Muzike

Një festival për Rrokun, xhazin dhe Shkodrën

Suadela Balliu -Rroku, kur u nis në Itali mori me vete partiturat xhaz, të cilat ia dhashë si dhuratat më të çmuara që kishte lënë im atë Gjon Kapidani, kur luante me orkestrinën në 'Kafen e Madhe', në Shkodër. Ia dhashë një miku të shtrenjtë, i bindur se do i kthente në vlera të çmuara një ditë dhe, ato u kthyen sërish në vendin e tyre, fizikisht pa tim atë dhe Rrokun, por me shpirtin e tyre në çdo notë...Si një premtim të përmbushur, e sheh pianisti i njohur Markelian Kapidani, “Shkodra Jazz Festival”, i cili mbrëmjen e 27 gushtit, çel siparin e të nëntit edicion të festës së tingujve, që mbledh bashkë artistë të huaj e shqiptarë, në një javë që premton të gjallërojë shpirtin e gëzueshëm shkodran.“Ky edicion i nëntë vjen si çdoherë me risi dhe si një event i lindur nga emocioni, edhe këtë vit premton emocione të forta.” –thotë Florian Jakaj, drejtori artistik i Festivalit të xhazit në Shkodër, pak para se gjithçka të nisë.

Violinisti Rrok Jakaj, i ndarë nga jeta dhjetorin e 2004-ës, në moshën 36 -vjeçare. 

Çdo vit që kalon është një hap më shumë drejt zotimit për t’i dhënë jetë dëshirës që pat violinisti Rrok Jakaj, në vitin 2003, për të themeluar në vendlindjen e tij një festival të xhazit. Në pritje se një ditë kushtet do të ishin gati për të mirëpritur xhazin në skenat e Shkodrës, violinisti e vijoi karrierën jashtë vendit, ku preku majën e muzikës botërore në ngjarje të rëndësishme si “Pavarotti & Friends”, në rolin e drejtorit të orkestrës për katër edicione,drejtoi shkollën e perfeksionimit në Saluzzo dhe pati një sërë bashkëpunimesh me kompozitorin e famshëm, Ennio Morricone etj.

Ishte fare pranë realizmit të ëndrrës së tij, kur u nda nga jeta në mënyrë tragjike, në vitin 2004, kur ishte vetëm 36-vjeç dhe në kulmin e karrierës artistike.  “Kjo nuk na ndali mua, vëllanë Labeatin dhe miqtë ta sillnim, në vitin 2005, Rrokun në Shkodër përmes festivalit të tij...”, rrëfen Florian Jakaj, ndërsa shton se nga ajo kohë Rroku u bë“Shkodra Jazz Festival”.Jakaj rrëfen se në nëntë edicione, të ftuarit kanë qenë artistë të huaj, të njohur botërisht, por edhe shqiptarë me karriera të konsoliduara brenda dhe jashtë vendit.

Pianisti Markelian Kapidani

Përveç pianistit Markelian Kapidani, i pagëzuar edhe si princi i xhazit shqiptar, që merr pjesë në të pestin edicion të këtij festivali, për publikun shkodran do të interpretojnë maestro Paçalin Pavaci, violinisti shkodran i cili luan për orkestrat prestigjioze botërore, pianisti italian Paolo Marzocchi, kitaristi spanjoll Maria Gallardo del Rey, një ndër 10 saksofonistët më në emër në botë Michael Rosen, këngëtarja amerikane Joyce Elaine Yuille, Markelian Kapidani, saksofonisti me famë ndërkombëtare, të Torino Jazz Festival Diego Borotti & NU4tet, JUNGLE STOMP dhe Skanderbeg Chamber Orchestra.Kjo e fundit, u krijua pikërisht nga violinisti Rrok Jakaj, në Torino në vitin 1996, ku merrnin pjesë edhe të tjerë instrumentistë shqiptarë si Sokol Prekalori, Elda Laro e të tjerë ku u bashku dhe Paçalin Pavaci.

Violinisti Paçalin Pavaci. 

Kanë kaluar 26 vjet nga koha kur u largua dhe violinisti Pavaci kthehet më në fund në Shkodrën e tij për këtë festival, që dikur qe ëndrra e tij dhe e mikut të ngushtë, Rrokut. Ky festival ka për qëllim të përfshijë të gjithë qytetin, duke i shpërndarë netët e tij nga salla e teatrit “Migjeni”, në oborrin e Muzeut Historik “Oso Kuka” e deri në sheshin “Nënë Tereza”.Duke ndjekur projektin që lindi vitin e shkuar, ky festival është menduar të organizojë edhe masterklasa me artistët pjesëmarrës të festivalit për nxënës dhe studentë që studiojnë muzikë, projekt i nisur nga “Rrok Academy”. i ndarë në dy zhanre, xhaz dhe muzikë klasike, pesëdhjetë të rinjtë e regjistruar do të kenë mundësi të trajnohen nga muzikantët me përvojë Markelian Kapidani dhe Paçalin Pavaci, të dy me një karrierë në shtetin fqinj, Itali.Kapidani ka shkruar Metodën mbi xhazin në “Shënime për muzikantin” dhe këtë sjell vëllimin e dytë.

Shkodra Jazz Festival,  2017.

