoshta e vetmja nxënëse e Milit, ndërsa marrëdhënia e tij me figurën femërore mblidhet thuajse krejtësisht në letërkëmbimin me të ëmën Viktorinë. Është ky momenti që i ka dhënë peshë zhvillimit të figurës së tij në dokumentar.

Një figurë si e Milit mund të ishte fare mirë filli për skenarin e një filmit artistik, ide që Suela Bako e ka çuar nëpërmend. “E kam menduar, por kam menduar gjithaq se do një pjekuri të lartë artistike dhe profesionale. Mbetet një personazh i pazbuluar plotësisht”.

Bako e sheh Gjon Milin si një ajsberg. Me gjithë përpjekjet e tyre të mëdha për të hedhur dritë mbi figurën që u dha dritë portreteve të jashtëzakonshme të emrave të mëdhenj të artit botëror, ajo çka ende fshihet në ujërat e figurës së tij është e thellë. “Është një figurë shumëdimensionale. Me kontribute të pashoqe, jo vetëm në fushën e shkencës dhe të artit të fotografisë, por edhe të historisë sonë kombëtare”.

Gjon Mili/Portret.

Bashkëkohës i Faik Konicës dhe Fan Nolit – dy figura të mbërthyera nga makina fotografike e Gjon Milit – Mili ishte bashkë me ta një prej atdhetarëve që u rrokën ta bënin të njohur kombin e tyre në arenën ndërkombëtare. Mili u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, në Stamfort, Konektikat, pasi vuante nga pneumonia.  Përgjatë më shumë se katër dekadave me mijëra fotografi të realizuara prej tij janë botuar në LIFE si edhe organe të tjera të shtypit.

Regjisorja për Teatrin: Fati i Godinës nuk është vulosur, fitorja jonë është e qytetarëve

Megjithë prezantimin e filmit “Dritë” në Festivalin e Korçës, Suela Bako nuk do i mungonte qoftë edhe një ditë protestave që organizohen çdo pasdite vonë në oborrin e Teatrit Kombëtar. Ajo dhe i shoqi, aktori Romir Zalla janë ndër të rrallët tashmë anëtarë të komunitetit të aktorëve e regjisorëve që vazhdojnë ta mbajnë në këmbë qëndresën për të mos lejuar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Çdo ditë, së bashku me dy fëmijët e tyre, ata janë aty , të pamungueshëm, edhe kur nuk janë përballë mikrofonit prania e tyre thotë më shumë sesa fjalët.

“Ne kemi marrë vendimin ta vazhdojmë qëndresën, në krah të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe në krah të disa kolegëve. Besimi tek e drejta dhe te kauza qytetare na mban të shtrënguar pas idesë për të rezistuar.” –thotë Bako, ndërsa beson se fati i godinës nuk është vulosur përfundimisht. “ Kemi besim se Presidenti do e shohë me sy pozitiv kërkesën tonë për të mos e dekretuar ligjin”.

Bako në protestat për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. 

Bako sqaron më tej se qëndresa flet për padrejtësinë që i bëhet jo vetëm komunitetit të artistëve të teatrit, por të gjithë qytetit. “Askush nuk e kish menduar se puna do të shkonte deri këtu.”Ajo thotë se askush prej atyre që protestojnë nuk janë kundër ndërtimit të një teatri të ri, por çështja është te mbrojtja e godinës, e cila ka vlera historike dhe është pjesë e trashëgimisë historike e kulturore, shtuar kësaj edhe se është një pronë publike e vendosur në dispozicion të privatit. “Askush nuk është i njohur me procesin e këtij partneriteti me privatin dhe nuk është konsultuar më parë. Këtu nuk flas për vete, por për specialistët e vërtetë të fushës, në lidhje me të gjithë problematiken që mbart një godinë e re teatri.”

Si regjisore mendon se Tirana ka nevojë edhe për shumë teatro të tjerë. Salla alternative apo klasike, sido qofshin. Por pa cenuar këto që janë. Tirana është shumë e madhe për t’u varur pas një salle të vetme teatri, ka vend dhe nevoje për shumë të tilla. Atëherë, perse duhet të nxjerrim sytë duke dashur të pastrojmë pak vetullat?!”

Bako e sheh fitoren e kësaj beteje, me rezultatin e fundmë të ruajtjes së godinës aktuale, si një fitore e qytetarëve dhe të atij komuniteti artistësh, që siç pranon ajo, edhe pse në hije, netëve kur vë kokën në jastëk, lutet...Lutet që ajo godinë të mos shembet dhe që Tirana ta ruajë qendrën e saj historike. “Mbase kjo është forca jonë. Ky besim”, përfundon ajo, ndërsa protestuesit presin ditën kur presidenti do të bëjë (ose jo) të zëshëm vendimin e tij mbi ligjin e miratuar nga Parlamenti më 5 korrik të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë