Nga Luljeta Nelallari – Ne na njohu një e tretë, Dashuria
Ajo qëndronte mes heshtjes sonë
Kur shiheshim gjatë si dy të pagojë
Dhe e dinim para tjetrit çfarë ka në mendje tjetri
Dhe flisnim dyshe edhe kur flisnim me vete…
Kjo është një ndër poezitë që i ka dhënë dhe titullin librit më të ri të Preç Zogajt, “Një e tretë, dashuria”. Libri me poezi u promovua në ambientet e Arturbina nën moderimin e aktorit të Teatrit Kombëtar, Dritan Boriçi, me pjesëmarrjen e emrave të rëndësishëm në skenën letrare dhe interpretimin e aktorëve, Doriana Çaushi dhe Donald Shehu.
“Një e tretë, dashuria” i botuar nga UetPress vjen me parathënie nga Poeti Laureat, Rudolf Marku, i cili evidenton se “ky libër më shumë se një bisedë me lexuesin, është një bisedë me vetveten, është momenti i pjekurisë së poetit”.
“Në këtë vëllim me poezi, Zogaj na udhëheq drejt një udhëtimi të tij të brendshëm, për të eksploruar ndjesitë më intime, më të thella dhe më konfidenciale. Aq sa duket se e gjithë poezia është një bisedë me veten-veçse, pa dijeninë e vetë poetit, në praninë e një audience shumë-shumë të gjerë”, shprehet poeti Rudolf Marku për librin e Zogajt, ndërsa vë theksin se “titulli i librit na kthen mbrapa te Lasgush Poradeci, që thoshte: ‘nuk dashuronim as unë, as ti, por dashuronte dashuria’. D.m.th është gjithmonë një e tretë. Merita e Preçit është se e rikthen në mënyrë intuitive”.
“Një e tretë, dashuria” përfshin poezi të Zogajt të shkruara kryesisht tre-katër vitet e fundit. Vëllimi është ndarë në 6 cikle me tituj të veçantë, që mund të lexohen edhe si libra të vegjël më vete: “Një e tretë dashuria” që i ka dhënë edhe titullin librit, “Vitet e fundit të nënës”, “Shpagimi po vjen me fytyrën me të bukur”, “Dhe kaloi fëmijëria jote, rreze dielli”, “Dy përjetësi dhe asnjë jetë”, “E skuqura thotë diçka që nuk thuhet”.
Tema e dashurisë zë peshën kryesore në faqet e tij, por nuk mungojnë as poezitë kushtuar vendlindjes, miqve, poezitë shoqërore nga aktualiteti dhe realiteti shqiptar i ditëve tona.
Për Preç Zogajn, ky libër me poezi që ia kushton dashurisë, një gruaje që mund të njihet prej tij, por njëkohësisht mund të ketë dalë edhe nga imagjinata, është një vazhdim i krijimtarisë së tij, duke treguar në këtë mënyrë se si qëndron libri në raport me librat e mëparshëm.
“Libri është përmbledhje e poezive që unë kam shkruar këto katër vitet e fundit. Por ajo është vazhdim i krijimtarisë sime dhe këtu qëndron pastaj një veçori që ka poezia, që autori të ngelet vetvetja, por edhe të mos përsërisë vetveten”.
Për dashurinë, ai thotë se është si një e tretë, që aq sa na përket, aq edhe nuk është pjesë e jona.
“Është një i tretë që na bën të njihemi. Ky libër është analizimi i dashurisë, që edhe na përket, edhe s’na përket, është si një lloj shkesi. Edhe vetë koncepti i dashurisë në këtë libër është Afërdita që shkon, vjen, u jep atë ndjesinë e saj, pastaj ikën i lë, kështu është dashuria. Mendoj se dashuria nuk mund të jetë e përorëshme se do ishte e papërballueshme për jetën njerëzore”.
Zogaj i mëshon faktit se “kur poezia është bërë e vërtetë artistike, ajo ekziston edhe po të mos e kemi njohur një personazh, sepse e vërteta artistike e zbulon gjithmonë realitetin edhe kur nuk e kemi prekur”.

Për poeten e njohur, Natasha Lako, ky libër me poezi është në thelb një festë e gjuhës.
“Ky libër nuk është një festë e Preçit, por është një festë e gjuhës dhe e fjalës. Është si ai trëndafili që hapet vetë fjala. Është një marrëdhënie që e zbulon vetëm Preçi, që tregon një pjekuri shumë të madhe artistike. Pra ka diçka eternale, të përjetshme në këtë shpërthim të brendshëm të gjuhës. Preçi bashkon traditën e shqipes, Pjetër Bogdanin me Rudolf Markun, bashkëkohësinë e vet”, shprehet poetja Natasha Lako.
“Poezia e Preçit arrin të jetë historia jote, të bëhet historia jote. Preçi mbush atë boshllëkun në skenën letrare. Me poezinë e tij gjuha e erosit në letërsinë shqipe nuk është më e drunjtë. Ai sjell novatorizëm”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Për drejtuesen e UetPress, Suela Bala, ky libër “është pika e forcës së Preçit. Preçi ka fuqinë, instrumentet gjuhësorë dhe ato të përjetimit na jep sy të tjerë për ta parë botë”.
I pyetur nga aktori Dritan Boriçi nëse ka një vijë ngritjeje në krijimtarinë poetike të një autori, poeti Zogaj përfundon duke thënë se “besoj që ky është një libër që shënon një nivel më të lartë në poezinë time”.
Poezitë e këtij libri që i “flasin” dashurisë e mund t’i shohim edhe si një histori jete, u lexuan për të pranishmit nga aktorët e Teatrit Kombëtar, duke i dhënë zë përmbledhjes poetike e duke e kthyer promovimin në një spektakël poetik…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