“Për herë të parë këtë vit, do të vijë Shkodra Sounds”, me datën 2 shtator në orën 11:00 në Teatrin Migjeni, ku nxënësit e “Rrok Academy Classic”, nën drejtimin e maestros Paçalin Pavaci,do të mbajnë koncertin klasik, i cili mbyll edhe aktivitetet e "Shkodra Jazz Festival”, zbulon Jakaj, duke shtuar se akademia e themeluar prej tij dhe të vëllait ka qëllim të afrojë brezat e rinj me muzikën elitare. “Duam të japim kontributin tonë në proceset formuese, duke hapë kështu horizonte të reja artistike për të ardhmen e tyre.” Jakaj premton edhe një surprizë për studentët në fund të shtatë ditëve, por preferon ta mbajë të tillë deri kur të vijë dita për ta zbuluar.

Në këta nëntë edicione, ia kemi dalë të sjellim më të mirët. Emra si Kapidani, Pavaci, Prekalori nuk kanë se si të mungojnë në “Shkodra Jazz Festival”.

Florian Jakaj

I njohur si qyteti i kulturës, me traditë edhe në muzikë, i pyetur se si bashkohet xhazi – i cili e ka zanafillën larg, në Nju Orlinsin e njëqind viteve më parë, Jakaj thotë se në lokalet e qytetit orkestrat kanë luajtur edhe luajnë xhaz. “Dimensionet e muzikës xhaz, i gjejmë herët në qytetarinë e Shkodrës, duke qenë gjithmonë si qyteti avangardë i çdo risie, në veçanti në fushën e artit.”, thotë drejtori artistik, duke shtuar se ky festival nuk bën gjë tjetër veçse çon përpara traditën. Edhe pse i lindur në kontinentin amerikan, xhazi i gjen rrënjët të ngulura fort jo vetëm në muzikën afrikane, por dhe atë europiane.

Shkodra Jazz festival, 2017.

Një festival që në zemër të tij ka improvizimin, atë për të cilën shquhet edhe kjo rrymë që nuk lë asnjë shpërfillës të tingujve dhe ritmeve që propozon, bën bashkë, në një ngjarje të vetme muzikën klasike, rrokun dhe xhazin. E kur këto tri shtylla takohen, atmosfera bëhet elektrizuese. “Përzgjedhja përfundimtare e pjesëmarrësve ndodh vetëm atëherë kur mes artistëve, me aftësi improvizimi, ka sinergji, ka një lidhje dhe harmoni natyrale, jo të sforcuar. Deri tani kjo ka rezultuar e suksesshme, duke parë edhe energjinë pozitive që publiku ka shfaqur në çdo edicion.”, shton Jakaj.

“Kjo nuk na ndali mua, vëllanë Labeatin dhe miqtë ta sillnim, në vitin 2005, Rrokun në Shkodër përmes festivalit të tij…” 

Florian Jakaj

Festivali, edhe pse ndërkombëtar, nuk mund të kuptohej pa bijtë e Shkodrës, që siç thotë drejtori i festivalit, i janë përgjigjur gjithnjë me dashamirësi ftesave për të marë pjesë në të. “Ky ka qenë dhe do të mbetet festivali i Shkodrës e pa artistët shkodranë nuk do të ishte i tillë. Në këta nëntë edicione, ia kemi dalë të sjellim më të mirët. Emra si Kapidani, Pavaci, Prekalori nuk kanë se si të mungojnë në “Shkodra Jazz Festival”. Bashkëpunimet me shkodranët e suksesshëm në arenën ndërkombëtare, do të vazhdojnë dhe do të zgjerohen në vitet e ardhshme.”

Për Kapidanin, pianisti që besoi te ky festival qysh herët, kjo ngjarje është mundësia konkrete për pasionin e tij. “Shkodra Jazz, për mue asht nji mundësi konkrete për të vue në praktikë pasionin tem për muzikën e zemrës në qytetin e zemrës që mban emrin Shkodër...”, thotë ai. Ky festival, i nisur për të çuar përpara një ëndërr të lënë në mes, synon të kthehet në histori. “Ëndrra vazhdon”, përfundon Jakaj, ndërsa shton se e ardhmja do të jetë padyshim xhaz, por jo vetëm...

Net instrumentesh në Shkodra Jazz Festival

  • 29 gusht, në Teatrin “Migjeni” pianisti Paolo Marzocchi, i cili premton spektakël dhe surpriza.
  • 30 gushti, në oborrin e Muzeut Historik “Oso Kuka”, sjell tingujt e magjishëm të kitarës së Jose Maria Gallardo del Rey, nga Spanja.
  • Më 31 gusht spektakli vazhdon në Sheshin “Nënë Tereza”, me Diego Borotti & NU4tet;
  • 1 shtatori do të shfaqë të gjithë dimensionin e “Shkodra Jazz Festival” dhe “Rrok Academy” në sheshin "Nënë Tereza", me të ftuar: Michael Rosen, Joyce Elaine Yuille, Markelian Kapidani, Diego Borotti JUNGLE STOMP, Skanderbeg Chamber Orchestra.
  • 2 shtatori sjell për herë të parë “Shkodra Sounds”, në Teatrin Migjeni, ku nxënësit e "Rrok Academy Classic", nën drejtimin e maestro Paçalin Pavaci, do të mbajnë koncertin klasik, i cili mbyll edhe aktivitetet e “Shkodra Jazz Festival”.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë