Gazeta Si – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda zhvilloi një takim me Drejtuesin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
Ilir Proda dhe Altin Dumani kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit, për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një stad tjetër bashkëpunimi dhe besueshmërie mes palëve.
“Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, dhe me policitë partnere, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, – thuhet mes të tjerash në njoftimin për mediat.
Takimi vjen një ditë pas arrestimit të Ilir Metës, ku forcat operacionale përdorën forcën për të prangosur ish-presidentin e vendit. Një gjë e tillë shkaktoi polemika të shumta mbi mënyrën e menaxhimit të situatës.
Më herët, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, theksoi se Policia u detyrua të përdorte forcën, pasi hasi në kundërshtimin e dhunshëm të Ilir Metës. Sipas tij Policia zbatoi vetëm detyrën. Ish presidenti Meta akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv dhe mosdeklarim pasurie.
Ai po kthehej me makinë nga Kosova, ndërsa në hyrje të kryeqytetit, agjentët dhe oficerët e policisë ndërhynë dhe e shoqëruan në drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe prej andej në bllokun e sigurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




