Ne rrjet

Një ditë brenda medias ruse – Perandoria e propagandës së Putin

Nëse ka diçka nga kutia e mjeteve të autokracisë së Vladimir Putin që ka ekzistuar edhe para luftës, është makineria e tij e propagandës. Propaganda është “karrota” në një oqean plot me shkopinj, që i mban qytetarët rusë të përditësuar me agjendën e luftës.

Çdo ditë 82 milion rusë informohen nga një rrjet i kontrolluar televiziv që i ushqen ato me një këndvështrim uniformë për botën: një vend armiqësor, i frikshëm, ku Rusia kërkon të vendosë të drejtën.

Propagandën s’e ka shpikur Putin. Si një qytetar i ish-Bashkimit Sovjetik, unë u linda në tokën imagjinare të krijuar për mua dhe miliona sovjetikë të tjerë, nga byroja e propagandës në Partinë Komuniste. Sipas televizioneve tona, qytetarët e tjerë dhe unë jetonim në vendin më të zhvilluar  në botë, mbushur me paqe e dashuri që luftonte forcat e jashtme imperialiste. Dëgjonim këngë që bënin thirrje kundër një lufte nukleare dhe shikonim transmetime të demonstratave shkatërruese në SHBA. Gjithmonë mendoja pse amerikanët kërkonin të na shkatërronin jetën.

Rënia e totalitarizmit zhbëri këtë propagandë dhe na tregoi se ajo çfarë kishim mësuar për botën ishte një fantazi. Por mekanizmat e periudhës sovjetike për manipulim dhe dobësia e rusëve për të rënë pre e saj, janë edhe më të forta sot. Mbështetja e qytetarëve për Putin në luftën e tij me Ukrainën mbetet e lartë, si pasojë e asaj çfarë prodhojnë televizionet e kontrolluara nga Kremlini.

Muajin e shkuar, vendosa të konsumoj lajmet që konsumon një qytetar rus në ditë. Rezultatet janë shqetësuese. Televizioni dhe jo interneti mbetet mediumi më i rëndësishëm i informimit në Rusi. Rusët konsumojnë mesatarisht 4 orë lajme në ditë. Në terma absolutë, këto numra nuk janë befasues, amerikanët shohin më shumë. Çfarë është befasuese, është se çdo kanal e çdo program nga lajmet tek muzika, transmetojnë narrativën e Kremlinit; 24 orë në ditë, 7 ditë të javës.

Agjenda e ditës nis me lajmet e orës 5 në mëngjes. Një mëngjes të premteje gjatë prillit, lajmi kryesor ishte “lufta ndaj nazistëve ukrainas. Edicioni vazhdon me takimin e Macron në Kinë dhe Lavrovit në Turqi. Kjo përsëritet çdo 3 orë nga 30 minuta. Edhe parashikimi i motit kontribuon me atë që mundet duke renditur qytetet e okupuara të Ukrainës si pjesë e territorit rus.

Në Kanalin 1, kanali më i vjetër dhe më me ndikim në Rusi, lajmet dhe diskutimet mbi to zgjasin deri në 8 orë transmetimi ditor. Pjesa e “luanit” shkon për mbulimin e “operacionit special” të Kremlinit në Ukrainë. Në darkë, një relikë e rinisë sime sovjetike, emisioni “Time”, tregojnë ngjarjet që ndodhin në botë, nën një lente që i përshtat me ideologjinë e tyre.

Jashtë lajmeve, këndvështrimi mbi luftën mbështetet në debatet shoqërore dhe politike. Në ekranet e studiove televizive, lufta paraqitet si një horror i shkaktuar nga bishat ukrainase. Gjaku që rrjedh nëpër lumenj, gra që vajtojnë dhe të moshuar të tronditur. Ato falënderojnë ushtarët rusë, ndërsa gazetarët i drejtojnë mikrofonin. Për to, lufta është trashëgimi, një detyrë e shenjtë që është e pashmangshme për rusët.

Në vazhdim të ditës, lufta shitet si një ngjarje që ndahet në dy kampe: ne ose ata. Ne – është grupi i heronjve, ushtarët e Putin. Ata janë të gjatë, syblu dhe bjondë. Kur ata nuk luftojnë nazistë, relaksohen në natyrë dhe lexojnë letrat që u dërgojnë fëmijët. Për shëndetin e tyre kujdesen infermiere bukuroshe me kaçurrela dhe grim të rëndë, edhe pse në front lufte. Këtë nuk e beson askush që ka parë luftën vetë, por rusët kanë “mënyrën” e tyre të të bërit biznes.

Ata – janë të këqinjtë. Termi “ukrainas” nuk përdoret, por terma pezhorativë si “nazistë”, “satanistë”, “terroristë”, “fashistë”, “të pazot”. Në këtë realitet, ukrainasit nuk janë as njerëz të vërtetë – ata janë rusë të çmendur, krijesa të pavlera që drejtohen nga kukulla, fijet e së cilës i tërheq SHBA-ja.

Amerikanët kanë pjesën e tyre të urrejtjes. Ish-armiqtë e Luftës së Ftohtë, ose më saktë “anglo-saksët” janë të vonuar dhe kaotikë. Në përpjekjen e tyre për të shkatërruar Rusinë, ata shfrytëzojnë liderët europianë të zhburrëruar, interesat kryesore të të cilëve janë nënshtrimi ndaj agjendës së homoseksualëve dhe skllavërimi i shteteve të tyre përkatëse në Bashkimin Europian.

Në lajmet ruse ka shumë lajme të huaja. Protestate e fermerëve rumunë ndaj importeve ukrainase të grurit, parizienët djegin restorantin e preferuar të presidentit të tyre dhe qeveria britanike po planifikon të rrëzojë liderin turk, Recep Tayyip Erdogan. Duke pikturuar një panoramë të frikshme nga Perëndimi, lajmet krijojnë përshtypjen se të mirat mund të vijnë vetëm nga Lindja.

Drejtuar nga lideri i saj i zgjuar dhe brilant, Xi Jinping, Kina përshkruhet si vendi që ndihmoi Rusinë, po ashtu edhe Irani, Siria, Burkina Faso apo Bjellorusia. Rusia nuk është e izoluara, thonë gazetarët që dikur i bënin pushimet e tyre në Francën “e mallkuar” apo Zvicër.

Më pas transmetohen takimet e Putin me ministrin e Shëndetësisë për të diskutuar mbi zhvillimet e mëtejshme të shërbimit shëndetësor; Putin që urdhëron kthimin e ushtarëve në shtëpi.

Emisionet që nuk pasqyrojnë Putin, janë të tmerrshme. Një emision nxit debate mbi raste vrasjesh, dhune e etj. Një tjetër tregon histori të qytetarëve, si p.sh një plak i shurdhët që pastronte para, një grua që rreh fqinjin, një artist që sajon martesa etj.

Në këtë univers armiqësor, jashtëtokësorët kanë një rol me rëndësi. Sipas “The Big Game”, një emision politik, arsyeja pse Xi nuk do të fliste kurrë me presidentin ukraians Volodymyr Zelensky është sepse ky i fundit është i mallkuar: çdo lider që tejkalon rrugën e tij futet në një zonë ogurzezë e të pafatë. Për provë, ata japin rastin e ish-kryeministrit britanik, Boris Johnson apo asaj finlandeze, Sanna Marin – të dy ikën nga posti. Apo akoma më keq, rasti i presidentit të Omanit, Qaboos bin Said, që vdiq disa ditë pas vizitës me presidentin ukrainas.

Përhapja e frikës ka qenë gjithmonë qëllimi i propagandës, por kur Putin ishte në KGB, qëndrimi anti-fetar dhe pro-shkencor i Bashkimit Sovjetik vendosën disa limite. Këto nuk ekzistojnë më dhe çdo gjë përgatitet për t’i shërbyer ideologjisë.

Mbrëmja i përket, Vladimir Solovyov . I veshur me një xhaketë të zezë që ngjan me ato të xhelatëve mesjetar, Solovyov, një pronar i vilave të shumta italiane të sanksionuara nga BE për rolin e tij në pushtimin e Ukrainsë, është i njohur, madje edhe në hapësirën e mbushur me njerëz të propaganduesve të luftës ruse. Në emisionin e tij mbi 2 orë që transmetohet pothuajse ccdo ditë, Solovyov, tregon konfliktin – shenjtët rusë që luftojnë demonët ukrainas. Nxitja e vrasjes nuk është krim në Rusi. Në emisionin e tij, Solovyov ka drejtuar pyetjen “kur do të shkatërrojmë Zelenskin?”.

Nëse besojmë të ftuarit e tij, atëherë: shumë shpejt.

Problemi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, thotë një profesor nga Universiteti Shtetëror i Moskës, mund të trajtohet me një sulm bërthamor, ndaj të cilit “ekspertët” e shfaqjes qeshin me vetëdije. “Shkatërroni Ukrainën,” gjëmon Solovyov në fjalimin përmbyllës të shfaqjes së tij 170-minutëshe të së dielës. “Digjini me hekur të nxehtë. Ne nuk mund të negociojmë me Satanin.”

Të dielën pas kësaj, ai kërkon rikthimin e dënimit me vdekje për t’u marrë me “tradhtarët”. Ai favorizon varjen. Pasi Rusia të fitojë, ajo mund të negociojë me Perëndimin – ose, më mirë, me “atë që ka mbetur nga Perëndimi”, thotë Solovyov, në një nga shumë kërcënimet e fshehura hollësisht të asgjësimit bërthamor drejtuar armiqve të Rusisë. “Ne kemi mjetet për të mbyllur amerikanët,” bën jehonë një nga të ftuarit e tij, një ish politikan ukrainas i kërkuar tani në Ukrainë. “Është koha që ne t’i përdorim ato.”

Megjithëse është e vështirë të imagjinohet dikush që zgjedh të konsumojë këtë lloj propagande jashtë territorit rus, publiku rus nuk është audienca e vetme e synuar për këto përpjekje. Teksa liderët perëndimorë lexojnë raportet e zëdhënësve të Putinit që kërcënojnë se do t’i kthejnë Shtetet e Bashkuara dhe Europën në “hir radioaktiv”, ose mendojnë për paralajmërimin e një nobelisti rus për Rusinë që po përgatitet të fitojë një luftë bërthamore, ata gjithashtu po angazhohen me një krah të fokusuar nga jashtë, megjithëse më pak kinematografik, të makinerisë së propagandës së Kremlinit.

Prapa buzëqeshjeve të fiksuara dhe grafikave moderne të kësaj makinerie, megjithatë, është një njeri i vogël që përdor frikën për të shkëputur vëmendjen nga mizoria dhe dështimet e thella të luftës së tij me botën. Një ditë, si ata që jetuan për të parë anën tjetër të epokës sovjetike, rusët do t’i njohin gënjeshtrat e Putinit për atë që janë: një mjet për t’i bërë ata bashkëpunëtorë në krimet e shtetit të tyre. Se sa jetë të tjera ukrainase do të merren nga tani deri në rizgjimin e radhës të Rusisë është pyetja e të gjithëve.

Shkruar nga Anastasia Edel, shkrimtare dhe historiane ruse e lindur në SHBA, për “Foreign Policy”/ Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë