Një “burg gjigant pa dritare”, “Dormzilla”, një “eksperiment torture”: interneti ka vërshuar me komente mbi planin e ndërtimit për një konvikt studentor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, që nga e enjtja e kaluar, kur letra e dorëheqjes së një arkitekti u bë virale.
Ndërtesa e propozuar është bërë ndoshta projekti arkitekturor më i diskutueshëm në botë, vë përballë një miliarder monomaniak, gati 100-vjeçar kundër një revolte të mundshme studentore dhe duke ndezur një debat të ashpër rreth asaj që qeniet njerëzore duhet ose mund të durojnë në emër të efikasitetit.
Miliarderi që financon projektin, Charlie Munger, beson se është një vendbanim studentor i avancuar që do të maksimizojë përdorimin e hapësirës dhe do të inkurajojë ndërveprimin social. Nga ana tjeter, arkitekti që dha dorëheqjen në shenjë proteste, Dennis McFadden, e quan atë një “eksperiment social dhe psikologjik, të paprecedentë mbi studentët, “të pambështetur” nga “perspektiva e tij si arkitekt, prind dhe qenie njerëzore”.

Munger është nënkryetar i fondit të investimeve Berkshire Hathaway, ku ai shërben si krahu i djathtë i miliarderit Ëarren Buffett. Një entuziast autodidakt i arkitekturës, Munger i dhuroi 200 milionë dollarë kampusit të Universitetit të Kalifornisë me banesa në kushte të pazakonta.
Konvikti i propozuar do të jetë më i denduri në botë, 4500 studentë në një ndërtesë 11-katëshe, ku 94% e dhomave të gjumit dhe zonat e përbashkëta janë pa dritare, parashikuar të kushtojë 1.5 miliardë dollarë në total.
Në vend të dritareve, dhomat do të kenë llamba që imitojnë dritën e diellit, një ide e frymëzuar, thotë Munger, nga portat virtuale në anijet e lundrimit Disney. Ai gjithashtu argumenton se dhomat e vogla të gjumit do t’i inkurajojnë banorët të kalojnë kohë së bashku në zonat e përbashkëta.
Publiku duket se nuk është dakord. Komentuesit e internetit po e kritikojnë konviktin e propozuar si “barbar”, duke e krahasuar atë me një burg ku të burgosurit mbikëqyren kaq shumë sa në fund përfundojnë duke ruajtur veten.
Hulumtimet sugjerojnë se qeniet njerëzore ndikohen negativisht nga mungesa e dritës së diellit dhe ajrit të pastër. Dhomat pa dritare prishin modelet tona të gjumit dhe na bëjnë të dëshpëruar dhe japin ankth dhe shëndeti mendor i banorëve të konvikteve është i lidhur me aftësinë e tyre për të parë hapësirën e gjelbër. Mungesa e dritareve gjithashtu e bën më të vështirë shpëtimin nga zjarret dhe mund të shkaktojë formimin e mykut ose monoksidit të karbonit. Në shumë juridiksione të SHBA, duke përfshirë qytetin e Nju Jorkut, është e paligjshme të reklamosh një dhomë pa dritare si dhomë gjumi.
Në letrën e tij, McFadden tha se universiteti duket i zhgënjyer nga donatori i tij por “i vendosur” për të përmbushur projektin.

“Ishte e qartë se komiteti i shqyrtimit të dizajnit ishte thjesht një formalitet. Dizajni u përshkrua si 100% i plotë, nuk u kërkua miratimi, nuk u mor asnjë votim dhe nuk synohen apo kërkohen dokumente”.
Deri më tani Universiteti Santa Barbara nuk po tërhiqet.
“Ne jemi të kënaqur që po ecim përpara me këtë projekt transformues që adreson drejtpërdrejt nevojën e madhe të kampusit për më shumë strehim studentësh”, tha administrata e universitetit në një deklaratë për Washington Post.
Në një email të veçantë drejtuar Guardian, administrata shtoi: “Çdo dhomë që nuk ka një dritare funksionale (dhe madje edhe të gjitha dhomat e gjumit që kanë) sigurohet me furnizim të vazhdueshëm me ajër të pastër.
Kundërshtarët e projektit përballen me dy forca shumë të fuqishme, një universitet me grante toke me më shumë se 26,000 studentë dhe një njeri me vlerë rreth 2.2 miliardë dollarë.
Në një intervistë me Wall Street Journal në vitin 2019, Munger, i cili është 97 vjeç dhe pjesërisht i verbër, shpërtheu kundër arkitektëve. Ai përmendi radhët e gjata në banjot publike të grave si një shembull të dështimeve të arkitekturës konvencionale: “Çfarë lloj idioti do ta bënte banjën e burrave dhe banjën e grave të njëjtën madhësi?” tha ai. “Përgjigja është, një arkitekt normal!”
Edhe pse Munger ka njëfarë eksperience si arkitekt, ai kurrë nuk ka studiuar zyrtarisht arkitekturë dhe as, siç i tha ai Journal me mburrje, nuk ka lexuar ndonjëherë një libër për të. Ai pranoi se mund të vdesë para përfundimit të projektit, por tha se ka besim se “ai do të konsiderohet gjerësisht si më i miri në botë”.
Kjo nuk është hera e parë që Munger financon projekte arkitekturore të këtij lloji.
Një godinë e tillë u ndërtua në Universitetin e Miçiganit në 2015 por ishte më e vogël, për vetëm rreth 630 studentë.
Munger e sheh projektin e mëparshëm si provë koncepti edhe pse shumë studentë refuzuan të jetonin në të.
“Ishte e tmerrshme,” shkroi një person që ka jetuar aty.
“Mungesa e dritareve ishte dëshpëruese”.
“Mungesa e dritareve ndikoj shumë keq tek shokët e mi të dhomës, si në shkollë, shëndet dhe mirëqenien mendore”.
Mijëra njerëz kanë nënshkruar një peticion për të anuluar projektin UC Santa Barbara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




