Drejtësia

Një ditë pasi dorëzoi mandatin e deputetit, Jurgis Çyrbja merret i pandehur nga SPAK për shpërdorim detyre

Gazeta Si - Një ditë pasi dorëzoi mandatin e deputetit, socialisti Jurgis Çyrbja është paraqitur këtë të premte në SPAK, ku është marrë i pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” lidhur me kallëzimin e bërë nga deputeti i PD, Edi Paloka për zgjedhjet e vitit 2021, gjatë kohës kur drejtonte Hipotekën e Durrësit.

Asokohe, opozita e akuzonte Çyrbjen se shpërndau leje legalizimesh me qëllime elektorale. Gjatë kohës që Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, pasi dyshohej se kishte favorizuar personazhe të botës së krimit për të përfituar prona në Durrës.

Pak ditë më parë Çyrbja u paraqit në SPAK, ku qëndroi për gati 5 orë, por ku doli nga godina tha se nuk është i pandehur, por në SPAK u pyet për çështje që ka dijeni. 

Nga ana tjetër Çyrbja, ka argumentuar kërkesën për lënien e mandatit të deputetit, si një domosdoshmëri për t'u marë me problemet e tij shëndetësore.

Në atë kohë, drejtuesi politik i qarkut Durrës, Edi Paloka, çoi në SPAK ish-deputetin socialist për “shpërdorim detyre”, për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave legalizimi për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm, duke realizuar kështu mbivendosje prone.

Nga 2021 deri më sot, ky hetim është udhëhequr nga prokurori i SPAK, Dritan Prençi, i cili ditën e djeshme realizoi seancën e parë të pyetjes së Çyrbjes.

Sipas burimeve, që i referohen dosjes hetimore, këto shkelje ligjore janë kryer nga ish-drejtori i Hipotekës në Durrës, Jurgis Çyrbja, si dhe disa vartës të tij në hipotekë dhe ALUIZNI-t në Durrës.

Ai largohet nga Kuvendi pak muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare të vitit 2025, ç'ka do të thotë se nuk do të jetë në listat e kandidatëve të mazhorancës.

Ndërkohë vendin e tij pritet ta zërë Erjon Meka, i cili në zgjedhjet e fundit në vitin 2021 mori 2228 vota.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë