Nga Gazeta “SI”- Gjashtëdhjetë e pesë vjet pas botimit të pjesës së parë të Komedisë Hyjnore ( Ferri) nga mjeshtëri Pashko Gjeçi, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, themelojnë çmimin letrar “Pashko Gjeçi” në nder të përkhtyesit dhe intelektualit të shquar.
Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, thotë për GazetaSi.al se kjo është një iniciativë e re kushtuar promovimit të letërsisë italiane në shqip dhe nderimit të rolit jetësor të përkthyesve letrarë në Shqipëri dhe Kosovë.
“Çmimi mban emrin e Pashko Gjeçit, përkthyesit dhe intelektualit të shquar shqiptar, i cili realizoi përkthimin e parë të plotë në shqip të Komedisë Hyjnore të Dante Alighierit. Ky çmim përfaqëson lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme midis kulturës letrare italiane dhe asaj shqipe. Kontributi monumental i Gjeçit në letërsinë shqipe shënon një moment të rëndësishëm historik dhe simbolizon dialogun gjuhësor dhe kulturor mes dy vendeve.”
Ky projekt, sipas Bardhylit, do të mbështetet financiarisht nga Instituti Italian i Kulturës dhe Qendra e Librit.

“Ky projekt ka për qëllim të ftojë të gjithë përkthyesit shqiptarë të italishtes që të paraqesin dorëshkrimet e tyre me përkthime të veprave bashkëkohore italiane në gjuhën shqipe. Veprat fituese do të mbështeten për botim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL), ndërsa Instituti Italian i Kulturës në Tiranë do të ofrojë mbështetje për procesin përkthimor.”
Ajo thotë se do të jenë dy vepra që do të përkthehen, me kushtin të jenë të pabotuara më parë.
“Nga ‘Çmimi Pashko Gjeçi për Përkthimin Letrar Italian’ do të përzgjidhen dy vepra fituese, përkthime nga përkthyes shqiptarë, të cilat ende nuk kanë parë dritën e botimit në gjuhën shqipe. Fituesit do të shpallen gjatë muajit tetor, në kuadër të Javës së Kulturës Italiane.”
Kush ishte Pashko Gjeçi, përkthyesi i kryeveprave të letërsisë botërore?
Pashko Gjeçi lindi në Shkodër, më 7 shtator 1918. Mbaroi shkollën e Jezuitëve dhe gjimnazin Jezuit në Shkodër. Fillimisht mësoi mirë italisht, e më pas në gjimnaz edhe greqishten e vjetër dhe latinishten, gjuhë nga të cilat përktheu mrekullitë e letërsisë botërore në shqip.

Qysh në moshë të re, kur ishte 16 vjeç, Pashko Gjeçi përktheu disa poezi të poetit italian Xhakomo Leopardi. Në vitin 1938, me gjysmë burse të siguruar nga qeveria e asaj kohe, regjistrohet në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë. Pashku kujtonte gjithnjë me kënaqësi leksionet e prof. Ernest Koliqit, edhe pse shoqërimi me të do t’i kushtonte 5 vjet burg nga regjimi komunist. Më 15 korrik 1942, ai diplomohet Doktor në Letërsi.
Pas kthimit në atdhe, më 4 shtator 1947 ndalohet me akuzën ‘pjesëmarrje në grup kundër pushtetit’. Pas lirimit nga burgu, regjimi komunist e transferoi në Fushë Krujë, ku punoi gjatë për përkthimin e kryeveprës Komedia Hyjnore, një përshkrim i udhëtimit fantastik të Dantes nëpër tri mbretëritë e përjetshme: Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën. Në vitin 1960 u botua pjesa e parë e Komedisë, ‘Ferri’. Veprës nuk i bëhej ndonjë jehonë e madhe në atë kohë, por ish-drejtori i shtëpisë botuese, Nasho Jorgaqi, thotë se një shqipërim të tillë mund ta bënte vetëm Pashko Gjeçi.

Menjëherë pas botimit të Komedisë Hyjnore të Dantes, nisi të përkthente Odisenë e Homerit, një punë që e përfundoi me sukses. Një tjetër kulm për përkthyesin ishin edhe Fausti i Gëtes dhe Hamleti i Shekspirit, gjithmonë vargje, gjithmonë kryevepra, gjithmonë në mënyrë mjeshtërore.
Gjithashtu, Pashko Gjeçi ka sjellë në gjuhën shqipe mrekullitë e greqishtes së vjetër; mund të thuhet se në botën shqiptare është i vetmi që e ka realizuar këtë gjë deri më sot. Pra, Pashko Gjeçi mbetet një figurë e shquar e letrave shqipe me përkthimet dhe shkrimet e tij bashkëkohore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



